Historia gojore e aktivizmit të grave ofron një hapësirë të veçantë që jep dukshmëri dhe qëndrueshmëri historisë së subjektivitetit të grave që në vazhdimësi, nëse jo e harruar, së pëku ishte margjinalizuar. Qoftë të angazhuara në protesta kundër okupatorëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kampanjën për heqjen e shamisë, në luftën kundër analfabetizmit të grave, të angazhuara në lëvizjen nacionaliste, në rezitencë kundër Milosheviqit dhe në luftë për të drejtat e grave përtej ndasive etnike, gratë tregojnë tregime presonale të fuqishme që kryqëzohen me ngjarjet e mëdha historike të kohës.

Flora Brovina

Poete

Motra ime ishte qaq e vogël kur kemi vizitu babën në Pejë. Burgu i Pejës ishte plotë me t’burgosun shqiptarë. Pse e di këtë? Si fëmijë, pra isha e vogël nuk shkojsha në shkollë. E di sepse para burgut mblidheshim krejt familjet që kishin me hy me i vizitu të burgosurit edhe me ndonjë torbë kështu n’dorë {bënë se mbanë torbë në dorë}.

[…] Po këto trishtime që i bartë fëmijëria do të na përcjellin tanë jetën, sepse fëmijëria len gjurmë. Për fat mua nuk më ka shëndrru në një njeri të urrejtjës, por m’pëlqen që nuk m’ka mundë harresa. I mbaj n’mend, për shkak se kurrë nuk i marr si personale, por kujtoj që i ndaj me gjithë ata njerëz që pritshin me i pa të vetët në burg. I ndaj me gjithë ata njerëz që kane qenë të, të leqitur, familje të dënuara politike të leqitura nga shoqëria dhe kur as kojshiu nuk ka ardhë më t’vizitu sepse ka pasë frikë.

Albertina Ajeti-Binaku

Arkitekte

…nuk ka qenë tendenca me i jap konotacion politik. Ka qenë më tepër për me jap konotacion humanitar, sepse familjet me ditë t’tana, me javë t’tana ka qenë të rrethekuara. Nuk kanë pasë lëvizje t’lirë, domethonë me dalë më u furnizu me ushqim e me gjana tjera. Edhe kjo ka qenë. Domethonë, ne si nana, si femra, me bashkëndje me nanat në atë kohë në Drenicë, të cilat nuk kanë pasë ushqim për fëmijët e tyre. […] Edhe e di që kemi qenë si, domethonë ka qenë si kolonë edhe anash kanë qenë forcat policore. Deri sa kemi mrri në atë pikë, mandej nuk na kanë leju me shku ma tutje. [Gratë] Kanë kërku me negociu, mirëpo nuk kanë qenë të gatshëm. Ashtu në mënyrë, me fjali urdhërore na kanë thanë, ‘Duheni mu kthy, përndryshe nuk mujmë me rreziku, sepse mandej mundet me ju ndodh diçka, s’mujmë me ju mbrojtë…’

Valdete Idrizi

Aktiviste e Paqes

‘O babë, a ke mujt ti? Se je smutë e je lodhë e s’ke hongër’. Ça i kishim pa lajmet. Thotë, ‘Jo, more’, tha, ‘babë, a din sa ka ma shumë se une atje? Une veç njo prej, veç njo prej gjithë ata njerëz që jonë konë. Edhe kush neve, kur tregojsha…’ Edhe u kthy pak mrapa. ‘Kurrë’, tha, ‘nuk ndahen minatorët. Dhe nëntoka’, thojke, ‘ka me lëvizë’. Thojke, ‘Se na e dijmë, kjo osht’ pasunia, kjo osht’…’ […] Njifarë morali ta ngritte. Kurrë nuk e harroj çfarë ndjenje ma ka jep edhe që kanihere s’kishe nevojë mo për sqarim tjetër, sikur, sikur e kuptojsha veç në shikim e tij, pa, pa, nashta pa spjegu kurgjo ma tepër.

 

Nashta edhe u frigojsha me pytë ma tepër, mos po ndodhë najsen edhe ma, edhe ma keq. Po prej tij çka ka reflektu, domethonë edhe ajo pjesa që…. ‘Ja ka vlejtë’, kështu e tha. ‘Po shumë bre babë, po ti s’ka lidhje edhe mos me pasë qenë. Tonë e kanë ditë që je smutë’. ‘Jo’, tha, ‘une kurrë s’kisha mujt pa qenë me ta’. E kështu. E di që secilën herë kur bohen [përvjetoret], se nuk i du fort datat me, me i kujtu përkujtimet për ate, për ate…. Po edhe kur shkoj, se kam qenë edhe vet në minierë disa herë, kom qenë e kom lypë numrin e babës atje. Numrin 618 e ka pasë. Kom shku në horizontin e dhjetë, se thjeshtë dojsha veç me ditë.

