Pjesa e Parë
Enver Baki: Unë jam Enver Baki, një nga intelektualët e parë të Kosovës, respektivisht të Prishtinës. Në përgjithësi më duket sikur jeta ime ka filluar me kulturë dhe do të përfundojë me të.
Ebru Süleyman: A mund të na flisni për kujtimet më të hershme që i mbani në mend?
Enver Baki: Natyrisht, natyrisht, do t’i tregoj edhe ato. Babai im, Sadiku u lind më 1898 në Prishtinë, nëna e cila është 15 vjet më e re se babai, një grua e re nga familja Seyh[1], u martua me babain tim. Familja e babait është në përgjithësi një nga familjet më të pasura të Prishtinës. Në bazë të asaj që më ka treguar ai, përgjatë epokës së Osmanëve, kjo familje ka pasur rreth nëntë fusha, shtatë vreshta dhe tri shtëpi. Kjo do të thotë se, bazuar në atë që më ka treguar babai, familja Baki ka qenë familje e madhe. Krejt shumë mirë, por sipas tij, përgjatë epokës Osmane, familja Baki ka tentuar të emigrojë në Turqi dy herë. Herën e parë në vitin 1921 dhe herën e dytë në vitin 1939. Për këtë arsye, kanë shitur gjithë pasurinë dhe pronat një nga një dhe kanë përfunduar në varfëri. Herën e dytë që u përballën me situatë të ngjashme, vëllezërit nuk arritën të dakordohen dhe nuk mundën të emigrojnë për në Turqi, kështu që qëndruan në Prishtinë. Sidoqoftë, ata nuk patën mundësi t’i blejnë prapë pronat e tyre të shitura dhe eventualisht përfunduan në varfëri, siç iu tregova. Në vitin 1947, domethënë menjëherë pas luftës në Kosovë, babai im u llogarit si një nga të pensionuarit e parë. Ndërkohë që unë jam i lindur më 1943. Para meje, babai dhe nëna ime kishin Kejseren, Fikrijen, Fitneten dhe motrën time më të vogël, Igballen. Ndër to, unë jam rritur dhe kam jetuar si mashkulli i vetëm në familje.
Sipas nënës sime, familja e saj, pra familja Seyh nuk iste prej familjeve më të pasura, por i kishin punët mirë gjithashtu. Tregimi i nënës time është kështu, teçja e cila është afër shkollës së mesme në Prishtinë, është teçja e saj. Në fakt, dy motra së bashku me kushërirën e tyre [vajzën e axhës] janë kujdesur për teçenë në atë kohë. Fatkeqësisht, duke qenë se nuk ka pasur trashëgimtar mashkull për të vazhduar kujdesin për të, ato u desh t’ia bartin teçenë vakufit[2]. Kështu, sipas nënës time, tezja ime Zyrafja, nëna Mejremja së bashku me kushërirën e tyre zonjushën Ismete, u kujdesën për teçenë për kohë të gjatë, për mirëmbatjen e saj. Rrjedhimisht, teçeja kishte shumë vizitorë.
Në anën tjetër, kur flasim për kujtimet, do të doja të thoja shumë gjëra për Prishtinën. Fatkeqësisht ato karakteristika, karakteristikat e Prishtinës mungojnë sot. Prej asaj që kujtoj nga fëmijëria ime, në vend të taksive të ditëve të sotme, atëherë Prishtina kishte pajtonë në qytet. Gjithashtu fqinjtë krijonin shoqëri dhe marrëdhënie të afërta në mënyrë shumë të mirë, përmes kapixhikut. Siç e dini, të gjitha familjet e vjetra në Prishtinë kishin kopshte përpos shtëpive të tyre, kopshte shumë të pasura në të cilat ata mblidhnin fruta dhe perime nga pemët të cilat i kishin mbjellur. Pra, në katër anët, kopshti i cili ka katër anë kishte nga një kapixhik në secilën anë. Kapixhikët kanë një vlerë të veçantë simbolike për mua. Sipas meje, ata ishin një përbërës që fuqizonte shoqëritë. Ishin vendtakime për të dashuruarit, sipas meje, për arsye se shumë njerëz, falë kapixhikut, burra dhe gra që ishin fqinjë, u dashuruan dhe u martuan. Mendoj se këto karakteristika mungojnë ditëve të sotme. Për më tepër, njerëzit, fqinjtë në ndërtesa kolektive me gjashtë, shtatë, dhjetë kate, fatkeqësisht as që e njohin njëri-tjetrin. Mendoj se kjo nënkupton se shoqëritë e vjetra dhe lidhjet e ngushta janë vënë në hije.
