Pjesa e Tretë
Kaltrina Krasniqi: Na jemi tu u mundu, përmes rrëfimeve individuale me rikujtu qytetin qysh ka qenë, sepse për 60 vjet sigurisht edhe ju e dini sa shumë ka ndryshu, sa shumë gjana që kanë ekzistu nuk ekzistojnë ma. A mundeni pak me mendu edhe me na dhanë ni paraftyrim çfarë qyteti ky ka qenë, për juve?
Ajtene Pllana: Prishtina?
Kaltrina Krasniqi: Po.
Ajtene Pllana: A e dini si qyteti… qyteti si qytet, në qoftë se e kam krahasu me Shkupin nuk m’ka pëlqy t’drejtën me t’thanë, nuk… Mirëpo, çka më pëlqente kishte shkolla mjaft në gjuhën shqipe. Ishte gjimnazi, Shkupi nuk ka pasë gjimnaz, mezi e hapi Normalen, ishte Normalja, ishte shkolla Ekonomike, ishte shkolla e natës që i thojshin me shku edhe në mramje, ishte Shkolla e Muzikës aty plot me fëmijë tanë, fëmijë shqiptar ajo shumë do t’thotë. E në Shkup vetëm ni Normale kurgjo tjetër, ni klasë vetëm tri vajza. Këtu plot, plot ajo mbante edhe ishte, ishte jo vetëm shpresë po taman e sigurtë se një ditë do kta, këta fëmijë do t’mbrrijnë do t’ketë përparim.
Baba im kur vinte këtu ishte shumë arsimdashës. Edhe vet pse baba shkrunte shumë bukur, fliste shumë bukur, shkrimin shumë t’bukur thoshim, “Babë sa vjet shkollë ke pasë, ke msu?” Thotë, “Veç një vjet”. “Pse veç një vjet ku ke mësu kështu të shprehesh…” nuk na tregonte si dukej vetëm fillorën e kishte kry ose diçka ma tepër po s’tregonte sa shkollë ka pasë. E kur në mëngjes, rrallë herë vinte, rrallë herë vinte, ama kur vinte ndonjëherë dy tre net me ndejt. Po del n’mëngjes kah ora tetë po vinte në shtëpi, mëngjes ma herët po del, “Ku ishte babush?” Thoshte, “A din çka? Po rri para sahatit aty edhe po i shoh ata fëmijë po shkojnë n’shkollë në gjimnaz, krejt shqip po flasin” (qeshë) i bënte përshtypje se në Shkup nuk i ka pa, thojsha, “Aq po t’pëlqejnë?” “Si jo, do fmi t’mirë…” atij i kishin lanë përshtypje para pesëdhjetë e sa vjetesh e tha, “Do fëmi t’mirë po shkojnë n’gjimnaz me çanta n’dorë bukur t’veshun, t’pastërt m’u rrit zemra”, a din, edhe mua më pëlqente.
Ishte teatri, e kemi pasë edhe ne teatrin, por në krahasim me Prishtinën, jo. Këtu jipeshin ashtu gjana të shkrimtarëve të famshëm botëror, kurse te ne diçka… çka hajde ma, ma, ma… se s’kishte artista, nuk kishe artista. Radioja ishte këtu në gjuhën shqipe në Shkup vetëm lajmet edhe ndonjë program muzikor edhe kurgjo tjetër. E prej atëherë dukeshte se… mandej universiteti u hap e të gjitha këto ishte përparim a po? S’ishte me rëndësi. Njerëzit i bajnë edhe rrugët edhe lloqin e hjekin edhe ndërtesa e sende, por duhesh kuadro me kriju, elan kishin për shkollim, për krijimin, për hapjen e shkollave t’nalta se ajo m’pëlqente…
Kaltrina Krasniqi: A shkonit ju në teatër e kinema këtu se n’liber tregon që keni shku n’teatër edhe n’kinema.
Ajtene Pllana: Unë kinemanë e kam dashtë shumë prej fëmijërisë me mujt kisha flejt në… një film e shifsha katër herë pesë herë edhe i disha krejt dialogjet. Unë mbaj mend shumë, prej fëmijërisë krejt sendet i mbaj në mend edhe m’pëlqente shumë. Ndonjëherë tregojsha në shtëpi, ndonjëherë s’tregojsha i gjejsha paret, lirë ishte kinemaja, dy dinarë, tre dinarë me hy i shifsha filmat.