Suzana Gërvalla

Ish Zyrtare e Lartë në MAPL

Kur po m’bjen zilja mua te dera. Kur dola te dera ni kojshike gjermane, se kemi shku shumë mirë me ata kojshitë, tha, ‘Zonja Gërvalla,’ tha, ‘shpejtë’ tha, ‘se kështu kështu ka ndodhë’. Tha, ‘I kanë plagosë’ tha, ‘jonë…’ Dola qashtu si isha prej shpije. Dola shpejt! Kur shkova atje dera ishte hapur. […] Edhe ni trup poshtë kishte ra, ish konë Kadria. Jusufi kish qenë përmas. Kadria kish ra n’tokë.[…] Kur u afrova une e pashë, se s’disha une kush osht’ ku, e pashë trupin, e pashë që ishte Kadria. Kur Jusufi tha se… gjithnji m’ka thirrë çikë, se qysh çikë m’ka njoftë si fmi, edhe çikë, çikë… ‘Çikë,’ tha, ‘qe ku jam’. […] I thashë, ‘Ha, Jusuf, ku e ki, ku e…’ Tha, ‘E kom në bark,’ tha, ‘edhe n’shpinë’. Se Jusufi ka qenë përmas e ka mujt me lëvizë. Tha, ‘Po, kqyrma Bardhin,’ tha, ‘a osht’ gjallë?’ Tha, ‘Se s’po nihet.’ Tha, ‘Vëlla!’

 

Nejti policia deri në nji e gjysë aty me neve gjithë kohën. Në nji e gjysë erdhi ni polic, tha, ‘Jusufin e kanë bo operacion, osht’ ma mirë’, tha. U gzum na. Bile njoni. […] Thirra n’telefon atë, atë të Ambasadës [së Shqipërisë]. I tregova. Ai Ambasadës e ka thirrë dikon tjetër. Edhe në ora tetë të mëngjesit ka ardhë nji prej Munihut, nji Misin Mavraj erdhi. Me atë hypëm kerrit edhe shkum n’spital se s’dishim mo kurgjo. Iku policia, ikën gjithë. […] ‘Kemi ardhë me pytë për Jusuf Gërvallën, kështu kështu’, tha. Ai meniherë tha, ‘Ka dekë’, i tha atij, ‘ka dekë’. ‘Jo, jo’, tha, ‘kanë ardhë tre,’ tha, “dy kanë dekë e njoni…’ Tha, i çoi tre gishta, ‘Të tre kanë dekë’, tha ai.

Sevime Gjinali

Muzikologe/ Kompozitore

Baba im…. Po shifni, në atë kohë nuk ka pasë shkrime, regjistrime të muzikës, as fletore me pentagram me nota. Ai ka qenë vetë rapsod, vetë meniherë tekstin edhe muzikën e ka bo. Por, ato s’i ka shënu kërkush, s’ka pasë mundësi atëhere m’u inçizu.[…] Dhe ai ka vendosë për këtë shkollimin tim, që une t’bahem muziciente, të shkoj në muzikë… se në atë kohë nuk ka pasë, ka qenë dishka jo e zakonshme që t’shkon femna në shkollën e muzikës me violinë. Na gjujshin fëmitë në rrugë më gurë kur t’na shifshin, se me violinë po shkoj në shkollë t’muzikës…. Si femën ka qenë pak jo e zakonshme.

Hava Shala

Punëtore Sociale

Fillimi i Fushatë së Pajtimit të Gjaqeve.

Në lajme doli zëdhënësi i qeverisë së Millosheviqit n’atë kohë […] Dhe tha, ‘Nuk u vranë nga ushtria dhe policia jonë’, e tyre, ‘por u vranë shqiptarët primitivë për shkak të gjakmarrjes.’ […] Ishte shumë irrituse, ishte shumë e papranushme për mua, ishte shumë diskriminuse, ishte shumë e pavërtetë, ishte shumë jo-njerëzore.

Dhe, të nesërmen kam dalë në Pejë. Personi i parë që kam dashtë me taku e që jam nisë për ta takuar, ka qenë Myrvetja […] E kam takuar në Pejë edhe, edhe kemi fillue me bisedu, mu nuk m’kujtohet nëse ajo i ka dëgjuar lajmet apo jo. Me Myrveten jemi kuptu gjithmonë shumë mirë, kemi qenë shoqe ma përpara, para burgut, gjatë burgut, pas burgut. Dhe jemi kuptu, nuk osht’ dashtë shumë me shpjegu, nuk osht’ dashtë me ia mbushë mendjen… ajo e ka konsideruar [pajtimin e gjaqeve] shumë të rëndësishme dhe ka thanë që, ‘Do t’shofim se çka mund të bëjmë’. […]