Kur flasim për pajtonët, ata që shërbenin si taksi në Prishtinë nuk ishin të shumtë në numër. Pesë ose gjashtë prej tyre me siguri qëndronin në hapësirë të hapur përpara teatrit, përpara teatrit të sotëm, ata renditeshin njëri pas tjetrit dhe prisnin klientët. Përpos pajtonëve, njerëzit udhëtonin edhe me karroca. Këto kryesisht udhëtonin për në Gërmi, që ishte katër ose pesë kilometra larg Prishtinës, në parkun e Taukbahçes i cili ishte dy kilometra e gjysëm larg Prishtinës dhe gjatë bajramit, shumë shpesh shkonin në tyrben e Sulltan Muratit. Shumë familje, familjet e pasura, shkonin në këto vende me pajton ose me karrocë. Dy-tri familje bëheshin bashkë për të shkuar në Gërmi, Taukbahçe apo në tyrben e Sulltan Muratit, ata merrnin drekën me vete ose hanin darkë në këto vende të gjithë së bashku. Prandaj, vetëm desha t’i përmend disa prej këtyre elementeve tipike që më kujtohen, nuk e di nëse iu pëlqen apo jo…
Ebru Süleyman: Axha Enver, ju thatë, më treguat pak për qytetin, si pajtonët vendoseshin në hapësirën para teatrit të sotëm, duket se qyteti ka ndryshuar shumë prej atëherë? Në qytetin e vjetër, këtu, drejt xhamive… cilat vende kanë ndryshuar?
Enver Baki: Kur flasim për qytetin, në bazë të asaj që më kujtohet, Prishtina në përgjithësi kishte 14 xhami. Përndryshe, përpara Xhamisë së Çarshisë ishte një lagje e gjerë e cila kishte një vend që quhej lagjja e zejtarëve. Jorganxhinjtë, rrobaqepësit, berberët kishin dyqanet e tyre në shërbim të njerëzve. Por gjithashtu, në qendër të atij sheshi kishte një shadërvan, një prej shadërvanëve më të bukur në Prishtinë, sepse nuk kishte shumë, ishin rreth dy-tre të tillë, por ai në mes të atij sheshi ishte më i vlefshmi, me ujë të ftohtë që rridhte në çdo kohë. Kur flasim për shkollat…
Ebru Süleyman: Kur keni qenë i ri, ku shkonit me shokët tuaj në qytet, ku dilnit?
Enver Baki: Rinia e Prishtinës në përgjithësi, natyrisht, Prishtina kishte vetëm një teatër dhe një kinema. Përpos kinemasë dhe teatrit, ishin parqet e Gërmisë dhe Taukbahçes për të cilët iu tregova. Njerëzit mblidheshin atje, këndonin, luanin dhe vallëzonin.
Ebru Süleyman: Po në dimër?