Edhe këtu kemi shku shumë n’kinema me bashkëshortin vetëm se në teatër edhe në koncerte kemi shku shumë. Ai nuk ka qenë njeri i kafeneve nuk… s’ka dashtë nëpër kafene me shku kurrë. As nuk ka pi as cigare nuk ka pi edhe thoshte, “Jo..”, e n’teatër e n’koncerte rregullisht kurrë s’i kemi lanë. Mirëpo, kur dilshim prej koncertit thoshte, “E grue tash shkohet në kafene nga një kafe me pi mbas, nuk shkohet në shtëpi mbas koncertit”, “Hajt hajt” thojshim, “Në shtëpi se fëmijët i kemi” (qeshë) e sheh kështu, shumë… çdo pjesë teatrale, çdo koncert, ndaq klasike, ndaq argëtuese, popullore rregullisht kemi shku.
Kaltrina Krasniqi: N’cilat salla?
Ajtene Pllana: Zakonisht Kinema Rinia ku është, aty mbaheshin te Kinema Rinia, ato koncertet ma t’vogla ashtu jo të fëmijëve jo, në, në Shtëpinë e Armatës, ka qenë Shtëpia e Armatës. Pastaj në teatër ky teatër ka qenë. Nji kohë ka qenë edhe skena e vogël, skena e vogël mbaheshte në koridorin e teatrit, a din, ku… foajeja ku është, aty bile e kanë pasë këtë “Pjata e drujtë” nji pjesë shumë të mirë ashtu, ne rreth e përqark ishim, pak nuk zinte shumë spektatorë e qishtu. Mandej koncertet ato janë mbajt ato akordet e muz… ashtu “Akordet e Kosovës” aty vlonte qyteti.
Nji javë përpara vajzat e mia babës t’vet, “Baba, gjej edhe për neve bileta, fëmijët e tjerë po shkojnë”, “Ku t’gjejë unë?” Hajde, ndonjëherë iu gjejshim, ndonjëherë jo. Zakonisht mbaheshin në një sallë ma t’madhe kështu, qe kështu ishte. Kishte nji gjallni a po, shpesh vishim prej Shkupit këtu për me pa diçka. Shkupi kishte, por shumë pak, shumë. Jeta kulturore nuk zhvillohej në krahasim me maqedonasit, ata kishin edhe kuadro edhe mundësi. Unë e di fëmijë isha në klasën e shtatë fillore më duket kur filluan të ndërtojnë Shkupin, Teatrin e Pakicave Kombëtare në pazar. A e dini ku është Bit Pazari, aty teatri po a shkohet, teatri lyp ni vend ma… në pazar teatri, aty tezgat, specat, domatet shiten, aty teatri, nuk shkon sot e kësaj dite. Tash po e renovojnë për s’dyti a për s’treti bukur e kanë bo, por n’pazar. Diçka shumë më pengon ajo prej ditës t’parë m’ka pengu.
Teatri Maqedon ka qenë aty ku është tash, tash që e rregulloi ky Grujevski biliardat që i shpenzoi. Merreni me mend edhe perdja e skenës është prej kadifes t’njejtës çfare ka qenë. Unë nuk kam qenë, por po tregon vllaznit e mi kanë qenë, motrat e t’kunatës kanë shku, kanë pa pjesë teatrale edhe karrigat, të njejtat karrige janë ba, kadifja e njejtë, vetëm një kat e kanë çu ma naltë edhe hymjen e kanë bo kah ni anë tjetër, e jo andej kah ka qenë edhe, domethanë, punojnë me mend për popullin e vet për ashtu tek ne, tek ne jo që tanët kanë pasë faj, po ashtu ja u kanë dhanë atë lokacion.
Kaltrina Krasniqi: Pse nuk keni studiu?
Ajtene Pllana: Urdhno?
Kaltrina Krasniqi: Pse nuk keni studiu?
Ajtene Pllana: Pse s’kam studiu? Ku të studioj çika jeme u martova menjëherë i linda katër fëmijë, punoja s’kisha… ai burri im shumë ishte ambicioz, njëherë më regjistori hajde po thotë, “Gjuhët po t’shkojnë, po t’regjistroj në letersinë Jugosllave ka nevojë gjuhën shqipe me e dhanë në paralele shqipe” thashë, “Ti regjistrom unë nuk shkoj, nuk kam kohë unë mos me mësu me shku aty pa ditë nuk kam kohë, nuk kam kohë”, po ai s’i ka qenë ambicioz m’regjistroi. I thashë, “Merre indeksin, mbaje ti se unë nuk shkoj n’fakultet”, edhe nuk shkova.
