Burgu
Shukrije Gashi: Unë jam arrestu në vitin 1983… Në ndërkohë ndodhën arrestime n’Gjilan, n’qytetin e Gjilanit. N’atë kohë, Nuhi Berisha, i cili atëherë përveç që ishte anëtar i Lëvizjes dhe ishte bashkëveprimtar i imi, ishte edhe i dashuri im, më njoftoi që në Gjilan kanë fillu arrestimet dhe që ekziston mundësia… do t’ekzistonte mundësia që edhe ne të arrestoheshim. Dhe, unë e luta me t’madhe… meqenëse Nuhiu ka qenë edhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare t’Kosovës dhe që ai, domethanë qëllim kryesor e kishte edhe themelimin e Ushtrisë, e luta, dhe biseduam që ai duhej ta lëshonte Kosovën, sepse në këtë drejtim ishte shumë më i përgatitur sesa të tjerët. Dhe pastaj u vendos që ai të largohej.
Një mëngjes herët, mëngjes prilli, unë shkova në shtëpinë ku ai banonte për t’biseduar me te, se çfarë duhej unë më pastaj t’bëja si anëtare e Lëvizjes. Para se të nisesha, ra zilja e telefonit n’shtëpinë time dhe bisedova me babain e Ahmet Isufit, dhe ai më tregoi që Ahmeti ishte arrestuar. Natyrisht, atëherë jemi thirrë me pseudonime, sepse përgjimet e telefonave kanë qenë domethanë n’funksion me t’madhe. Herët e mora informatën, shkova që ta ndajë këtë informatë me Nuhiun, sepse e dija që tashma ky ishte shumë i rrezikuar. Biseduam me te, se cilat material do t’duhej të asgjësoheshin krejt, dhe cilat mundësisht të ruheshin, dhe kujt t’i dërgoheshin? Unë e kam pasë rrethin e gjanë të shoqeve… edhe me ato që kanë qenë në studime. Disa nga materialet vendosa që t’i ndaj me nji shoqen timen, që ajo t’gjente mundësi për t’i strehuar, për t’i fshehur diku ato, meqenëse pushteti më shumë dyshonte në familjen time sesa t’sajën. Dhe ashtu u vendos që t’bëhej.
Pasi që bisedaum për detyrat, e dija që largimi i Nuhiut mund t’ishte edhe hera e fundit që do t’shiheshim. Sepse nuk i dihej fatit tim, as t’atij. Isha shumë e sigurt që policia dhe UDB‐ja na përcillte hap pas hapi. Dhe kjo do t’ndodhte! Që sigurisht unë do t’arrestohesha! Dhe pasi që i mora ato materiale që duhej per t’i shpërndarë… duhej për t’i strehuar, dola në rrugë. U përshëndetëm me Nuhiun, dhe derisa vazhdova t’eci, u ndala për pak, e ktheva kokën pas edhe një herë. Dhe ajo ka qenë hera e fundit që e kam pa, domethanë në prill të vitit 1983. Në krye të lagjes, n’fund të lagjes në t’vërtetë, pashë dy agjentë që po prisnin. Dhe atëhere mu deshtë që ta shmangë rrugën. Të hy në një rrugicë tjetër, që përmes deriçkave, nga shtëpia në shtëpi, të dal në rrugën ku banoja unë, në mënyrë që t’i shmangesha rrezikut.