Enver Baki: Gjatë dimrit, njerëzit e Prishtinës kryesisht rrinin në shtëpi dhe luanin me filxhana, lojën tura, kështu i kalonin netët e dimrit. Ne fëmijët, do t’iu tregoj pak për jetën time, babai im dinte më shumë se njëqind përralla, nëna ime dinte po aq apo më shumë këngë dhe këngë folklorike, njëlloj motrat e mia këndonin mani [poezi folklorike] dhe na tregonin kashelashe gjithë kohës, motrat e mia më të mëdha. Kur shkonim për të fjetur, babai na mblidhte të gjithëve, mua dhe katër motrat e mia së bashku dhe na tregonte një përrallë, nëna merrte një tabak dhe na këndonte një këngë folklorike, sepse natyrisht që nuk kishim tarabuk apo def në shtëpi, pra ishte kështu. Njëra prej motrave mbante ritmin me lugë të drurit, ritmin muzikor. Në një mënyrë, kështu dukeshin të gjitha netët e dimrit, në anën tjetër, përndryshe, përrallat që na i tregonte babai, këngët e nënës dhe poemat e kashelashet të cilat na i tregonin shpesh motrat e mia, mendoj se të gjitha këto janë perla të letërsisë folklorike. I ndikuar nga këto perla, unë jam dashuruar me letërsinë folklorike turke dhe kam filluar të shkruaj poezi që nga shkolla fillore.
Më duhet gjithashtu të tregoj, ta përmend se viti 1951 ishte një momentum, një vit historik për turqit e Kosovës sepse në vitin 1951, turqit që jetonin në Kosovë fituan njohje edhe në sytë tanë edhe në sytë e publikut. Kjo domethënë se me 20 mars, 1951, bazuar në vendimin e Komitetit Krahinor të Kosovës, turqit që jetonin në Kosovë fituan të drejtat e tyre, pra në këtë vit, në vitet që pasuan… sepse e dini se në Mbretërinë Jugosllave, përpos medreseve nuk kishte shkolla të tjera ose shkolla fillore në gjuhën turke por pas vitit 1951, shkolla fillore dhe shoqata u formuan në qytete dhe fshatra të Kosovës ku jetonin turqit.
Ebru Süleyman: Në cilin vit keni filluar shkollimin?
Enver Baki: Më 1951, siç iu tregova.
Ebru Süleyman: Pra, më 1951 jeni regjistruar në shkollë?
Enver Baki: Shkollat janë hapur në vitin 1951, më 19… në të njëjtin vit në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Mamushë. Siç thamë, ishin dy fshatra, i pari Mamusha dhe i dyti Dobërçan, atje janë shkollat e para që janë hapur në gjuhën tonë, turqisht. Në ato vite, shkollat ishin të mbushura me nxënës, drejtorët e shkollave nuk kishin as mundësi të gjenin karrige për nxënësit, aq shumë që ishin, por…
Ebru Süleyman: Pra ju keni shkuar në klasë të parë në të njëjtin vit kur janë hapur shkollat në gjuhën turke?
Enver Baki: Atë vit kam filluar klasën e parë, jo në fakt… parashkollor, kam shkuar në parashkollor në gjuhën shqipe sepse nuk kishte shkollë në turqisht, sidoqoftë, në vitin 1951 jam transferuar nga shqipja në klasë turke. Për mua, aty ka nisur një jetë e re.
Ebru Süleyman: A të kujtohet klasa, mësuesit…
Enver Baki: Nuk kemi pasur shumë mësues, për të qenë i sinqertë, disa mësues ligjëronin dy, tri lëndë por me kohë, me rritjen e interesit për mësues dhe arsim, fëmijët tanë, rinia jonë filloi të diplomohej nga Shkollat e Larta Pedagogjike dhe poashtu kurse të gjuhës. Falë Syreja Jusufit, në Shkup filloi trajnimi i mësuesve. Atje janë trajnuar mësuesit tanë, por në vitet e para, mësuesit zgjidheshin ndër intelektualët e kohës. Pas përfundimit të trajnimit, duke filluar nga Prishtina deri në Dobërçan, mësuesit përcaktoheshin në mënyrë të organizuar për secilën shkollë në këto vende. Në trajnime nuk mësohej vetëm gjuha turke por gjithashtu matematika, fizika dhe poashtu trajnoheshin mësues për orët e muzikës.