Dikur më regjistroi në frengjisht, frengjishtja m’ka shku shumë në shkollë, në Normale. Mandej profesoresha thoshte, “Vetëm Ajtene Gashi…”, edhe ni shok e kam pasë prej paraleles tjetër, “Vetëm Ajteni edhe ai munden me e studiu frangjishten kërkush tjetër”, aty katër-pesë vetë, bile shoku im i klasës ka qenë shumë i zgjut doktoroi në Sorbonne e kreu frengjishten. Ajteni erdhi këtu katër fëmijë, punë, por mjaft iu përkushtova fëmijëve, vajzave duheshte punë me ta. Unë s’kam qenë ashtu e aftë që t’mundem edhe të studioj edhe familjen ta mbaj edhe fëmijët të kujdesem për fëmitë.
Kaltrina Krasniqi: Kur jeni pensionu?
Ajtene Pllana: Kur jam pensionu, që moti, ka 22 vjet.
Kaltrina Krasniqi: Edhe qysh ka qenë ajo ndjenjë për juve? Se ju faktikisht ni pjesë shumë t’madhe t’jetës e keni kalu n’shkollë.
Ajtene Pllana: Po, në fillim shumë vështirë e kisha. Në orën 12:00, gjithmonë kam fillu mësimin në orën 12:00 edhe në 12:00 dilsha niherë prej ktuhit shkojsha deri në atë skej në anën tjetër t’shkollës edhe njëherë dojsha ta dëgjoja atë zhurmën e fëmijëve të arsimtarëve e sende. Edhe një ditë vajza m’tha, “Pse nana po del?” Ai burri jem tha, “E ka marr malli s’ka bërtitë moti”, thashë, “Kush ka bërtitë?” Tha, “Ta kam ndi zanin prej atyhit”, (qeshë) thashë, “A ke dëgju a?” Tha, “Po, por nuk t’kam kallxu”, ashtu. Edhe kisha mall, a din, nuk e kisha lehtë. Mirëpo, jam rregullisht në kontakt me nxënësit e mi.
Merreni me mend para dy vitesh më dha ni medalje këtu për ditën e mësuesit në komunë edhe kur mbas asaj kur po shof nxënësit e mi të gjeneratës t’parë në “Emin Durak” që kam punuar u paraqitën, “Mësuese…”, njana shumë aktive, Naza Sejdiu, ajo ka organizu nji mbramje atë natë me kalu në nji kafiteri dikund edhe nja dymbëdhjetë a 15 nxënës të asaj kohe që të gjithë ishin pensionuar tash. Unë nuk i njifsha asnjërin vetëm atë Nazën. Shkova atje, ata… bile ata erdhën pas meje unë shkova pak ma përpara edhe po thonë, “A kjo është mësuesja jonë?” Thashë “Po” (qeshë). Ata të gjithë mo burra janë ashtu edhe pyeta, “Kush ka qenë në klasën tonë?” I kam harruar emrat vetëm një vit shkollor punova. Merreni me mend mora vesh aty se Isa Mustafa paska qenë nxënësi im, ish kryetari, edhe tash thashë, “Isa Mustafa nxënësi im?” “Po” tha, thashë, “Çfarë nxënësi ka qenë?” Thanë, “Mësuese s’ka pasë nxënës ma t’mirë. Ndaq në shkollë fillore, ndaq në gjimnaz, ndaq në fakultet i hatashëm ka qenë.” Thashë, “Mirë, po m’vjen mirë”, i sheh gjeneratat krejt të pensionuar tash shumica.
Kaltrina Krasniqi: Edhe mandej kur ndrroi jetë burri juj?
Ajtene Pllana: Si?
Kaltrina Krasniqi: Kur ka ndrru jetë burri?
Ajtene Pllana: Me 4 janar 1994, moti.
Kaltrina Krasniqi: Shumë moti.