Mbeta me brengë të madhe, sepse tash nuk isha e sigurt se a kanë arritë të njejtit agjentë që t’i binin në gjurmë që Nuhiu ende ishte aty, apo jo? Kur mbrriva tek ura e lumit Prishtevka, që tash nuk është më, sepse është mbuluar, po ashtu aty pashë një agjent tjetër i cili shikonte, dhe priste dikend. E sigurisht m’ka pritë mua, se s’ka pasë kend tjetër ta pret! Dhe, në vend se ta ktheja rrugën për t’shkuar në shtëpi, u futa në treg. Pa pasur nevojë. Vetëm që t’i shmangesha mundësisë që të mund të arrestohesha ose të shihesha nga ai. Dhe nga larg, e vështroja. Pritsha aty, prita një kohë të gjatë derisa filloi me ra muzgu, nuk shkova në shtëpi. Kur mbrriva në shtëpi, bisedova me vajzën e axhës, e cila po ashtu ka qenë aktive, Emine Gashi, tash Rexha, e cila është e martuar në Dibër. Kemi qenë të së njejtës gjeneratë. Dhe i tregova, i thashë, “Duhet…mu m’duhet t’bëj diçka patjetër, sepse UDB‐ja na ka ra në gjurmë. Unë i kam parë agjentat sot, Ahmeti është arrestuar, domethanë t’gjitha shenjat janë që rreziku do t’na përfshinë edhe neve, kështu që m’duhet t’baj diçka që… ose largohem për nji kohë, ose t’ik krejt nga vendi, t’mos bie n’duart e policisë”.
Ditën tjetër, herët në mëngjes, ne kem’ dalë me ble këpuca. Kam shiku që t’jenë këpuca t’rehatshme, që më lehtë me mujtë me vrapu (qeshë), me ju shmangë rreziqeve. Derisa… atëhere quhej domethanë Boro Ramiz, sot Qendra Sportive, atëherë quhej Boro Ramizi… derisa unë po futesha nëpër shitore të ndryshme që t’gjeja këpuca të përshtatshme, vajza e axhës e kishte hetuar, pikasur një agjent i cili na përcillte. Bile, jo vetëm vajza e axhës, por edhe shitësi në shitore e kishte vërejtur këtë lëvizje dhe mu lut që t’futesha aty ku provoheshin… brenda ku… në nji pjesë t’lokalit, dhe aty të rrija derisa t’largohej agjenti.
Mu m’bëri përshtypje shumë positive, dhe në të njejtën kohë ishte befasuese, se nga e dinte ky shitësi që kend po e përgjonte ai spiun?! Por ai shitësi e kishte ditur që ishte një nga agjentët e njohur domethanë të UDB‐së, dhe doli edhe vetë para shitores, për t’u siguruar se kur do t’largohej. Momentin që e pa se ishte larguar më thirri dhe më tha, “T’lutem shpejt, dil nga pjesa e epërme e ndërtesës!” Nga hyrja e epërme dhe ashtu vepruam. Nga aty pastaj, i kemi dhanë me vrap me ecë dhe përsëri nga larg, vajza e axhës i ka pa disa agjenta tjerë të cilët janë vu në lëvizje. Dhe kështu që domethanë në rrugët anësore kemi arritur që t’mbërrimë në shtëpi. Aty u morëm vesh, që tashma rreziku ishte i qartë dhe duhej t’bërë diçka që t’i shmangesha arrestimit. (Ofshanë).
Ndërsa ne po bisedonim mes vete dhe të shqetësuara, nëna ime kishte hetuar që diçka nuk ishte në rregull. Dhe na pyeti se, “Çka keni kështu? Pse jeni të shqetësuara?” Mu m’u drejtu, “Pse aq herët thirri dikush n’telefon? Ku ishe? Çka po ndodhë kështu? Pse mbani fshehtë diçka nga ne? Çka po ndodhë?” Unë thashë, “Asgja! Këto janë normale, është kohë e keqe, arrestimet po ndodhin gjithandej…” I tregova edhe për Ahmetin që ishte arrestuar, dhe pastaj tha, “Kjo s’qenka punë e mirë hiç! Domethënë, së shpejti radhën e ke ti!” “Po…” thashë, “s’është e papritun, mundet me më ndodhë që… Mos t’ju bjen befasi kjo punë, më mirë ta dini”.