Në këtë mënyrë, për një kohë të shkurtër u trajnuan një plejadë mësuesish, por jo vetëm arsimi, natyrisht që arsimi është shtylla e një komuniteti, por përpos asaj, formimi i shoqatave, rimëkëmbja e kulturës së një populli dhe mirëmbajtja e saj është poashtu e rëndësishme sipas mendimit tim. Shoqatat tona në atë kohë nuk ishin të rëndësishme vetëm për ruajtjen e këngëve tona, këngëve folklorike, valleve dhe traditave, por gjithashtu për zhvillimin e punës letrare. Sepse siç e dijmë, shoqatat kishin seksione të letërsisë që vazhdimisht punonin me folklor, grupin e korit, degën e valleve dhe degën e letërsisë. Kur janë formuar shoqatat e para, ato kanë krijuar një valë rimëkëmbje dhe njerëzit i mbanin traditat e tyre dhe më vonë këto shoqata botonin edhe revista. Sidoqoftë, në vitin 1969, me vendim të Unionit Socialist të Kosovës, Unioni Socialist i asaj kohe, u dakordua që në Prishtinë të fillojë operimin edhe një gazetë në gjuhën turke. Gazeta Tan[3] erdhi në ekzistencë më 1 maj, 1969.
Ebru Süleyman: Mirë, axha Enver, do të doja t’iu pyes diçka. Në shkolla, në këto shoqata, në degët e tyre të letërsisë dhe më vonë në revista si dhe në gazetën Tan, a është shkruajtur në turqishte të ngjashme me atë të Turqisë, apo njerëzit shkruanin ndonjëherë edhe në turqishten tonë, apo është kryesisht turqishtja e Turqisë?
Enver Baki: Shiko, sipas mendimit tim nuk ekzistojnë gjuha e Turqisë, gjuha e Kosovës, gjuha e Maqedonisë, gjuha e Azerbejxhanit, por ekzistojnë dialekte. Secili popull ka dialekte dhe kështu natyrisht që gjuha në Turqi është gjuha jonë fundamentale e përdorur në territoret ku flitet turqishtja, por edhe dialektet që përdoren në mbarë botën janë njohur. Kështu, në fillim të gjithë kemi tentuar të përdorim gjuhën letrare të Turqisë, ka qenë një gjë e qëllimshme, por siç e dini, janë edhe dy gjuhë që e ngulfasin turqishten: persishtja dhe arabishtja. Në vitin 1928… në vitin ‘23 kur Ataturku erdhi në fuqi, u formua Shoqëria e Gjuhës Turke. Sipas kësaj shoqërie, gjuha turke që përdorej në Turqi dhe vende të tjera duhej pastruar nga fjalët e huaja. Pra, kishte një përpjekje për të lënë anash fjalët nga persishtja dhe arabishtja dhe për të përdorur fjalë origjinale turke. Nurullah Ataç kishte arritur sukses të dukshëm në kuptimin e largimit të fjalëve të huaja dhe rimëkëmbjes së gjuhës tonë. Natyrisht, ende sot e kësaj dite ekziston një ndikim i pamohueshëm i arabishtes dhe persishtes dhe shumë fjalë të cilave nuk mund t’iu gjendej ekuivalentja në turqishten origjinale përdoren ende nga këto gjuhë.
Ebru Süleyman: Ku ka vazhduar të ekzistojë turqishtja jonë, apo dialekti që e përdorim këtu, në folklor, përralla?
Enver Baki: Dialektet përgjithësisht krijohen përmes komuniteteve pa marrë parasysh nivelin e tyre të arsimimit, dialektet formulohen vetëvetiu dhe kryesisht me ndikime nga gjuhët tjera përreth. Për shembull, ekziston edhe dialekti i Prishtinës, ai i Prizrenit dhe ai i Mitrovicës. Kur i shihni ato, mund t’i vëreni dallimet, por në esencë ajo është turqishte. Për shembull, njerëzit e Mitrovicës thonë, “Cürdünmi?” [A e pe?], ndërkohë që ata të Prishtinës thonë, “Coldunuzmi, cittınızmi?” [A erdhe, a shkove?] Këto dallime dalin nga karakteristikat e dialekteve të ndryshme.
