Hulumtimi mbi Kosovën përmes artistëve kreativ të saj, synon të përmbledhë tregimet e jetës së personaliteteve të ndryshme nga fusha e letërsisë, artit pamor, kinemasë dhe teatrit. Dëshmitë nxerrin në pah diferencimet dhe pikëtakimet gjuhësore, duke dhënë një pasqyrim unik mbi luftën e gjeneratave të ndryshme të artistëve, të cilëve u është dashur të ballafaqohen në mënyrë që të dalin në skenën publike.

Adem Mikullovci

Aktor

Nuk e di, nuk e di, kur e kreva maturën u bo debat i madh në famillje çka të studioj dhe vishin propozime të shumta. Prej, çka di une, fizikë, matematikë, e astronomi, e gjuhë e… gjeografi e s’di çka. Im at thonte, ‘Avokat, avokat le t’bohet thiu se i blun goja si gjakalla e mullinit edhe dynjenë ka me bo kahre’. Ndërsa nana ime e ndjerë thonte, ‘Doktor, doktor. Është hall ligë e ndoshta ia gjenë ilaqin vetit’. Bile, bile, e kom kto të sigurtë, pastrusi, lustruesi i këpucëve që ishte në mahallë tonë edhe ai u përzi në këtë muhabet çka me studiu une. [Ai tha] ‘Profesor, profesor bonu edhe je zotni për jetë’.

Sokol Beqiri

Artist

Kom chillit dhjetë vjet qetu n’kafiq. I kom ndërru disa gjenerata. Tash Era e këta jonë gjenerata ma e re. M’kanë kalu disa nëpër… kurgjo, kom shëtitë, kom bo… E kanë vetë njihere, dy ksi [storie] me t’i tregu. Njihere çika e madhe, kur u konë krejt e vogël, Toska, edhe baba jem e veti ‘Çka e ki babën?’ Edhe ajo kqyrke çka e kom babën. ‘Çka t’punon baba?’ Tash ky po don m’i ndihmu, a din, m’i thonë piktor, edhe po ja bon ‘Pi – pi – pi…’ Ajo tha, ‘Pijanec!’ (qeshin) E dyta, e kjo tash po t’kallzoj çka i ka thonë e dyta mësusës, e qato kom bo këto dhjetë vjet tjera. Kur e ka vetë mësusja, ‘Çka t’punon baba?’ Kjo i ka thonë, ‘Bon qejf’ (qeshin).

Melihate (Meli) Qena

Aktore

Në atë kohë skena e mbramjes… Begolli e përgadiste ‘Jom talent se jo mahi’ edhe vazhdimisht mirrej me, me problemet e shoqërisë, me njëfarë mënyre cinike folke për krejtë përditshmërinë tonë. Dhe ka pasë jashtëzakonisht shumë shikues. Në teatrin e kukullave ne përpiqeshim me organizu krejt çka i mungonte jetës shkollore, koncerte, maskenball. Jem përpjekë diqysh me mbulu atë zbrazëti që ka ekzistu nëpër shkolla. Kështu që atë kohë teatri nuk ka qenë vetëm teatër. Teatri ka qenë edhe çerdhe, edhe argëtim, edhe mësim, edhe krejt. Dhe unë uroj t’kem pasë sukses n’atë punë.

Megjithatë s’e kemi lanë m’i kaplu njerëzit ajo zymtësi që ka ekzistu gjithka, n’rrugë, n’shpi. Pak këtu ka qenë njifarë oaze ku kanë mujtë me ndje vetën ma t’lirë, pak ma, me pa nji botë tjetër, me jetu pak n’atë përrallën, atë iluzion ndoshta. Sa do pak ka qenë nji freski për, për ata njerëz.

Zeqirja Ballata

Kompozitor

…duke qenë në Maribor edhe në Slloveni edhe në shoqatë kom lëvizë, kom lëvizë domethanë pa ndonji, domethanë pa kerr, domethanë pa ndonji kursim, se nuk ishin, domethanë ishin mundësitë, s’ishte nevoja me kursy. Me lëvizë edhe në festivale […] Se  ka shumë festivale, shumë aktivitete në Lublanë, domethanë janë tu u përpjekë që edhe në qendrat e tjera, po… Bukur disa vite, kështu që kam qenë gjithnji i pranishëm edhe kur s’kom pasë ndonji kompozim, po kom qenë, i kom përcjellë.

