Pjesa e Parë
Erëmirë Krasniqi: Z. Shala, prezantohu, edhe mandej mundësisht tregona diçka për familjen tande kujtimet e më të hershme, rrethin familjar dhe vendin ku keni lind?
Metë Shala: Metë Shala, prej fshatit Tërstenik, rrjedhi nga nji familje me traditë pune në fshat, kryesisht me bujqësi. Biri i Tahir Shalës, kemi qenë katër vllazën e dy motra. Njeni tragjikisht humbi jetën i vrarë nga, fatkeqësisht nga i afërm, biri i tezës. Shkollën fillore e kam kry në fshat, unë dhe katër vllaznit e mi, pastaj vëllai i ndjerë dhjet vite pas meje ishte në Fakultetin Juridik në Prishtinë në vitin e tretë, tjetri vëlla ma i vogli ai ishte në shkollë të mesme. Mirëpo, kur ndodhi tragjedia ai ndërpreu rrugën e shkollimit, e murrë vëllai i madh në Gjermani.
Erëmirë Krasniqi: Tregona ma shumë diçka për familjen e juaj, para se me dalë te rasti i gjakmarrjes?
Metë Shala: Po familja, familja merreshim me bujqësi, përpiqeshim me u shkollua. Vëllavi i madh barrën kryesore e ka pasë. Ka shku ‘69-shin, prej atëhershit deri tash është në Gjermani është përkujdes për shkollimin tonë, për nanën, për babën. Baba na la herët, në vitin ‘74 ka vdek, e nana ka vdek dy 2008-tën, 2008-tën ka vdek nana. Jemi një familje bukur e vujtur, për shembull kemi pasë edhe babën edhe mixhën në burg pa faj, pa asnjë faj, ‘57-tën të dytë kanë ra në burg. Njeni ka qenë në Loxhë në dark, në posterm, e mixha ka qenë në shpi. Mirëpo, dy romë kanë shku në male të Serbit me vjedh dru edhe i kanë thanë njëri tjetrit, “Ikë Rrustem, ik Tahir!” në emër te babës e mixhës tem. Edhe ai Serbi i ka majtë men emrat e Rrustemit e Tahirit, të babës dhe Mixhës, [në fakt] ata kanë qenë krejt tjetër kush dy romë Isufi dhe Dauti. Ai ka shku i plagosun në shpi të vetë edhe ka lajmëru atje. Mandej kanë kanë ardhë policia e kanë marrë mixhën në shpi pa faj, babën e kanë marrë në Loxhë në darkë të postermës, e kanë marrë pa faj edhe i kanë burgos i kanë malltretu. I kanë majtë njonin një vit burg, njonin një vit e gjysë. Mirëpo, siç duket edhe policia e atëhershme e ka marrë vesh edhe gjyqi i atëhershëm se janë të pafajshëm edhe i çojnë në Rugovë me pre lanë me zhvesh lanë. E kanë marrë vesh.
Mirëpo, ata romët i kanë ra në dorë një serbi, Jovan Petričević Bogdan, kanë ra në dorë të serbit me shpëtu edhe ai i ka majtë tri vjet në rrogë serbi për me shpëtu dhe këta me metë në burg, baba edhe mixha. Përkundër asaj që ata i kanë lajmëru dëshmitarë miqtë e Loxhës si, “Ky ka qenë në dark te na”, nuk ia kanë marrë parasysh dëshmitë edhe kanë majtë ni vit njanin në burg dhe njani ni vit e gjysë. Na ishim shumë të ri, vëllai ishte shumë i ri, përballeshim me kushte shumë të vështira me skamje. Atëhere në ‘56-tën unë isha në moshën tre-katër vjeçare. Pastaj, ishte ni jetë, jetë e vujtur, çka është ma e keqja, që është ma e keqja kanë qenë shumë, shumë konflikte e pabesi në radhët tona, në mesin tonë. Fatkeqësisht, sa bonte sherr armiku, bojshin sherr edhe shumë njerëz në radhë tona, fatkeqësisht!
Erëmirë Krasniqi: Qysh i tejkaluat këto raste të burgosjes, kush ju ndihmoj prej familjes sa ishin baba dhe axha në burg?
