Fillimi i Fushatë së Pajtimit të Gjaqeve.
Në lajme doli zëdhënësi i qeverisë së Millosheviqit n’atë kohë […] Dhe tha, ‘Nuk u vranë nga ushtria dhe policia jonë’, e tyre, ‘por u vranë shqiptarët primitivë për shkak të gjakmarrjes.’ […] Ishte shumë irrituse, ishte shumë e papranushme për mua, ishte shumë diskriminuse, ishte shumë e pavërtetë, ishte shumë jo-njerëzore.
Dhe, të nesërmen kam dalë në Pejë. Personi i parë që kam dashtë me taku e që jam nisë për ta takuar, ka qenë Myrvetja […] E kam takuar në Pejë edhe, edhe kemi fillue me bisedu, mu nuk m’kujtohet nëse ajo i ka dëgjuar lajmet apo jo. Me Myrveten jemi kuptu gjithmonë shumë mirë, kemi qenë shoqe ma përpara, para burgut, gjatë burgut, pas burgut. Dhe jemi kuptu, nuk osht’ dashtë shumë me shpjegu, nuk osht’ dashtë me ia mbushë mendjen… ajo e ka konsideruar [pajtimin e gjaqeve] shumë të rëndësishme dhe ka thanë që, ‘Do t’shofim se çka mund të bëjmë’. […]
Edhe Brahimi, Luli, Myrvetja dhe unë kemi shkuar tek Ademi atë ditë në shtëpinë e tij, dhe kemi biseduar dhe padyshim jemi dakorduar. Domethanë, nuk është dashtë shumë me diskutu, nuk është dashtë shumë me filozofu. […]
Dhe, më pastaj kemi menduar që një person, një ftyrë e nderuar e çmuar, e vlerësuar që ka edhe kompetencën e hyrjes në oda, bisedës në odë, ishte profesor Zekeria Cana dhe profesor Anton Çetta, respektivisht s’pari Zekeria Cana. Ishte i nderuar, të paktën dhe tek ne, por jo veç tek ne po ne e njifshim angazhimet e tij, literaturën e tij”.
Hava Shala u lind në vitin 1966, në Lugun e Baranit, komuna e Pejës. Për shkak të aktivitetit të saj politik, në vitin 1984 është arrestuar bashkë me gjashtë vajza dhe dy djem. Ky rast njihet si, “Grupi i vajzave të Pejës”. Pas lirimit në dhjetor të vitit 1988, është angazhuar si aktiviste në Fushatën e Pajtimit të Gjaqeve. Shala diplomoi në drejtimin e Komunikimit Ndërkulturor, dhe sot punon si pedagoge sociale në Zvicërr.