Natyrisht, në shtëpi kishte materiale të shumta, domethanë të cilat i kishim hartuar për t’i shpërndarë, por në të njejtën kohë edhe ndikimi, frymëzimi nga këto materiale kishte shkuar aq larg sa që edhe vëllezërit të cilët ishin shumë më të rinj nga unë, edhe në fletoret e tyre t’shkollave, kishin shkruar domethanë… gjeje shkrime të tilla si “Kosova Republikë”, “Kosova…” “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, e të tjera. “Kosova është e jona” e kështu, “Trepça është e jona,” parulla domethanë të cilat ishin thirrur e përfolur edhe gjatë demonstratave të ’81‐shit. Mandej edhe vizatime me përmbajtje kombëtare. Vizatime edhe përqeshje të pushtetarëve të atëhershëm edhe shqiptarë, me skica të cilat ata i prezantonin me karakteret e tyre ashtu çfarë ishin, duke i karakterizuar me kafshë të ndryshme, e kështu. Dhe për këto të tjerat domethanë, për këto që… përqeshjet për pushtetarët, nuk kisha shumë dijeni, sepse s’ma ka marrë mendja që edhe ata po merren me këtë çështje (qeshë).
Dhe, megjithate, vendosa që t’shkoj te axha, te babai i Emines dhe djalit axhës. Po e theksoj me qëllim, Njazi Gashi, sepse edhe ai në vitin ’81 është dënuar me nëntë vjet burg. Shkova në familjen e tyre, që domethanë t’largohem nga shtëpia. Atë natë, nuk m’kujtohet saktësisht, po dikush fejohej. A te ky axha ku kam qenë, a te axha tjetër që ishte në shtëpinë ngjitur me shtëpinë e babait të Emines, nuk e di, por e di që një ngjarje e tillë zhvillohej. Derisa aty këndohej, për shkak të fejesës domethanë, policia veç kishte rrethuar shtëpinë time dhe ishin fut brenda. Edhe n’shtëpinë time, edhe t’axhës tjetër, ku jetonte gjyshja. Atëherë, nuk e di pse, domethanë ndoshta intuita, mu duk’ sikur dëgjova nga jashtë sirenën e kerreve të policisë edhe përnjiherë brofa n’kambë, kështu {brofë nga vendi}, e shqetësume. Thashë, “Uh, Zot! Sigurisht policia!” Vajzës t’axhës i thashë, “Une…” thashë, “Duhet t’largohem nga këtu”.
Dhe doli që të ishte ashtu. Pastaj fillunë ato të rrahurat e randa në dyert e shtëpisë, goditjet nga ana e policisë dhe agjentëve t’UDB‐së. Unë me vrap u futa në tavan, kulmin e shtëpisë, nga aty dola, kërceva murin, dhe dola tek fqinjët e axhës. Policia ia behën. Aty e kanë arrestu vajzën e axhës, këtë që ishte moshatare e imja, Eminen. Në të njejtën kohë, e kishin arrestuar edhe motrën time t’vogël, Hilmijen [Higin]. Dhe babai ishte po ashtu i arrestuar, nji djalë i axhës t’madh… Që të gjithë këta ishin marrë në polici dhe po mbaheshin atje. Vajza… gruaja e axhës, që ishte po ashtu edhe tezja ime, ishte mjaft e shqetësuar dhe në mëngjes herët domethanë, u ktheva, e lashë shtëpinë e fqiut, dhe u ktheva tek axha, dhe vendosëm që ta lenim Prishtinën.