Edhe Brahimi, Luli, Myrvetja dhe unë kemi shkuar tek Ademi atë ditë në shtëpinë e tij, dhe kemi biseduar dhe padyshim jemi dakorduar. Domethanë, nuk është dashtë shumë me diskutu, nuk është dashtë shumë me filozofu. […]

Dhe, më pastaj kemi menduar që një person, një ftyrë e nderuar e çmuar, e vlerësuar që ka edhe kompetencën e hyrjes në oda, bisedës në odë, ishte profesor Zekeria Cana dhe profesor Anton Çetta, respektivisht s’pari Zekeria Cana. Ishte i nderuar, të paktën dhe tek ne, por jo veç tek ne po ne e njifshim angazhimet e tij, literaturën e tij”.

Zahrije Podrimqaku

Aktiviste Politike

Kur n’ata [moment] po vjen ni bashkëpunëtor që u kanë i Këshillit, aty që ka punu n’Këshill goxha n’moshë i vjetër, Ismeti, po mbiemni i tij nuk m’kujtohet edhe po thotë, ‘Pasha Zotin, ti vajzë, Zahrije, Këshilli u rrethue krejt me inspektorë’, tha, ‘edhe p’e kërkojnë një vajzë me flokë kaçurrele’. Edhe i kisha flokët e gjata domethanë deri këtu {tregon gjatësinë e flokëve me duar}, i kisha kaçurrela flokët, krejt… edhe njeri i ri atëhere, ndryshe. Tash s’kish tjetër vajzë me flokë kaçurrela përveç meje (qeshë). Aty, po m’thotë Ibra, Ibrahim Makolli, ‘Po çka kanë punë ata me Zahrinë? Zahria osht’ me post t’vogël’. A po m’kupton? Ata s’pe dijnë se kush përcjellet, çfarë punë kom kry edhe qysh m’kanë përcjellë ata edhe qysh i kanë ditë punët sikur policët për shembull.

Edhe thanë, ‘Në qoftë se o për me na marrë, une jom sekretar i Këshillit, Behgjet Shala, ti je anëtar i kryesisë, baci Adem, kryetar’, tha, ‘[të] na marrin neve t’mëdhajëve, s’kanë punë me Zahrijen’. ‘Ani Zahri, a ki hongër bukë’? Thashë, ‘Jo, s’kom hangër’. Hajde, qitu afër Këshillit o ni burektore, e hamë kah nji burek”. […] Kur taman jena dalë, t’mu kanë vërsulë mu, drejtë te unë inspektorët edhe papritmas m’kanë kapë edhe m’kanë kontrollu se kanë menu që kam armë edhe jom e armatost. Edhe une e nxorra veç letërnjoftimin n’dorë edhe ma panë aty edhe tash Behgjetin ata s’kanë dashtë me marrë, me siguri… po edhe mu, edhe Ibrahim Makollin. Po, për Ibrahim Makollin kanë menu që osht’ Agron Ramadani. Se këta përmes telefonit, kur ka folë Agroni me zonën e Llaushës atje n’telefon, krejt përgjimet përmes telefonit i kanë bo.

Edhe n’atë moment, kur na kanë marrë Ibrahimin e mu, na kanë futë n’makinë edhe i kanë mbyllë dyert edhe ai e ka lajmru stacionin aty kryesor 92-shin, tha, po ia ban n’serbisht e unë e kuptova menihere, tha, ‘E morrëm Zahrijen edhe Agron Ramadanin’.

Sala Ahmetaj

Aktiviste

Domethanë, ai është vra n’gusht, e kanë marrë policia kufomën, e kanë çu’ n’spital edhe ndoshta nuk është mirë t’ju lëndoj me këtë rrëfim, është shumë i dhimbshëm, edhe s’di sa… Edhe, Liri Loshi ka qenë ni… e kom pasë nxënës n’Skenderaj, shumë i zoti. Ai e ka dhanë n’lajme atë natë vrasjen e tre ushtarëve nga Radisheva edhe unë e kom ditë qi njëri prej tyre është vëllai im. Ai tha, ‘Unë nuk kom pasë forcë t’i përmend emrat, se kur e njeh personalisht diken është shumë ma vështirë’. Kom shkuar n’Mitrovicë, edhe ni mjek që e bënë obduksionin, ka thonë… domethanë kudo njerëzt kanë kry edhe ni detyrë humane. Ai i ka marrë t’dhanat edhe i ka tregu ni… dikujt, thotë, i ka shënu‘, edhe thotë, ‘Kapllan Ahmetaj është i vrarë dhe është mirë ta dijnë familja’. Për shembull, ma mirë qi e kom kuptuar atëherë sesa t’mendoj se është i zhdukur, t’jetosh me ankth tërë jetën. Është edhe ma vështirë.