Ajtene Pllana: Po, në gjum. Atë natë ndejtëm deri… ishte viti i ri më patën ardhë, domethanë, 3 janari ishte, me 4 janar a thashë me 4 janar? Ishte motra ime me bashkëshortin ndejtën këtu një kohë, ishte djali edhe vajza vëllaut nga Shkupi. Ndejtëm një kohë t’gjatë u çu edhe i çoi deri në shtëpi motrën edhe dhëndrrin tim. Ata s’kishin automobil ashtu kah ora 12:00 e natës. Ne i lutëm të flenë këtu, “Kemi vend”, motra ime “Jo, jo nuk mundem” thotë, “do t’shkojmë në shtëpi”, edhe i çoi deri atje.
Erdhi, ndejtëm këtu një kohë edhe mbani pak masazh thash, “Bonëm pak masazh…”, ata qeshnin fëmijët thanë, “Enishte po t’lodh ma shumë” thotë, “hajde shko bjer”, “Qe..”, tha, “A po e sheh tash edhe masazh po thotë t’i boj” qeshëm kështu. U bo ora gati 01:00 edhe u çumë me fjetë, ai tha, “Me djalin e vëllaut po shkoj naltë n’dhomën e fjetjes atje me fjetë edhe n’mënges grua t’ma bijsh ni çaj në krevet”. “Ani” i thashë, ai djali i vllaut dreq po thotë, “A ni çaj a dy çaja?”, “Jo, jo” tha, “Veç nji”, axha Gynsel, për vllaun, dy i pin në krevet”, “Jo…” tha, “Unë kurrë nuk pi po nesër p’e du një çaj”, e vajza mbet këtu.
Kjo dhoma është bashkë me atë tjetrën sallon e kemi po mandej e kemi mbulu ajo atje fjet. Unë këtu… Në mëngjes u çum edhe i thash vajzës i thashë, “Shko shif nalt a u çu enishtja t’i çoj një çaj”, kur erdh e zbehtë tha, “Halla,” tha, “eja me pa, mu po m’doket enishtja po flen”, dhe menjëherë e dita çka ka mujt me ndodhë. Kur shkova e kishte lëshu Radio Tiranën ora ishte 8:10, nji muzikë e lehtë ashtu atë… për, merrte diçka për tension do hapa kështu, as s’e ka prek bile aty në komodë trupin ende t’nxehtë kishte ndrru jetë, 63 veçar.
Kaltrina Krasniqi: Shumë i ri.
Ajtene Pllana: I ri, i ri, qe kështu. Fëmijët i kisha jashtë. E pata shumë t’vështirë, shumë t’vështirë e pata, që të katër fëmijë jashtë. Pastaj m’u desht djalit, shkonte në një gjimnaz shumë të mirë mësonte atje edhe vajzat ishin aty Vjollca dhe Arta, por mos me m’lanë mu vetëm u kthy edhe ai, qe kështu mandej këtu.
Kaltrina Krasniqi: Tregomni tash pak për librin. Ka ardhë koha me ma spjegu krejt rrugëtimin që e keni bo për librin e juj që e keni botu sivjet?
Ajtene Pllana: Nganjëherë po m’duket shumë qesharake që e botova, por unë s’e di a ju tregova. Fillova të shkruaj tregime kshtu ngjarje prej jetës s’kisha çka t’bëj, n’mëngjes po zgjohem shumë herët. Unë jam shumë herake, në orën 4:00, në orën 3:00 jam zgjut edhe shkrujsha. Kur po m’thërret vajza prej Londrës, “Çka po bon nana?” Thashë, “Po shkruaj”, “Çka po shkruan?” Thashë, “Qe po shkruaj diçka prej fëminisë, diçka po du t’ua la si kujtim juve”. “E çka janë ato?” Thashë, “Diçka si tregime”.
Bile i tregova Rronit, djalit t’vajzës në Amerikë, që po shkruaj sa shpejt ma ka dërgu nji fletore aq t’bukur, bile e kam aty, edhe mbrenda e ka ni kartolinë ashtu të ngjitun në ato, në fletore edhe po shkrun. Ai ka lindë e është rrit atje shqipen po e flet po natyrisht pak edhe po thotë, “Gjyshe është nji plan perfekt” thotë, “kjo që po shkruan” thotë edhe diçka tjetër ashtu. Eh thashë, “Rronit po du me ia plotësu dëshirën se ish gëzu djali”. Ai ishte atëherë absolvent i akademisë t’muzikës atje thash do t’shkruaj.