Metë Shala: Po i kisha unë dy gjyshe, se gjyshi i kishte pas dy gra. Baba ishe me nanë tjetër, ndërsa axha ishte me nanë tjetër, të dytë ishin për hasret edhe ato dy gjyshe edhe ato dy gratë e gjyshit gjyshet tona. Ato merreshin, të shkretat merreshin me duhon, me bujqësi, shkojshin shumë kështu në qytet me vezë, me pula, me nda ndonji hall, me shit diçka kështu. Shumë atëherë në kamë shkojshin dymbëdhjetë kilometra prej fshatit Tërstenik në Pejë prapë Tërstenik i bojshim dhe mirreshim edhe me duhon kapak, mjellshim duhon, shitshim duhon të grimë, kështu. Po kishim edhe ni mulli me ujë, ku blunte, blujshin përpara axha edhe baba. Qatë mulli e kishim nji njeri që punonte, përpiqej vëllai ynë i madh me majtë atë mulli, me blu, me jetu, me hangër e bukë e me punu fushën e kështu.
Erëmirë Krasniqi: A jetojshit në bashkësi apo veç familja juaj?
Metë Shala: Jo, atëherë ishim ne veç, në bashkësi baba e axha, po axha s’kishte fëmijë, nuk kishte fëmijë. Ai kishte qenë në brigadën e tretë të Shqipnisë në Sanxhak, kishte qenë me brigadën e tretë edhe kish qenë i vujtun shumë ai prej tifuzit, sa që 29 ditë i kish pasë metë vorri çelë, 29 ditë vorri çelë! Po një mjek italian e kish pasë prekë në puls të dorës e ka ditë që është gjallë edhe ai ka thanë, “Mos e vorrosni”. Mandej prej prej atij Tifuzit kish pasë metë i paaftë edhe s’ka pasë fëmijë. Kur ka ardhë prej burgit e kish pasë lëshu edhe grunë. Edhe jetojshim kështu.
Bile më kujtohet niherë me shumë mundim mjellëm duhon, e paluam, hajshim bukë me pelim. Erdhën policia bashkë me një të fshatit që na njehke edhe na murrën duhanin, na murrën duhanin ku e kishim mshef, me mujt me shit ndonji killë duhon për me mujt me jetu, me bo ndonji hall. Atëherë s’kishte rrymë elektrike ishte vaj guri me llapma të vjetra, me do fitilaqa, ish ni jetë shumë… mesjetën e kemi përjetu, tamon si mesjetë. Tatimi ishte shumë i randë, shteti na ngarkojke me tatim shumë të randë. Bereqetet ishin të liga, s’kishte bagëti për me pasë plehërim me u bo bereqetet, me u rritë bereqeti m’u rritë buxheti familjar. Atëherë pyetshin njëri tjetrin, “A e lave porezin?” “Po.” Thotë, “I lumi ti”. “A e ki bo bukën për rob tu?” “Po”, “A ki ushqim për gjanë?” “Ti tek je pasaniku ma i madh”. Do të thotë qaq ka qenë krizë e skamje, qaq ka qenë barra e tatimi të shtetit. E di që ka mungu shumëçka, shumëçka ka mungu, shumë ka qenë ni jetë, jetë e ngarkume, jetë e randë.
Erëmirë Krasniqi: Deri në cilën moshë keni jetu në Tërstenik?
Metë Shala: Po unë Tërstenik kam jetu deri, deri ‘99-tën, deri ‘99-tën kemi jetu. Shkollën e mesme kam shku në ‘68-tën në Prishtinë, ‘72-tën e kam kry shkollën e mesme. Mandej kam vazhdu studimet në Prishtinë.
Erëmirë Krasniqi: Çka keni studju?
Metë Shala: Kam studju muzikën po ashtu.
Erëmirë Krasniqi: A na kallxoni pak për jetën studentore?
Metë Shala: Po jeta studentore është jeta ma e mirë. Jeta ma e mirë që i riu oshtë i preukupum veç me mësime. Më ka përkrah vllau i madhe shumë, ai prej Gjermanisë më ka dërgu të holla, kam banu në konviktin e studentëve me do shokë shumë të mirë atëherë. Kemi qenë kështu shok të mirë, kemi përkrah njeri tjetrin, kemi qenë shumë, shumë serioz në ato kohra, e kemi ditë hallin e kombit, kanë ditë çdo student, kanë ditë hallin e kombit e atdheut që oshtë në robëri pa duar e pa kamë i ndamë në pesë copa. Qashtu armiku na e ka pre këmishën e ngushtë e na ka gdhend trupin me sopat.