Dhe ia mësyem fshatit të tezes, domethanë të shkonim tek dajët e mi. Bëmë rrugë tetë orë në këmbë. Gruja e axhës më këshilloi që unë ta veshja një mantil, domethanë mantil grash, edhe një palë… atëherë i quanim dimija, kule, që ma t’vogla se sa dimijat ishin kulet. Tha, “Se ndoshta kështu maskohesh edhe nuk bjen shumë në sy”. Edhe pse s’ndihesha rehat hiç, në rradhë të pare sidomos jo, sepse ishte në kundërshtim me natyrën time dhe nuk dëshiroja që të identifikohem me veshje të tillë. Megjithate, pranova. Kur arritëm në fshat, dhe që duhej t’ecur domethanë kodrave dhe ishte shumë e vështirë, u desht’ që t’i hiqja kulet, sepse s’kishte mundësi ma (qeshë). Duke shikuar lart në qiell, pashë se policia ia kishte behur me helikopter. {Tund kokën}. Dhe atëherë bashkë me axhën Fehmi, morëm drejtimin e pyllit, jo më kodrinave, po pyllit, në mënyrë që t’i shmangeshim ndjekjes. Dhe u futëm thellë në pyje të dendura. Atje domethanë, nejtëm derisa u err dhe nuk shihnim asgjë.
Kur u errësua, ne arritëm tek dajët dhe për shkak të… domethanë presionit t’madh, dhe për faktin që edhe ata ishin të… thjesht shenjuar nga pushteti, biseduam për mundësinë e qëndrimit, ose të joqëndrimit. Unë gjithmonë… edhe axha edhe unë, gjithmonë kemi insistuar që nëqoftëse nuk ndihen rehat me praninë time aty, që unë t’mos të qëndroja. Sepse isha e vetëdijëshme që kudo që t’shkoja, secila familje do t’rrezikohej me praninë time. Disa nga ta, ishin të mendimit që duhet të rrija, natyrish jo t’gjithë, sepse jo t’gjithë njerëzit ndajnë të njejtin mendim, dhe për këtë, unë kisha mirëkuptim. Vendosa që bashkë me dy dajtë e mi, me dajën Fazli dhe dajën Dalip, të cilët kanë qenë edhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare t’Kosovës, e daja Dalip edhe është vra gjatë luftës së fundit në Kosovë… i cili ka qenë edhe pjesëmarrës i të gjitha demonstratave që janë zhvilluar në Kosovë, vendosëm që përsëri ta marrim malin. Domethanë të isha… të qëndroja atje, por duhej që të rrija në pyll. Në një pjesë ku ishin varrezat e vjetra, sepse mendonim që në varreza sigurisht nuk do t’vinte policia.
M’kujtohet një rast… domethanë në çdo rrethanë ekzistojnë momente kur edhe zhvillohet humor. Dhe nuk e dija, meqenëse ishte terr, dhe në dritë të hënës nuk arrita që ta vërej që ato ishin varreza. Nuk e dija ku ndodheshim dhe jam ulë me ni vorr, pa ditur se ku isha (qeshë). Dhe duke shikuar përreth {e hedh shikimin anash}, në dritë t’hanës pashë disa shkëndija që shpërndaheshin. Ata që të dytë e kanë ditë, po kanë mendu që në qoftëse më tregojnë ka me u frigu. Edhe po pysë une, “Pse more, çka po ndodhë? S’po kuptoj! Çka janë këto kandila, shkëndija që po shpërndahen n’ajër?!” Ata u panë mes vete, edhe fillunë me qeshë. Dhe më thanë, “Ëë, shumë mirë! Ti që po ban përpjekje t’luftosh për t’drejtat e njeriut, po i shkel t’drejtat e dikujt që tash momentalisht është nën ty.” Edhe unë pashë përreth, përsëri nuk arrita me kap qëllimin e kësaj thanie. Edhe fillunë t’qeshin. Thashë, “More burra, tregoni për çka e keni fjalën se s’jam kah kuptoj çka po ndodhë këtu, me këto kandila.” Thashë, “Se s’lodhem unë! Kushdo qoftë, folni! Çka është kjo punë?!” Atëherë, daja Dalip tha, “Shiqo…” tha, “Këtu jemi në vorreza”. Tha, “Se ma sigurt sesa këtu s’je askund” (Qeshë). Atëherë e mora vesh që isha ulë mbi një vorr (qeshë). Dhe kështu! {Tund kokën}.