Tani, sa i përket shoqërive ose shoqatave, duhet thënë se ato kishin rol të rëndësishëm në zhvillimin kulturor të komunitetit turk në Kosovë sepse përveç degës së valleve folklorike, pjesëmarrësit e grupit të muzikës kanë marrë pjesë edhe në ngjarje të mëdha në Turqi, për të përfaqësuar kulturën e tyre. Njerëzit si Alush Nush, Bashkim Çabrat, Sevim Baku dhe shumë të tjerë janë kontribues të rëndësishëm në shoqatat tona. Si degë shtesë, seksionet e letërsisë janë gjithashtu të rëndësishme në këto shoqata jo vetëm se ia kanë mësuar turqishten rinisë, por edhe sepse kanë gdhendur tek fëmijët shprehinë e shkrimit dhe leximit të poezive. Duhet thënë gjithashtu se Peja, ku meqë ra fjala nuk ekziston shoqatë për arsye të çështjeve të emigrimit siç e dini që ka ndodhur nga viti ‘51 deri në vitin ‘56 dhe që nuk i ka përfshirë vetëm turqit por edhe shqiptarët e boshnjakët të cilët kanë emigruar për në Turqi nga Kosova në mënyrë masive.
Ebru Süleyman: A iu kujtohet? A keni parë njerëz duke u larguar së bashku?
Enver Baki: E kam një fotografi, do t’ua tregoj… Prishtina… kjo është fotografia në stacionin e trenit në Prishtinë, mijëra njerëz bashkoheshin për t’i përshëndetur të dashurit dhe të afërmit e tyre që largoheshin për në Turqi. Nuk ishte vetëm një ditë në javë, kjo ka zgjatur shumë, çdo ditë njerëzit mbushnin vagonat e trenit për të emigruar për në Turqi. Nga një perspektivë, mund të them se kjo na ka varfëruar. Nëse do të kishim më shumë njerëz në komunitet, do të kishim më shumë doktorë, inxhinierë, kujdestarë, mësues dhe intelektualë këtu. Fatkeqësisht, çështja e migrimit ka qenë shkaktar që këta numra potencialisht të lartë të zvogëlohën çdo herë e më shumë.
Ebru Süleyman: Axha Enver, a iu kujtohet cila ka qenë arsyeja kryesore e ikjes së njerëzve? Për shembull, a e dini, edhe njerëzit që qëndruan, pse kanë qëndruar?
Enver Baki: Tani, në disa prej familjeve, motrat dhe vëllezërit nuk mund të dakordoheshin për të ikur. Njoh disa njerëz ku njëri nga vëllezërit dëshironte të emigrojë në Turqi ndërsa tjetri nuk donte të shkone sepse t’i lësh të afërmit dhe të jesh vetëm është gjë e dhimbshme. Disa njerëz, sipas asaj që kam dëgjuar nga më të moshuarit, kanë shkuar në Turqi për arsye fetare, sepse ishin shumë fetarë. Sidoqoftë, si në çdo vend në Ballkan, ka mijëra xhami të mbetura nga epoka e Osmanëve ku shumë lehtë do të mund ta mbanim fenë tonë, sidomos nëse do të kishim numra më të mëdhenj ndoshta do të kishte edhe më shumë xhami, por emigrimi ka shkaktuar lëvizje dhe ndryshime masive. Tani, le të zhvendosemi në jetën tonë këtu sepse, njerëzit të cilët kanë emigruar janë në Turqi, i cili është atdhe për mua. Muslimanët, turqit kanë emigruar në Turqi në kohërat më të vështira për ta dhe Turqia i ka hapur dyert kështu që në një mënyrë valët e emigrimit pas të 1920-tave, në vitet ‘22, ‘28, ‘34, ‘56, në të gjitha këto vite kishte emigrim masiv, jo vetëm nga Kosova, por turqit largoheshin nga të gjitha vendet e Ballkanit.