Erëmirë Krasniqi: A keni qenë të përfshirë në naj organizatë ilegale politike në atë kohë?
Metë Shala: Shiqo në vitin… nuk kam qenë në ndonjë organizatë ilegale politike, ‘68-tën kom qenë në vitin e parë në shkollën e mesme të muzikës edhe e kom kuptu ‘68-tën çka donë të thotë armiku, sepse u organizuan demonstratat e vitit ‘68 edhe unë i pashë studentët. Unë isha nxonës i vitit të parë, 15 vjeçar, s’dijsha çka janë demonstratat. Edhe shifsha, i shifsha gratë Serbe prej ballkonit t’u gjujt vazot të betonit me lule mbi kryet e studentëve. Studenten shqiptare e kom pa me flamur në dorë kur i ka ra vazoja e betonit në krye, tu gjujt ujë të valë, e di që e kom pa me sytë e mi tenxheren me lakna të vala me i përvëlua me i shkatrru studentët, edhe e kom pa kur kanë lyp, “Republikë Kushtetutë! Republikë Kushtetutë!”
E di që kanë ardhë forcat mas disa ditëve me tanke prej Serbie me helmeta me demonstru atë me demonstru atë forcën, atë forcën ushtarake Jugosllave të egër kundër studentëve. Burgosën, u burgosën shumë, e di qe ka pasë ardhë ni kësi zjarrfikës, pat’ ardhë te “Tre sheshirat” edhe te “Bozhuri”, pat’ ardh aty. Atëherë ka qenë kocka nuk ka qenë asfalt, kubëza, ka qenë kubëza edhe erdhën i gjujshin studentët me ujë. E di që ja kanë këput me thika krejt ato gypat e ujit edhe met tu u shprazë uji para “Hotel Buzhurit” atëherë u thirrke para “Teatrit Krahinorë”. Kërkesat ishin, ishin për, “Republikë Kushtetutë!”
Erëmirë Krasniqi: A dilshit ju në ato protesta apo?
Metë Shala: Unë vetëm… shiqo, unë kam qenë shumë i ri. Unë as nuk e kom dit që kanë m’u mbajtë demonstrata as nuk e kom ditë çka janë demonstrata atëherë. Vetëm e di që i kom pa të tjerët që kanë marrë pjesë në demonstrata, studentët, kërkesat e tyre, pjekurinë. Masanej kom marrë njohuri prej studentëve ma të vjetër t’u mi spjegu ato gjana që prej atëherit e di çka jonë demonstrata, çka është armiku, e di çka është çashtja kombëtare, padrejtësia që ju ba popullit tonë, e kështu me radhë, dalë ngadalë e pastaj gjate shkollimit.
Erëmirë Krasniqi: A të shkojmë te rasti? A po e ndërtojmë kadal- kadale rastin e vrasjes, tash masi kemi fol për familjen, njëfarë mënyre [ta sqarojmë] qatë dinamikën mes dy familjeve.
Metë Shala: Po na, kemi pasë fatkeqësi shumë të ranë, në vitin ‘87 dolën në bjeshkë, Mal të Zi, në Gradinë dikun dy ore larg prej Rozhaje, naltësi e lartë shumë. Kishim qëllimin që fëmijët me u ushqy tre muj verë në bjeshkë, me ajër të pastër, me ujë, shëndeti i fëmijëve, rruzat e gjakut, ajri i pastër i përmirson edhe kishim dëshirë me dalë. Edhe na ofrunë qat’ ofertë qita djemtë e tezës prej Krushevcit edhe u verbum sysh shkum me ta. Megjithëse e dijshmi kush jonë, por insistimi i nanës shkum, se nana shumë e donte atë motër, shumë i donte ata djem, por s’ishin për mi dashtë ata. Mirëpo, u vërbum edhe dulëm.
Në ‘87-tën vëllai i ndjerë ka qenë në stan, ka flejt me vëllain e dorasit. Nji mramje t’u flejt me qatë vëllain e dorasit, ai mendon që vëllai ka flejt edhe del prej stanit kadale. Vëllau i shkon mbrapa dhe i thotë, “Ku po shkon?” Thotë, “Kthehu në stan se po me shtihohet diçka”. Ky kthehet në stan, ai shkon edhe vonohet e vjen vonë dikur. Të nesërmen në mëngjes n’shtallën ku kanë qenë bagëtia nuk ka qenë ni mëzat, po mungon ni mëzat i joni edhe ai vëllai e lajmëron rastin në polici. Shkon dy orë në kamë në Rozhaj në polici edhe e lajmëron që më ka hup një mëzat. Policia e kryen punën e vetë. Edhe dulëm në ‘88-tën, pronari i bjeshkës na tha neve, “Ata nuk ua du në bjeshkë. Ata s’du m’i pranu në bjeshk”. Na t’u mendu se ata s’do të dalin, ata dulën qatë bjeshkë.