Mirëpo mandej e dinim që policia, agjentët… morëm informata që vazhdimisht interesoheshin, i merrnin në pyetje edhe babain, edhe motrën, edhe të tjerët, dhe vendosëm që unë të largohesha diku më larg sesa tek dajët. U zhvillu organizimi. Arrita që me ndihmën e dajës Dalip, axhës tim, të ndjerë tani që të dy, Fehmiut, dhe një mik të vëllaut të gruas s’axhës me pietet emrin, Rama. Ka qenë një burrë nga Majanci. Majanci, fshati Majanc që ndodhet në Llap. Kur ai ka marrë vesh se për çfarë arsye unë dua që t’kaloj në ilegalitet, t’largohem, ka marrë domethanë kamionin e tij, dhe me kamion t’tij, bashkë me mikun e tij Jahirin, i cili ishte vëllau i gruas t’axhës dhe dajën tim Dalipin, të më dërgojnë deri në Ferizaj, për strehim në një familje tjetër.
Në atë familje kam ndenjur një javë. Ka qenë familja Lekiqi, dhe aty gruaja e zotit t’shpisë kishte qenë kushërirë e imja por që nuk e kemi ditur njëra për tjetrën. Nga aty, vendosëm që unë të shpërngulesha, domethanë ta ndërroja vendqëndrimin, t’kaloja në Prizren, në nji familje tjetër, në mënyrë që t’i shmangeshim mundësisë për t’u zbuluar nga ana e policisë. Pastaj në Prizren, kam ndenjur tri javë, ose më pak. Nuk jam shumë e sigurtë për kohën! Dhe për t’iu shmangur rrezikut, netët i kaloja poashtu në varrezat e vjetra të qytetit. Domethanë, pothuajse çdo mbramje e kam kaluar aty, deri në orët e hershme të mëngjesit. I zoti i shtëpisë, ka qenë një burrë trim, i cili e kishte humbur njërin sy në luftë, duke qenë anëtar i Ballit Kombëtar. Një patriot i flaktë, i cili më thoshte, “Ndihu rehat! Veç ti që po insiston me shku n’varreza, sesa për mu edhe familjen, ti lirish mundesh me nejt këtu. Po e sheh këtë pushkë vjerrun? Deri n’plumin e fundit ka me t’mbrojtë!” Mirëpo, me gjithë përkushtimin e tij, unë nuk kam dashur që ta rrezikoj familjen, dhe vendosa kështu, domethanë që mbrëmjeve të shkoja tek varrezat e vjetra të qytetit të Prizrenit.
Pas disa kohësh mora informatën që do duhej t’takoheshim me disa shokë t’Nuhiut, dhe nga aty pastaj që t’kaloja bashkë me djalin e axhës, i cili po ashtu përndiqej në të njejtën kohë, Muhameti… nga policia, që ne të kalonim përmes Sllovenisë, dhe pastaj të vazhdonim për në Zvicër, për t’u takuar me Nuhiun dhe të tjerët. Fatkeqësisht, grupit të cilit… i cili ishte paraparë që t’takohej me ne, për ta organizuar udhëtimin tonë për në Slloveni, i kishte rënë në gjurmë policia. Dhe, kur djali i axhës ka mbërri në vendin ku do t’duhej të takoheshin, nuk e ka pa askend. Më vonë është njoftuar që, dikush nga ata ishte arrestuar dhe kjo kishte qenë arsyeja pse nuk ka mund të zhvillohet takimi.
Atëherë, vëllau i madh i djalit t’axhës, edhe axha, edhe t’gjithë ne vendosëm… u vendos, ndonëse pa vullnetin tim, ju them thjeshtë, që ne duhet… ne duhej të ktheheshim në shtëpi, dhe për mu ishte shumë e rëndë që të dorëzohem. Dhe kur u ktheva në shtëpi, gjithmonë kam mendu se duhet t’gjetur një zgjidhje tjetër, jo të dorëzohem. Bisedumë edhe me djalë t’axhës, edhe një mik i tyre iu kishte thënë që, “Ikja nga një padi e tillë, nga një akuzë e tillë do t’jetë shumë më e rëndë, pasi që të informohen organet që keni ikur, dhe që pasi që t’ju kapin, nëse do t’ju kapin, dënimi do të jetë i shumëfishtë. Kurse derisa s’ka ndodhë ikja më lehtë do ta kenë.” Dhe u vendos kështu. U ktheva pas gjithë asaj kohe në ilegalitet, në shtëpi. Gjatë gjithë kohës më është dashur që t’rrija në tavanin e shtëpisë t’axhës. Një shtëpi e vjetër.