Ajo, ajo ka qenë gjithashtu nji rifreskim, nji intensitet i ngritur n’krahasim me, me, siç ishin kushtet ktu atëhere. Prandaj edhe frymëzimi ka qenë më i madh. Po, sikur edhe frymëzimi, pikërisht ai ma interni që zakonisht thuhet se krijimtaria bohet në vetmi. Domethanë, se ka diçka t’vërtetë aty. Domethanë n’qetësi, n’vetmi”

Elizabeth Gowing

Shkrimtare

Pra, quhet ‘Udhëtime në gjak e mjaltë. Të bëhesh bletar në Kosovë’. Ky [libër] tregon historinë prej kur unë kam ardhur në Kosovë për herë të parë në vitin 2006 deri më 2008 kur jemi larguar nga Kosova, kapitulli i fundit flet për kohën kur jemi larguar nga Kosova. Kur kemi menduar, e dini, Robi kishte një punë në Angli dhe mendonim se kohës sonë në Kosovë po i vinte fundi. Shumë pak kemi ditur (qeshë) se ai ishte vetëm fillimi. Por… ky libër jep një ndjesi krejt tjetër sipas mendimit tim sepse flet për atë se si është të bëhesh bletare por gjithashtu rreth të mësuarit e jo vetëm bletarisë. Por, për të mësuarit e historisë dhe traditave e ushqimeve të Kosovës. E dini, në libër ka receta për ushqimet që mund të gatuhen me mjaltë.

Është një libër shumë i ëmbël dhe lirik. Mendoj se disi flet shumë për peizazhin, periferitë, fshatrat dhe disi është një tregim dashurie për mua, e dini, rënie në dashuri me Kosovën. Dhe, po, e dini, e dua atë libër sepse me të vërtetë flet për atë, udhëtimin. Por, më kujtohet se kishte një recension që thoshte se ishte shumë jokritik ndaj Kosovës dhe mendoj se kjo është e vërtetë, po mendoj, nuk kam dashur të jem kritike por gjithashtu nuk kisha hyrë shumë thellë, nuk kisha takuar ende komunitetin në Fushë Kosovë në mënyrë që të shihja disa nga problemet dhe frustrimet. Kështu që, po, është një tregim dashurie, kur dashurohesh në dikë, nuk je kritike (qeshë).

Rafet Rudi

Kompozitor dhe Dirigjent

… nuk është çështja Parisi apo ai kontakt tepër pse unë kom ndëgju vetëm orkestra t’mira, apo vetëm artistë t’mirë, vetëm ngjarje të mdhaja, por nga ajo pozitë njeriu e vështron shumë ma mirë rrjedhën këtu [në Kosovë]. Unë kom fillu domethënë ta kuptoj ma, ma qartë, t’i shof vlerat e muzikës shqipe, shqiptare, ato vlera që i ke, ato vlerë që i ke, a po? Domethënë, kur je pak ma larg ajo distancë t’them edhe fizike a po, por sidomos kulturore e ambientit a po, e shef ma mirë ambientin të cilën ti do t’i kthehesh a po.

Është ambient i yti inicial, a po? Dhe unë e kom pa shumë ma mirë dhe nuk është e parandsishme ajo se zhvillimi apo përcjellja e të them standardeve që ekzistojnë në nji qendër kulturore. S’pari njiherë hetimi, kuptimi, përjetimi i atyre standardeve, ajo është, ajo t’bon mirë që pastaj ti në një ambient të pazhvillum qysh kemi qenë, t’i plasosh dhe t’mundohesh t’i ruash ato standarde. Ato nuk, ato standarde nuk i shef në qoftëse shkon njiherë në Paris, për shembull a po? E shef ni koncert edhe kthehesh, edhe kshtu duhët me bo. Jo, kur e… atëherë kur e përjeton ritmin e nji qendre t’madhe.

Sevime Gjinali

Muzikologe/ Kompozitore

Baba im…. Po shifni, në atë kohë nuk ka pasë shkrime, regjistrime të muzikës, as fletore me pentagram me nota. Ai ka qenë vetë rapsod, vetë meniherë tekstin edhe muzikën e ka bo. Por, ato s’i ka shënu kërkush, s’ka pasë mundësi atëhere m’u inçizu.[…] Dhe ai ka vendosë për këtë shkollimin tim, që une t’bahem muziciente, të shkoj në muzikë… se në atë kohë nuk ka pasë, ka qenë dishka jo e zakonshme që t’shkon femna në shkollën e muzikës me violinë. Na gjujshin fëmitë në rrugë më gurë kur t’na shifshin, se me violinë po shkoj në shkollë t’muzikës…. Si femën ka qenë pak jo e zakonshme.