Ata s’na veten as neve, as pronarin. Ndoshta pronari u paraqit i tillë se ka marrë të holla edhe prej atyne edhe prej neve, edhe dulën në bjeshkë. Në bjeshkë ishin raportet shumë te ftohta. Ata filluan mos me lanë nanën me marrë ujë në të njejtin kru, në kronin e përbashkët. Unë dola ‘88-tën në bjeshkë, në ditën e Bajramit bashkë me tezen e tretë, jo nanën e tynë. Ish në Kullë ajo, në bjeshkë në Zhleb. Dola me tezen edhe nejtëm dy ditë, në të tretën ditë u nisa une me tezën me ardhë në rrafsh, ramë në Rozhajë, prej Rozhaje me ardhë në Pejë në fshat. Tezja në mëngjes ke tu ata, kur u kthy, u kthy diçka t’u kajtë. Tezja erdhi me mu dhe me ni mik, mikun e kisha edhe bash i vëllau i shoqes i vëllaut të ndjerë.
Erdhi tezja me mu, kur u erdhëm në Rozhajë, tezja po më thotë, “Kthehu ti në bjeshkë”. I thashë, “Pse, qysh me të lanë une ty? Na jemi nisë për fshat, për rafsh, për Pejë”. “Ja!” Tha, “Kthehu ti se mu më ka deklaru,” vrasësi se, “dilli s’praron pa e vra njanin ose te dytë”. Unë u befasova i thashë, “Teze pse s’më kallxove në bjeshkë?” Edhe u tërheka. E lashë tezen në Rozhajë edhe u ktheva në bjeshkë me mikun e vëllaut të ndjerë. Kur shkova në bjeshkë, kur mrrim naltë e gjeta të vramë, në prezencën e nanës e kish vra. Edhe djali vëllait të tij prapa shpinë ia kish bo fytin krejt zi t’u ia ngjit, edhe nana e kishte pengu shumë vëllaun. Ia kishte lidh durtë, edhe ai e kishte nxerrë revolen dhe i bjen me një plum në zemër. Kish pasë ra mi nanën edhe nana me menxi ish konë terhek prej trupit të tij. Kur mrrina unë e gjeta nanën te krytë e tij, e gjeta nanën te kryt e tij. Edhe policia erdhën, nuk më lejojshin me bartë kufomën.
Me 26 korrik, ‘88 është vra dikun rreth ora njëmbëdhjetë, e marte. Tanë ditën ka mbet aty. Në mramje kanë ardh policia, tonë natën ka met aty prapë të mërkurën me 27 korrik ka metë aty deri në ora dy, në ora dy kanë ardh policia. Domethanë, kufoma veç filloi me u dekompozu. Me 27 korrik jemi nisë me kufomë, unë me nanën veç, unë, nana edhe i vëllai i shoqës jemi ardhë në Rozhajë. Na kanë ndalë, policia na kishin pasë njoftë, kemi shku do rrugëve të rrezikshme, ku çudi, sot është çudi me pa ku ka dalë kerri jem, gomari me menxi del, ni kombi-bus. Kemi ardhë në Rozhajë, na kanë vonu policia prapë derisa na kanë përgatit një proces për udhëtim, dikur ajo policia e tyne na ka pri rrugës, na ka pru, na ka udhëheq. Në ora shtatë, me 27 korrik kemi mrri në Pejë me kerr të policisë. Më kanë urdhnu prej policisë me çu në spital, në kapell. Kur e kom çu kufomën në spital me mikun, edhe unë me mikun e kemi shti me durtë tona e kemi lanë me një tezgë të betonit pa kurrfarë kushtesh, temperatura shumë e nalt, të nesërmen kanë ardh me bo obduksionin.