Kur i dëgjoi Vjollca tri tregimet e para, “Nana shumë bukur”. Ishte ajo këpuca e mbetur në rrugë prej dy vjet e gjysë… tash unë krejt atë ditë nuk e mbaj, por atë kryesoren e mbaj, për mu ishte me rëndësi këpuca që mbeti në rrugë, e nana tha, “Lene”. Por fëmijë, në vend se ta marrë në dorë po e lash aty si tha nana, “Lene këpucën, vrapo” kalonin aeroplanat, ‘41-shi prill. Edhe thashë, mu kështu fillova të shkruaj. Tash Vjollca çdo mëngjes prej Londre, “Nana a po shkruan?”, “Po, po”, “Hajde lexoma”, edhe unë ja lexoja secilën, “Nana shumë mirë, shumë interesant, shumë interesant”.
Thashë, “Vjollca, nana…” “Hajde, nana shkruaj të lutem”, edhe ato rriteshin çdo ditë nga nji, nga dy, nga s’disha nga t’ia mbaj se krejt i mbaj ndoshta edhe pesëqind tregime i di ngjarje qishtu t’jetës edhe parvjet kur shkova ajo filloi me e shtyp tha, “Nana a e din çka? Do t’bajmë, do ta bajmë nji libër”, them, ”A je n’veti ti”, gjashtëdhjetë i pata shkrujt “Hajt ti…” po thotë, mandej them, “S’janë këto nana”. “Shumë…” po thotë “Edhe stili edhe krejt nuk është, ti s’ke pretendime letrare por është interesant”, une qeshesha bojshim hajgare rreth asaj që do ta shypim edhe…
Kaltrina Krasniqi: Mandej?
Ajtene Pllana: Edhe pastaj parvjet kur erdhi këtu, jo vitin e kaluar, veç fillova…. Erdhi nji ditë si e ka emrin kjo, Flaka Surroi, poshtë të pijë kafe te vajza ime edhe Arta i kishte tregu, vajza, i ka thanë “ A din cka, nana po i shkruan disa tregime”, “Hajt t’i shof”. Ia tregova, e lexoi atë të parën tha, “Shumë mirë mësuese” se ka qenë nxënëse në shkollën tonë, tha, “Vazhdoni”. Kjo vajza ime mori edhe pak guxim, a din, edhe vullnet ashtu, “Kryj nana çka ke tjetër, çka të doket më interesant shkruj” Derisa u bonën 72, “A din çka?” Tha, “80 tregime, 80 vjet kam me ta festue edhe me e bo për ditëlindje tane t’botohet”. “Vjollca, a je n’veti?” Mu më kapi panika, “Nana janë shumë interesante”, edhe kështu u ba mandej ja dërgoi Flakës atë shtypjen e parë që e boni në asi tha, “Shikoje”, tha ashtu, “Libër i veçantë”, ashtu shumë, shumë i pelqeu. Mandej, vetëm duhet natyrisht diçka të rregullohet, unë nuk jam as letrare, as gjuhëtare që… edhe mandej herën e dytë kur ia çoi thotë, prapë e çmoi kështu i dha pëlqimin edhe tha, “Mund të botohet”, e botojmë edhe qe kështu u botu libri. Unë mbeta e habitur (qeshë) krejt është puna e vajzës sime ajo është shumë e vendosur, shumë e vendosur edhe thotë, “Për ditlindjen e tetëdhjetë këtë libër e ke” dhe mendoj ne e botum me shpenzimet tona jo me t’ashtu edhe qe kshtu doli.
Kaltrina Krasniqi: Plot njerëz e kanë lexu librit cilat janë komentet?
Ajtene Pllana: Si?
Kaltrina Krasniqi: Plot njerëz e kanë lexu librin…
Ajtene Pllana: Po, kumeditë mu, mua s’po… dikujt po i pëlqejnë shumë ato të fëmijërisë. Po m’i përmendin disa të shkollës, disa rreth jetës tonë, rreth burgosjes t’babës ato. Mandej, ajo çka është shumë interesante është eksodi i shqiptarve në Turqi edhe sidomos vajzës time i boni shumë përshtypje ekskurzioni se di a e keni lexuar?
Kaltrina Krasniqi: Po.