Babai, siç e thashë edhe më herët, ka qenë një njeri shumë i hapur, shumë liberal, me mendime shumë… me pikëpamje liberale, dhe e dinte që isha në lidhje me Nuhiun. Një ditë erdhi tek unë në tavan ku rrija dhe më tha, “Shuki, ti je vajza ime, t’lutem t’flasim hapur! Ndihu e lirë të më tregosh se a ke fjetur me Nuhiun? Sepse unë jam prind, dhe ti e din shumë mirë që mund të ndodhë të arrestohesh. Dhe eventualisht ndonjë… po të ndodhë shtatzania, do t’jetë shumë vështirë për ty në burg.” Unë i tregova që t’rrinte pa merak, t’mos bezdisej sepse kjo s’kishte ndodhur. Dhe ai më pyeti disa herë, “T’lutem, ndihu e lirë! Ti e din shumë mirë që për t’gjitha gjanat kemi besedu edhe ma herët. T’kujtohet që në moshën 18 vjeçare… edhe kur e ke pasë menstruacionin e parë domethanë që n’moshën para të 13‐ave, ne kemi biseduar. Ke qenë ti dhe unë që e kemi biseduar! Këto janë çështje normale. Të gjitha këto ndihu e lirë që t’i bisedosh me mu!”
Unë e sigurova që s’kishte ndodhë dhe s’ka për t’ndodhur shtatzania, dhe pastaj u ndie rehat në këtë çështje. “Unë…” tha, “bija jem, asniherë nuk të jam përzier në jetën tane. Bënja si ti mendon që është më së miri për ty. Le t’jetë vendim i yti! A dështiron ti me mbetë, ose me u largu. Dhe, a dëshiron ti me e vazhdu, apo jo rrugën tane. Asht’ e vështirë, po nëqoftëse mendon me ra në dorë të policisë, mendoje mirë çështjen që t’mos i marrësh në qafë të tjerët.” Atëhere iu betova që qoftë edhe me vdekje nëse më kushton, une s’do të nxjerrë asnjë zë nga goja. Do t’flas për vetveten, por jo për të tjerët.
Dhe, një ditë, normal herët në mëngjes, u dëgjuan goditje të forta në derë. Unë isha…jo në gjumë, por rrija në shtrat kot, sepse gjumi nuk më mirrte. Kur e di që në çdo moment t’pret që t’ndodhë një veprim siç ishte arrestimi, ti as s’mund të flesh. Kish’ ditë që e kisha lanë domethanë strehën time, që e kisha në tavan tek axha, sepse vendimi ishte marrë që duhej të dorëzohesha. Dhe, kur ranë… u dëgjuan të goditurat në derë dhe zilja, nana erdhi tek dera dhe më tha, “Shuki, dil…” tha, “se ata kanë ardhë!” Se i vinte rëndë që t’thonte, policia, UBD‐ja, e kështu tha, “Dil se ata kanë ardhë!” Edhe derisa unë po përgatitesha me dalë, ata veç ja behën shkallëve të ngjiteshin lartë. Dhe erdhën! Ishin tre veta. Lutfi Ajazi ka qenë kryesori. Pastaj ka qenë Zorani, një serb, dhe një tjetër që s’po m’kujtohet emni momentalisht. Berisha ishte. Është nga qyteti i Pejës. Tash është edhe… aktualisht i punësuar. Të gjithë këta erdhën, u përshëndetën me mu dhe me nanën. Nana i luti për kafe. U ulën që t’pinin kafe edhe mu m’thanë, “Bëhu gati! Se, duhet t’vish me ne!” Unë shkova drejt në banjo për t’u fresku dhe njëri nga ta më tha që, “Mos u vono shumë! Se s’kemi kohë!” Thashë, “Pa i pastru sytë dhe dhëmbët, nuk vij!”