Aty veç është ba ora, ora nimdhjet, me 28-tin paradite derisa e kanë kry obduksionin. Nimdhjet e gjys jemi nisë, e kom çu kufomën në fshat t’u i ardh era. Krejt gratë kanë dalë prej shpijës kur e kom shti kufomën në shpi, sipas adeteve tona, prej erës që u dekomponzu. E kom marrë me durtë e mia bashkë me do kusheri e kemi shti në kombi, e kemi çu me vorros. Pak pa e vorros m’ka ardhë vëllau prej Gjermanisë, i shkreti me një taksi në gurë të xhenazës ka qenë kufoma kur ka dalë prej kerrit, u kthy taksisti edhe njëherë ia dha setrën. E kish pasë setrën me të holla, me krejt e kish harru prej habisë, prej tmerrit. U kthy u fut edhe ai në radhë me e falë xhenazën edhe me kry vorrimin. Edhe prej atëherë e deri sot familja jonë nuk ka pa ditë [të mira]. Nana e shkretë vujke.
Erëmirë Krasniqi: Çfarë moshe e keni pasë vëllaun?
Metë Shala: 25 vjeçar ka qenë vëllau, vrasësi 35. Vitin e tretë fakultet juridik, një student shembull, një student i mirë, e donte jetën ishte afërt i dashun. Ai s’e ka besu që i ndodhë edhe ajo prej, prej atij qeni. Kish shku për me kriju motivin me vra. E kish qitë djalin e vallavit të vet në vitin e parë në gjimnaz në Pejë, në bjeshkë me dalë me rreh djalin e vallavit pesë vjeç, djalin e vllavit të madh në Gjermani, pesë vjet, gjashtë vjeç qashtu. Edhe ky kur e sheh t’u e rreh djalin gjashtë vjeç, djali 16-17 vjeç, ky, “Ma! Ma!” Bërtiti, birtiti, shkon ia kap shtagën, ia jep tri-katër shtaga, ia kap shtagën prej dorës që e ka sulmu djalin pesë-gjashtë vjeç edhe ia jep nja tri-katër shtaga trupit i mshon djalit atyne.
Ai shkon t’u kajt. Edhe ky vjen edhe ngatërrohet edhe i thotë, “Del ka!” Në prezencë të nanës i bjen revole, në prezencë të nanës, që unë nuk muj me marrë me men. Mirëpo, ai nga frika se ne do të hakmerremi, sepse e ka pasë rreh edhe mikun e shpisë edhe mikun e shpisë e ka pasë rreh pas vjedhjes edhe tash t’u friksu se tani jemi me mikun bashkë mos po bojmë ndonjë vrasje, ndonjë hakmarrje. S’kem pasë qysh me bo hakmarrje për ni plonc, ose ndonjë vrasje. Për shembull mikut, ne gjithmonë prej mikut kemi insistu që ai me tregu durim për hatër tonë për shkak se jemi afërsi djem tezës. Ata nga frika veprun këtë mënyrë me na bo vrasje.
[Video-intervista është prerë me kërkesën e familjes.]
Erëmirë Krasniqi: A i çuat në burg ju ata, ai i paditët, a u dënua rasti?
Metë Shala: Jo, ata, ata nuk i paditëm na. Na shkumë si dëshmitar me tregu qysh ka qenë ngjarja, ata…. Ai u gradu, ai u gradu, ai u lëshu, mas 16 mujve u lëshu në shpi.
Erëmirë Krasniqi: Qysh e shpjegoni këtë?
Metë Shala: Po, unë e spjegoj këta se në Mal të Zi, Bjelopolje, qysh lëshohet njeri për vrasje? Për shembull po e vret, po e vret njeriun edhe po lëshohet mas 16 mujve, kjo nuk spjegohet. Mirëpo, ata [shteti i Malit të Zi] shumë u dëshprunë në neve, shumë u mllefosën në neve pse na e kemi falë gjakun këtu edhe këta kishin çu si dëshmi atje për m’i kriju vetit rrethana lehtësuese, “Neve na kanë fal gjakun, ju s’keni nevojë t’na denoni”, edhe ashtu doli, ai u liru prej burgi.
Erëmirë Krasniqi: Mas sa kohe ua falët ju gjakun, a menjëherë?
Metë Shala: Jo, me 17 mars, 2000 është falë gjaku, asi ‘90-tën, 17 mars, 90-tën u falë gjaki. Më fal se e përziva, ‘88-tën është vra, 17 mars, ‘90-tën, është falë gjaku. E tash u liru ai prej burgut.
Erëmirë Krasniqi: A po na tregon qysh u bo pajtimi, a veç ia keni falë, a jeni pajtu, a ka pasë ndërmjetësim?