Agim Vinca

Profesor në Univerzitetin e Prishtinës

Im vëlla që ishte kujdestar klase, i thotë kolegut të vet, […] ‘Jepu disa probleme [matematikore] gjatë verës të ushtrojnë,’ dhe ai na dha disa fletë të shtypura në makinë. Dhe unë edhe shoku im i klasës […] që e kemi kry tetëvjeçaren bashkë, Xhelali, gjithë verës kemi ushtruar në bahçe, i themi ne, në kopsht nën hijën e mollës. Ai ishte pak më i mirë se unë,  gjithë verën e gjatë, korrik, gusht deri në shtator, matematikë i ndanim herë veç ai, veç unë, pastaj a e kemi mire? Mirë, njëherë, e dy herë, e tri herë po ushtronim. Ushtronim edhe mendonim tash, po mirë, mirë e dhamë provimin, po në qoftë se s’e japim ç’të bëjmë? Po të ngelje në klasë atëherë ishte koritje e madhe, s’kishe fytyrë të dilje në katund as kurrkund.

Edhe ne me mendjen tonë të atëhershme fëmijnore patëm marrë një vendim […] në qoftë se ngelim në klasë, nën një, ishte ta vrasim vetën, po të bëjmë vetëvrasje; nën dy, ishte ta vrasim profesorin me thikë se armë nuk kishim, thikë mund të gjenim, s’kishim as thikë, por mund të gjenim, mendja jone, tre opsione i kishim; dhe nën tre, kjo ishte pak më e lehtë, të iknim në Shqipëri. Vendlindja ime Veleshta, […] e ka dymbëdhjetë kilometra Struga. […] Hypnim në anije në Strugë, liman, udhëtonim dy-tre orë, ishte udhëtim shumë i bukur  […] Edhe shkonim në Shën Naum. […] Luanim, këndonim, shokë, shoqe kështu, dhe aty ishte afër kufiri […]  Ne nuk lejohej të afroheshim aty, por e sodisnim nga larg dhe mendonim tashi në qoftë se s’do ta jepnim  provimin nga matematika, ishin tre opsione: vetëvrasja, vrasje edhe ikje. Mendonim që atje mund ta realizojmë ikjen në Shqipëri, sepse për brezin tim dhe për brezin para meje Shqipëria ishte njëfarë parajse dhe të gjithë të rinjtë e asaj moshe ëndërronin të iknin në Shqipëri, po të gjithë.

Murat Bejta

Veteran i Arsimit

[Tiranë, 1979] Ai përcjellësi apo shoqëruesi që ishte me mua, paraqitej pra si profesor i gjuhës shqipe. Por unë duke biseduar në rrethana të ndryshme fitova bindjen se ai nuk ishte profesor i gjuhës shqipe. […] Duke ngrënë mëngjes nji ditë, thashë se ky nuk osht’ profesor i gjuhës shqipe, nuk osht’. ‘Qysh p’e din Murat?’ ‘Po e di se duke biseduar me të, ai ka shprehur disa fjalë, disa mendime, disa botëkuptime që nuk përputhen me fjalën e tij se osht’ profesor i gjuhës shqipe’.

[…] Ah, po, m’kishte thanë se ishte jo i shqipës, por profesor i kimisë, jo i shqipës, por profesor i kimisë. ‘Më keni thanë se jeni profesor i kimisë, prandaj më lejoni t’iu bëj një pytje. A mund të bëj pytjen, ju lutem?’ ‘Po, po’.  ‘Edhe gjatë mësimit në shkollën e mesme, por edhe më tej në jetën time gjerë më sot, kom dëgjuar se karboni osht’ dy valent dhe sot e kësaj dite, nuk e di çka do të thotë dy valent, dhe pse dy valent?’ ‘Le profesor ato, le…’ Kanë plasur të gjithë në gaz kolegët (qeshë), edhe u bindën që çka ju thashë.

Zijadin (Ziko) Vardar

Projeksionist

Kur fillova me punu në 1954, ata kqyrshin filma të kaubojëve. Ato kanë qenë të popullarizume, filmat e kaubojëve, e ndërkohë filluan filmat indian [amerikanët aborigjin], në vitet e ‘60-ta filluan filmat Indian. E mandej filloi populli me ardhë në kinema. Mandej ka pasë filma serik që kanë ardhë, kaubojë italianë. Kanë zgjatë 45 minuta, po u mbushke salla, 11 serija në 45 minuta. Ka pasë përfitim prej tyne, edhe prej filmave të kaubojëve. Ma së shumti kur lujke John Wayne, Tony Curtis edhe njo tjetër i famshëm, kur lujshin ata u mbushke salla, shumë u bojke tollovi. Mandej fillun filmat romantik, e aty vijshin ma të shkollumit. E kto filmat me kauboja gjithë i kqyrshin të rinjtë, eh ‘bam bum, bam bum’ mandej fitojshin gangsterët edhe kta apllaudojshin.