Ebru Süleyman: Dhe pasi të gjitha këto përfunduan, le të themi pas vitit ‘56 dhe të ‘60-tave e ‘70-tave kur këtu u vendos regjimi jugosllav, çfarë jete keni pasur?
Enver Baki: Por njerëzit që qëndruan, falë shoqërive të formuara nga këto shoqata, shkollat dhe xhamitë tona kishin mundësi të tregojnë prezencën e tyre këtu dhe ato kanë punuar shumë për të përforcuar ekzistencën e tyre këtu. Në këto 70 vjet jetë, kurrë nuk kam parë as kam dëgjuar për dikë që ka vdekur nga uria, as sa i përket atyre që janë larguar e as këtyre që kanë qëndruar këtu.
Ebru Süleyman: Po, por po pyes si ka qenë jeta këtu për ju, si ka ndryshuar jeta në punë dhe ajo shoqërore?
Enver Baki: Epo tani, secili shtet dhe territor ka karakteristikat e veta. Unë mendoj se njeriu është si bari, ku ka ujë dhe diell atëherë këto janë kushte të kënaqshme për jetesë. Njeriu është ashtu, nganjëherë pi qumësht nganjëherë nuk pi për arsye se detyrohet nga rrethanat. Tani, ne jemi me fat që kemi shkolla, shoqata dhe xhami sidomos për ata që janë fetarë. Natyrisht, ne të gjithë jemi muslimanë dhe e respektojmë fenë, shkojmë në xhami rregullisht. Këto kohë jo vetëm të moshuarit por edhe të rinjtë vizitojnë xhamitë.
Do të doja të flisja pak për gazetën “Tan”. Siç e dini, për turqit e Kosovës nuk kishte revista as gazeta deri në vitin 1969. Në vitin 1969, bazuar në vendimin e marrë nga Unioni Socialist i Kosovës, u formua gazeta “Tan” dhe edicioni i saj i parë u botua më 1 maj, 1969. Natyrisht, kjo ndërmarrje fillimisht kishte vetëm dhjetë apo pesëmbëdhjetë të punësuar, por sidoqoftë, më vonë ky numër u rrit në dyzetë, dhe përfshinte gazetarë, foto-reporterë, vozitës dhe redaktorë. Gazeta jonë u publikua rregullisht nga viti ‘69 deri në vitin ‘92. Në tre muajt e parë, ajo botohej çdo pesëmbëdhjetë ditë por më vonë kur u pajis me kuadrin e duhur, filloi të botohej çdo javë. Për më tepër, komuniteti turk, me qëllim të pasurojë jetën e vet kulturore dhe duke vepruar në përputhje me nevojat e tyre, filluan botimin e revistës “Çevren” më 1974.
[1] Şeyh: Etimologjikisht, përdorimi i parë i kësaj fjale (si Sheik) lidhej me udhëheqësit fisnorë të arabëve para-islamik. Në Ballkan, në komunitetin turk, fjala Seyh nënkupton udhëheqësin e fesë Shia, Sufi apo Bektashi.
[2] Vakf: I njohur edhe si vakuf, është institucion i prezantuar nga Perandoria Osmane i cili ishte përgjegjës për mbajtjen e shënimeve të komunitetit musliman të perandorisë dhe i cili në përgjithësi, brenda strukturës së vet përfshinte edhe një medrese. Ditëve të sotme, ky institucion njihet si Bashkësia Islame.
[3] Tan: Bukvalisht do të thotë agim, është gazeta e parë në gjuhën turke në Kosovë. Ajo filloi të botohej më 1 maj, 1969 dhe u mbyll më 1992.