Metë Shala: Po shiqo, shiqo, kjo është… ky gjak i ashtë falë Kosovës. Nuk iu ka falë atyre gjaku, s’kam drejt m’i fal gjak të kërkujt. Mirëpo, me ardhjen e plakut Anton Çetta, me ardhjen e Mark Krasniqit, Azem Shkrelit, me ardhjen e rinisë së Kosovës, Have Shala, Ethem Çeku, Adem Grabovci, më kujtohen shumë, Bajram Kelmendi i ndjerë, shumë e shumë më kujtohen kanë ardhë, rinia Rizë Krasniqi, Sali Cacaj kanë ardhë shumë e shumë të cilët kanë kërkua që është momenti historik që Kosovës duhet t’i falën ngatërresat edhe gjaqet Kosovës, por jo vrasësve, jo vrasësit. Edhe me të vjedh edhe me ta rreh mikun e shpisë edhe me të vra, kjo diçka shumë, shumë e ranë. Mirëpo, unë atë kohë merresha me…
Për shembull u vra i riu i Kosovës Fatmir Uka, u vra në Nëbergjan Gani Daci, u vra Qamil Morina në Loxhë, u vranë rinia në Kosovë në demonstrata, tona anët vriteshin. Edhe tash unë lakmojsha të jam i vdekur qysh ishte Fatmir Uka. Çfarë vorrimi madhështor, me mijëra, mijëra njerëz, ishte vorrim madhështor edhe ishte gjak për Kosovën, me dy gishta t’u lyp demokraci ‘90-tën, ‘91-tën.
Kështu që plaku Anton Çetta edhe rinia e Kosovës, sidomos Have Shala, Nurije Zeka mos t’i harroj, kërkoj falje nëse harroj dikë, kur ata thojshin, “Kush s’ma ka falë gjakin kësaj stine, Kosovës ia ka dhanë një thikë pas shpinë”. Ajo ishte një thirrje, një kushtrim për, për mos me pasë vëllavrasje dhe mos të bëhemi ushtarë të Milosheviqit, por të bëhem njerëz të Kosovës. Të bashkum mos të rrudhim shpinën ndaj njoni-tjetrit në rast luftës eventuale, të jemi bashkë për m’i qëndru, m’i qëndru, m’i bo ballë luftës edhe si unik, pa ngatërresa, pa vrasje, pa gjakmarrje të jemi ma të fort. Shembull, falte, motrat e falshin gjakun e të vetmit vlla, në maj te Verrat e Llukës, ku murrën pjesë nëse s’gaboj gati gjys milioni njerëz.
Erëmirë Krasniqi: A keni qenë atje?
Metë Shala: Kam qenë atje dhe gjithë ditën kam kajt kur i kam pa sa gjaku u falë atë ditë.
Erëmirë Krasniqi: A po na tregon në detaje atë ditën kur kanë ardhë njerëzit me ju pajtu juve? Kush ka ardhë, qysh e kanë prezantu rastin?
Metë Shala: Po, kanë ardhë, këta që i përmena, e shumë e shumë të tjerë që s‘më kujtohen. Kanë ardhë edhe u kanë thanë djemve, “Kosovës i keni borxh”, mu, vallaut t’madh, vllaut t’vogël. E insistojsha që edhe unë që Kosovës t’ia falim gjakin. Ate e tha plaku Anton Çetta, merrte shembuj shumë bindës, tha, “Ramë Binaku,” a Ali Binaku nësë s’gaboj tha, “i Dashinovcit, Malsisë ia kanë vra dy djem, u hi e ka fal xhenazën mes dy djemve edhe e ka thirrë vrasësin i ka thanë, ‘merri me dorë tane lëshoj në dhe.’ E n’i paqe vra pa faj i paqsh në qafë këtë dyje e n’atë dyje.” Edhe thotë, “Nëse këta t’kanë bo faj ty”, thotë, “e paqin vetën n ’qafë. Nëse i ki vra pa hak, pa hile, i paqsh në qafë këtë dynje e atë dynje”. Edhe ia falë gjakin dy djemve. Domethanë, merreshin shembuj kështu shumë prekës e bindës.
Kryesorja ishte se Kosovës i duhej ai pajtim, sepse i vinte era luftë. Dihej se kur ishte në gjendje me luftu me Kroat e Boshnjak që veç feja i ndanë edhe vllazën jonë. E sa herë grritheshin edhe puthëshin ata, e dijshim që edhe neve ka me na gjetë e zeza, ka me na ndodh, ka me na gjetë lufta, bile të papërgatitun qysh na gjet.
