Besa Krajku

Prizren | Date: 1 gusht, 2018 | Duration: 64 minuta

Deri sa kom qenë në kuvend më ka ngelë në kujtim edhe një qind vjetori i Lidhjes së Prizrenit u festu më 10 Qershor 1978. Ka qenë një organizim i hatashëm, i mrekullushëm, asokohe mendoj se kryetar i këshillit organizativ ka qenë doktor profesor Pajazit Nushi, me punë Ministër i Arsimit dhe Kulturës. Kështu që kemi bashkëpunu shumë në atë kohë, se kishim nevojë me bashkëpunu për arsye se u kryshin punimet në objektin e Lidhjes këtu ku ishte. Më kujtohet se në atë objekt banojshin disa skamnorë mandej atyne ju caktun banesa u renovu ai objekt afër Lidhjes [tash muzeu]. Krejt ajo u bo për një qind vjetorin, dhe Agim Çavderbasha i pat’ punu ato punimet e Ymer Prizrenit [dhe Abdyl Frasherit]. M’kujtohet atë natë për herë të parë në Kosovë u interpretu opera shqipe ‘Goca e Kaçanikut’ e kompozitorit profesorit Rauf  Dhomi. Edhe në orën 20:00 në mramje ka fillu ceremonia në qendrën sportive, ka qenë transmetimi direkt në krejt Jugosllavinë prej Sllovenisë deri në Prishtinë, me të vërtetë ka qenë një organizim shumë i mirë, po mandena mas ‘81-shit pak fillun me u zbeh…


Fitore Rexhepi (Intervistuesja), Elmedina Arapi (Kamerë)

Besa Krajku u lind më 18 mars 1952 në Suharekë, fëmijërinë e saj e kujton në qytetin e Pejës, deri në vitin 1958 kur bashkë me familjen e saj u shpërngulën në Prizren, ku vazhdojnë të jetojnë dhe sot. Krajku ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Më 1977 u emërua gjyqtare e Gjykatës Komunale në Prizren. Pas një viti iu ofrua pozita si udhëheqëse e Sekretariatit për Administratën e Përgjithshme, ku punoi për rreth katër vite. Krajku kishte kontribuar me profesionin e saj rreth 43 vite radhazi. Më 17 korrik 1999 u zgjodh prokurore emergjente në prokurori të qarkut deri në vitin 2000 kur edhe u themelua Gjykatat Komunale. Aty, Krajku u emërua kryetare e Gjykatës Komunale të Prizrenit deri në vitin 2010, ku pastaj vazhdoi si prokurore në Gjykatën Themelore në Prishtinë  deri sa u pensionua në mars të vitit 2017. Ajo ende dhe këto ditë vazhdon të japë kontributin e saj si avokate.