Dhe mu ai, jam takuar më ka treguar, ni plumb e ka pasur këtu, ni këtu {tregon me dorë ballin dhe gjurin}, dhe ka vdekur në vend. Kufomën nuk na e kanë dhënë. Sot e atë ditë ne nuk kemi arritur ta bëjmë rivarrimin, është përtej urës t’Ibrit. Edhe ai është preng i statusit t’Kosovës, domethënë edhe kufoma e tij (qanë). Sepse unë nuk kam dashur t’shkoj ta marr n’mënyrë ilegale. Pse t’i rrezikoj njerëzit tjerë, domethanë derisa t’rregullohet. Përafërsisht e dijmë ku është i varrosur.

Myrvete Hoxha Limani

Veterane e Arsimit

Atëhere krejt gratë e Gjakovës kanë qenë t’mbylluna me çarshaf, jo vetëm t’Gjakovës, po krejt Kosovës. T’reja, t’vjetra, tona t’mbylluna me çarshafa, e keni pa me çarshafa qysh duken. Edhe tash ishte aksioni n’Gjakovë me e hekë çarshafin. Une sa kom qenë, kom qenë e re more s’e di a i kom pasë dhetë vjet, 12 vjet, po mendoj për çarshaf. Punojsha me gratë, se kanë qenë shoqatat e grave ato gratë ma t’vjetra ma asi. Edhe unë punojsha me ta. Kishim aksion me shku n’çdo familje me e bindë që ‘nona jote, motra jote që jonë t’mbylluna duhet me hekë çarshafin’. Edhe ky ka qenë nji aksion i përgjithshëm m’u shplu gratë, ajo ka qenë shumë e vështirë. Tona n’Gjakovë kërkon s’e ki pasë kështu serbez si na që ecim, me çarshaf, keni ni, keni pa çka osht’ çarshafi. Ajo ka qenë detyra primare, me hekë.

[…] I stimulojshim haptaz, ‘Ka ardhë koha me hekë çarshafin! Besim’. Krejt organizatat politiko-shoqërore, secili e ka pasë për detyrë familjen e vet. Edhe nona jeme ka qenë me çarshaf, e që osht’, barëm ato e maj n’mend mirë. Kur erdh koha me hekë çarshafin se u organizojshin tubime sikur tash që dalin qitu te… n’shesh. Tona gratë, ekzistojnë fotografitë e sene, me e hekë çarshafin, dikush e hekë me nervozitet, dikush e hekë kadale. Nonës teme i vijke marre, thojke, ‘Qysh une jom plakë, me hekë çarshafin?’ Kanë pasë për detyrë me dalë n’shesh, po ekzistojnë fotografitë, fotografi t’gjalla, e hekshin ato, e u shplojshin. Ato që ishin t’reja u vesh’shin me kostime t’reja, me pallta, me mantilla, i rregullojshin flokët te berberët, te frizerët dhe dilke. Na mas tyne shkojshim, iu bojshim shoqni, që ishim na t’rijë. Vajzat e reja jonë mbyllë, vajzat e reja si u bojke pak vajzë e zhvillume, ato u duhke me izolu. Jo sikur tashti, gjithçka sllobodë [shlirshëm].

Shukrije Gashi

Aktiviste

M’kujtohet nji rast kur erdhi një burrë që të kërkonte ndihmën e saj për t’shkuar jashtë shtëpisë diku tjetër me qëllim që t’ndërmjetësonte ndonjë situatë, domethanë, ndonji ngatërresë, dhe unë kërkova që t’shkoj me të. ‘Nuk di’ tha, ‘Pse nuk je si moshatarët e tu tjerë? Pse s’interesohesh për lojnat e msimet, po insiston gjithmonë vjen futesh mrapa shpinës?’ Ashtu veproja {tregon me dorë pas shpinës}. Thash, ‘Po gjyshe s’e kom ndërmen kurgjo me bo, veç po rri qaty, as s’kom me çelë gojën, s’kom me folë hiç, veç m’le t’shoh çka po thojnë këta burrat. Pse po vijnë këta burra dhe po dojnë me folë me ty, po kanë dëshirë me folë me ty’. ‘Po nuk osht’ për fmi! Pse s’e kupton që nuk osht’ kjo punë për fmi’. Thash, ‘E di që s’sosht’ për fmi, por po m’bon përshtypje se… unë kom nejtë me shoqe tjera, me gjyshe t’shoqeve, unë s’i kom pa që burrat… ato kurrë s’përmenin që burrat vijnë edhe e pyesin një gru – Qysh duhet me ia ba kësaj pune?’. ‘Eh toka t’lshoftë, hajt!’ (buzëqeshë).