Erëmirë Krasniqi: A iu çunë fjalë atyne? Këta pajtimtarët a iu çunë fjalë atyne të tezës që ju ua keni falë?
Metë Shala: Shkun ata atje, edhe këta lypshin me shku dikush prej neve. Na e autorizum njenin një baxhanak të vllaut të madh. E autorizum me shku me ata, na s’kemi shkum atje. Kjo nuk është… atyne s’ia bojmë hallall kurrë se është e panevojshme, e pakapshme. Kurrfarë arsye s’ka pasë bre, na jemi befasu, jemi habit, po qysh vritet? Edhe me të vjedhë, me ta rreh mikun edhe me ta rreh djalin e vogël. E ky tash iu ka kundërpërgjigj me dy tri goditje me qatë thupër që e ka pasë në dorë ai djali i tynë i madh n’gjimnaz, edhe me të vra, këta se ka prit kush. Këta veç njerëzit, veç fotografinë e njerit e në brendi [janë] shtazë, shtazë e egër.
Erëmirë Krasniqi: Privatisht ju më tregutë qysh i keni gjetë pajtimtarët te shpija, a na kallxon pak qatë atmosferë?
Metë Shala: Një javë para se, një javë para se me falë gjakin, e shtunde ka qenë, kom ardh nga qyteti e kom gjetë plakun e urtë e t’mençur Anton Çettën bashkë me Riza Krasniqin, me Havën edhe me Nurije Zekën. Po, unë atë ditë një koincidencë e kom ble librin e Anton Çettës që kishte dalë nga shtypi, “Tregime dhe Prallëza nga Drenica”. Kur kom hy në odë e kom gjetë plakun Aton Çetta, e kom lonë librin pështjellur anash dhe jom përshëndet me ta. Në bisedime, t’u bisedu me plakun e urtë Anton Çetta, Riza e ka shpalos librin nga mbështjellja që ishte, e ka shpalos e ka pa librin e Anton Çettës dhe ia ofroj i tha, “Ja Profesor,” tha, “intelektuali qe vjen nga qyteti me çka vjen,” pa e ditë ata që edhe unë pa e ditë që do te më vijnë ata, ajo ishte ni koincidencë. Dhe ky është ai libri i atëhershëm {tregon në kamerë} që ka shpëtu, që mua m’u ka djeg biblioteka në luftë me tre, rreth tre mijë ekzemplar libra e gazetash të ndryshe, dhe e la ni shkrim.
Erëmirë Krasniqi: A po e lexoni?
Metë Shala: Po, thotë, “Metë Shalës me nderimet më të mira e shumë suksese në punë, përzemërsisht Anton Çetta.” Me dy T- ja, Çetta, do të thotë, Tërsenik, 10 mars, 1990. Dhe shtatë ditë mas kësaj dite është falë gjaku. Do të thotë dikun me 17 mars, 1990, u falë gjaku.
Erëmirë Krasniqi: Domethanë, ata fillimisht ju propozunë, mandej erdhën me marrë fjalën mas një jave?
Metë Shala: Ata na e propozun, edhe kanë punu shumë me vllaznit e mi, me familjen teme kanë punu, në mbramje, në shumë mbramje. Mandej unë isha, në ato vite isha drejtor shkolle në shkollën e fshatit Tërstenik. Vinte Hava e Nurija pa nda te unë në shkollë, vijshin dhe na përgatitshin. Kontribut të jashtëzakonshëm që ka dhanë, ka dhanë Have Shala me Nurijën e shumë të tjerë mos t’i…
Erëmirë Krasniqi: Çka ju thojshin, çka bojshin pajtimtarët, çfarë argumente ju jepeshin për me falë? Pse e kishit vështirë ju, a kishit mujt me na tregu pak për këtë pjesë?
Metë Shala: Po jepshin argumente se rinia e Kosovës e ka marrë këtë iniciativë për qenë të bashkuar mos me qenë të përçamë neve, që me na gjetë armiku të përçamë me na ndodhë pastaj ni luftë e brendshme. Armiku, sikur të kishin ndodhë vrasjet e hakmarrjet ngatërresat që kanë ndodhë, sikur mos të ishin ba pajtimet ‘90-tën, viteve të ‘90-tën, ‘91 e ‘89-tën, sikur mos të ishin ndodhë pajtimet, do të ishte bo një luftë e brendshme edhe armiku na kish gjetë të gatshëm [të dobët], atëherë s’do të kishim mujt na me luftu armikun. Dhe kështu me këto, me këto bindje i duhet Kosovës falja, pajtimi, i duhet pajtimi i gjaqeve në Kosovë.