Ajtene Pllana: Ajo krejt me qëllim si duket është organizuar, se ishte ni kohë ku u ndërpre pak sigurisht se nuk kishim qasje, nuk kishim mundësi me shku në Truqi, nuk kishte të dretjë, të shkojsh edhe të mos kthehesh, por si turist jo, edhe nuk e dinim se çka është, çka të ofron, çka të sjell Turqia. Edhe autobusi që shkoi atëherë kur u kthyen edhe i kanë shëtit nëpër vendet ma t’bukura. Ka Turqia vende t’bukura, por nuk e kanë çu atë mjerimin me pa, atë papunësinë atë ashtu… Para 60 vjetëve ka qenë shumë ndryshe Turqia nuk është si sot.
Edhe mandej ajo e aty vllau im kur baba nji ditë ndoshta e keni lexu, një ditë babës i erdhi deri ktu {tregon me duar} baba doli prej burgut po e dinte që janë gjithmonë në mbikqyrje tha, “A din çka”, edhe shkon në ambasadë s’ka pasë, por çka është ajo, në konsulatën turke edhe kërkon… edhe ia çon atë që ia kishe çu nji shok nji garancë mirëpo ka thanë, “Çka je ti, shqiptar apo turk?” “Jo,” thotë, “Shqiptar” thotë, “bile shqiptar i madh”, “Shqiptar, rri këtu” thotë, “Nuk mundesh me shku në Turqi” edhe kur mori vesh vllau i madh Amiri që posa kish dalë prej po ende s’pat’ hy në burg atëherë edhe u pat’ nervozu shumë thotë, “Kënd e pyte ti kënd, ne s’do t’shkojmë do t’ju rrijmë para hunve s’po shkojmë”, dhe prej lagjes tonë vetëm ne mbetëm në lagjen tonë vinin maqedonët i blenin shtëpiat e kshtu, nuk shkuam.
Kaltrina Krasniqi: Pse shkonin në Turqi?
Ajtene Pllana: Si?
Kaltrina Krasniqi: Pse shkonin…
Ajtene Pllana: Pse shkonin në Turqi? Po u ofroheshte ni jetë ma e mirë ma ashtu… edhe shifeni, tash po shof njerëzit tanë po shkruajnë nëpër gazeta e sene. Shqipëria nuk po u hap shkolla shqiptarëve atje nuk është sepse çdo ditë, s’kalonte muaji po vjen ndonjë udhëheqës i Turqisë, një herë në Shkup e në Beograd ka qenë sidomos ni Fuad Këprylyn ajo ka qenë ndonjë Ministër i Punve të Jashtme ose diçka ai vinte shumë shpesh. Edhe nuk mundeshe të kërkosh të bartesh në Turqi pa të dërguar dikush nji garancë edhe vet do t’deklarohesh në ambasadë, në, këtu në konsulatë se je turk, jo se je shqiptar.
Ajo krejt është bo me qëllim, se nëse thojnë që janë shqiptar nji ditë do t’kërkojnë të drejta, apo, edhe shkolla edhe sene. Prandaj njerëzit kot e kanë sot kur kërkojnë shkolla në gjuhën shqipe. Pse s’ka shkolla në gjuhen shqipe? S’ka se ti je paraqit si turk dhe nuk t’jep. Qato ishin gjanat që kush mendonte pak ma tepër nuk shkonte. Megjithëse, njerëzit tanë u gjinden shumica mendoj në kohët e fundit ato gjeneratat e para, jo nuk mundeshin të shkollohen. Rrallë kush, dikush duhet të punonte. Ishte lufta për ekzistencë, mirëpo tash kanë arritë shumë.
Unë shof kunata ime shkoi me tetë fëmijë, shkuan ata nipat e mbesat janë ba mosvet edhe po shkollohen edhe krejt mirëpo e kanë humbur identitetin. Vetëm gjenerata e vjetra që kanë mbetë si unë edhe vajza e kunatës e djali i kunatës ndërmjetveti flasin shqip tjerët krejt turqisht. E prandaj ishte, dikush kush mendonte ma tepër e duronte edhe atë jetë pak ma t’randë në atë kohë, a din, mos me lanë vendin mos me shku. Po ashtu edhe vetëdija nuk ishte shumë e ngritun, a din, kryesisht njerëz t’pa shkollum, pa ashtu jo që me ditë pak me llogaritë pak për të ardhmën, a po, qe kështu.