Ishin të mllefosun që Serbia na i vrajke djemtë e rijë në demonstrata me dy gishta t’u lyp liri, barazi, demokraci, do të thotë shihej se kishin dhimbjen, dhimbjen tonë. Ata ishin kërkushi [dorasit], me i vra duhej dikush me shku në burg. Nji vlla ishte në dhe, tjetri po të shkonte në burg, familja ishte e gjanë duheshin shkollu, vajza shumë në shpi, e ishte shumë shthurje edhe nji shthurje e re. I shihshim, për shembull, djalin e vallait të ndjerë, çikën e vllait të ndjerë, ata kishin nëvojë për rritje, për shkollim, për interesim, për përkrahje. E dishim se me na ndodhë ndonjë vrasje e tyne, m’u hakmarrë, me vra dikon prej tyne ndodhin fatkeqësi të reja, familja metët keq, e shkollimi e kështu me radhë. Kështu që, u dashke me menu e m’u bo kurban edhe i atdheut edhe i familjes edhe me dalë diqysh në pah me një dozë ndere ai gjak i vllait.
Erëmirë Krasniqi: Ju s’keni mendu kurrë mu hakmarrë, apo?
Metë Shala: Me ta thanë të vërtetën, ajo ka lanë pasoja në mu. Komplet një vit e gjysë kam menu me u hakmarrë. Edhe ka lanë pasoja në mu ajo sepse osht’ një botë e kundërt, artin kur e ki, muzikën kur e ki, kur i donë, për shembull, fëmijët në shkollë, kur e donë landën tande me këndim, me art, me muzikë, kur e donë… din çka osht’ pianoja, çka osht violina, çka janë instrumentet muzikore, çka osht’ orkestra, simfonia, sonata, koncerti uvertura. Kur menon me degju muzikë serioze me muzikën popullore, kur menon për artin, edhe m’u kthy për 180 shkallë në të kundërtën, ajo të len pasoja të çon krejt tjetër kah. Osht’ një jetë me plot trishtim, një jetë në ankth, me vuajtje me plot të zeza, sheh fëminë jetim në shpi s’je në gjendje fëmiun tond jetim me marrë në prehën.
E sheh, për shembull, vjen vllau prej Gjermanie i thotë çika, “E pse mixha Shaban nuk ma ka marrë edhe babën tem prej Gjermanie, me ma pru me mshef prej policëve në kerr mbrapa karriges së vet?” Ato janë momente që lanë pasoja ato janë momente të rana, është situatë shumë e ranë, e trishtë, është lemeritëse me t’u vra vëllau prej djalit të tezës që i ki nanat motra me to. Edhe pa arsye, pa arsye, s’kisha mujt me ba me marrë me men me vra i ata, ose vllau jem s’e ka prit ata, as s’e kemi prit, se s’e kisha lanë vllaun aty, s’isha dalë në bjeshkë hiç, i kisha shit ato bagti të dreqit tash për atëherë, qysh i shitëm, qysh mujtëm me jetu mandej pa ato, po hajt verbu sysh edhe…
Erëmirë Krasniqi: Domethanë, ju ka shliru edhe juve personalisht edhe familjen kur ia keni falë për Kosovën?
Metë Shala: Osht’ një lloj shlirimi, se ti tash nuk po mendon mo me… ti ia ki dhanë besën atdheut, rinisë Kosovës, ia ki falë Kosovës edhe tash je shkarku prej qasaj barre që ti duhesh m’u hakmarrë, osht’ një lehtësim.
Mirëpo, me ta thanë të drejtën në një mënyrë jemi, çdo familje q’i i ka kontribu pajtimit të gjaqeve në Kosovë, që ka falë gjaqe, ngatërresa, jemi të dëshprun. Ja pse, i shkojnë te vorret dëshmoreve me çdo respekt, po kush i shkon te vorri vllaut tem përveç meje, familjes së ngushtë? S’e dinë kush, s’e ngjeh kush atë punë, atë kontribut. Në një mënyre, është një lloj kontributi edhe nuk ka dalë në pah qai gjak.