Kaltrina Krasniqi: Çka keni mësu për 80 vjet jetë?
Ajtene Pllana: Çka?
Kaltrina Krasniqi: Çka keni mësu për 80 vjet jetë?
Ajtene Pllana: Ooh, çka kam mësuar, çka kam mësuar. Shumë gjana (qeshë) kam mësuar edhe pse 80 vjet, 80 (qeshë) vjet jetë. Të dish të luftosh për jetën. Në qoftë se mundesh, por unë s’jam ashtu luftarake, nuk jam ashtu, edhe ndonjëherë them të kisha kry diçka më tepër edhe të kisha asi, po prapë edhe kështu mirë është a po. Çka tjetër nuk, kurgjo konkret ma tepër se atë që kam mujt me arritë jo. Mendoj, jam e kënaqur me profesionin që kam zgjedh, mendoj është njëra nga profesionet ma t’shejta, ma t’vlefshme edhe pse dikush, dikush nuk e çmon ndoshta. Por të jesh mësues, të punosh të nxjerrësh treqind e sa fëmijë në dritë është diçka e madhe, diçka e vlefshme edhe qishtu.
Mandej fëmitë e mi kanë arritë, nji jetë normale bojmë kurgjo ma tepër. Nuk kemi asi synime megallomane të pasunohemi. Normal, nji jetë normale ashtu si mundet çdo intelektual ashtu me e kalue, qe kështu. Kam shëtitë mjaft botën, aty, aty kam pa, kam… mundet edhe ma mirë, kanë mujt gjanat të ndodhin edhe gjana ma t’mira po nuk jam shumë e preokupume ashtu, jam e kënaqur.
Kaltrina Krasniqi: Prej familjes t’juj t’afërt prej motrave edhe vllaznive kush ka mbetë?
Ajtene Pllana: Unë kam, kam një vlla, një motër vetëm edhe dy vllezën që të dy tani janë pensionistë, aty bile në libër e kam fotografinë. Ai ma i vogli edhe është pensionit. Ka qenë gaze… albanolog, gazetar ka punuar në Radiotelevizionin e Prishtinës edhe bashkëshortja e vet edhe ajo ishte albanologe, gazetare, por kur u mbyll televizioni u desht të kthehen në Shkup. Fëmijët i lindën këtu, dy fëmijë, atje edhe ni vajzë. Kështu që tash vllau asht’ pensionuar qe një vit, ata hapat e parë i bonën këtu në Prishtinë edhe kanë nji familje shumë të mirë.
Vllau tjetër që e kam gjallë edhe ai është jursit edhe ai është pensionuar. Përkthen prej turqishtes shumë libra kështu të vlefshëm në maqedonisht e prej maqedonishtes në turqisht. E vëllau i madh, ate që e kemi pasë shtyllë t’familjes, ai ndrroi jetë në moshën 64 vjeçare, 74 vjeçare. Ishte jurist, ai ka qenë i burgosur politik, ai tjetri biçiklisti edhe ai ndrroi jetë para katër-pesë vitesh. Kështu kur shkojë kam mall për ata vllezër… se ne, baba im nuk kishe as vëlla as motër, nana e Preshevës në Shkup kështu që ne nuk kishim farefis atje.
Baba ka pasë ni axhë të moshuar me nji vjazë atje edhe ai vdiq në ‘54-shin axha nuk la, e la vetëm atë vajzën. Edhe ajo më vonë u martua, e kreu frengjishten e studioi. Ishim shumë të vetmuar në Shkup, të thuash, si ni dru në shkretinë kur ta lësh. Mirëpo, u rrit familja gjashtë fëmijë prej të gjithëve fëmijë, fëmijë tash fëmijtë e fëmijëve edhe kështu tash kur shkoi takohem ata vijnë ktu kalon një jetë.
Kaltrina Krasniqi: Edhe nji herë që me qenë t’saktë. Ju keni lindë në vitin 1938 apo?
Ajtene Pllana: ‘38’shin, po.
Kaltrina Krasniqi: Okej, shumë faleminderit ke shumë kënaqësi me fol me juve.
Ajtene Pllana: Faleminderit edhe prej jush që gjetët kohë edhe interesi se di.
Kaltrina Krasniqi: Shumë u knaqëm, shumë u knaqëm, faleminderit shumë.
Ajtene Pllana: Ashtu? Faleminderit, faleminderit.