Kur u bëra gati, mora me dalë… nuk e mora me veti jaknjen. Njëri nga ta i tha nanës, “Merre…” tha, “sjellja edhe jaknjen, se nuk i dihet.” Nana iu kthy edhe i tha, “Vajza jeme…” tha, “nuk ka ba kurgja të keqe!” Tha, “Unë po t’them loke, ma mirë, fol pak me za ma t’butë, se sa qysh po sillesh kështu.” Tha, “Se tash po t’thom, qika jote e ka krytë n’gërshanë.” “Qika jem…” tha, “s’ka arsye me u mërzitë. Çkado qi ka ba, i ka lypë drejtat qe i takojnë.” Edhe hiç… nana ka qenë shumë burrnore. “Mbaju! Mos ta ndinë hiç! Mbaju e fortë! S’kanë çka na bajnë këta.” “S’ke…” tha, “pse me pasë ti krytë n’gërshanë. Kurrfarë krimi s’ke ba! Me i lypë të drejtat e tua nuk asht’ krim.” “Hajt…” tha, “pasha nanën se s’kanë çka t’bojnë”. Edhe me t’thanë t’drejtën e mora ni lloj motivi edhe energjie, e fitova ni siguri me përkrahjen e nanës. Edhe deshta me u kthy me përqafë, “Hajt…” tha, “se shkurt është kjo! Phiii! Hiç, ti n’mramje këtu ki me ardhë!” {Rrah tavolinën me dorë}. “Hajt…” tha “se… e mozamakeq për shqiptarët! Edhe shqiptarë i thoni ju vetit!” Nana! Iu drejtu atyne.
Mora me i zbritë shkallët… natyrisht motra edhe vëllezërit, ata disa ishin, disa s’ishin se ish’ punë e shkollës. Edhe tek shkallët u ktheva edhe një herë. Ajo nuk zbriti. Sepse nuk ka dashtë me m’ligësu mu. Po nga lart, e çova kokën dhe e pashë. {E ngritë kokën lart.} M’përcillte edhe buzëqeshte me… ishte një buzëqeshje e idhët. “T’thashë…” tha, “njiherë. Maju! Se kurrgja s’ke ba! S’ke arsye hiç me u mërzitë, për kurrgja!” Dhe dola. Kur dola jashtë, domethanë para dyerve të hyrjes ishin mbledhë fqinjët, në të dy anët e veturës. M’vinte trishtim, jo për faktin që kishte ardhë policia, por për faktin që në mesin e fqinjëve kishte edhe të atillë që bashkëpunonin me policinë.
Kështu ndodhi arrestimi, dhe nga aty u dërgova në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Prishtinë. Dhe aty, për orë të tëra u maltretova nga po të njejtit inspektorë. Madje edhe një inspektore… dhe gardiane ishte. Zyra, Zyra, Zyra… qe s’më kujtohet mbiemri. Ishte nga ana e Deçanit. Nga ato anë dikah, Zyraja. Ishte Bashkim Kursani. Ka qenë nji nga inspektorët kryesorë në rastin tim dhe të anëtarëve të tjerë. Pastaj ka qenë Lutfi Ajazi, që e përmenda. Edhe ky inspektori që ishte nga Peja, Berisha. Dhe inspektorë të tjerë që hynin e dilnin, të cilët silleshin në mënyrë të çuditshme, të ndryshme. Domethanë ishte një sjellje e koordinuar. Ndërsa njëni vepronte kinse sillej në mënyrë të njerëzishme, posa hynte tjetri, e ndërronte sjelljen. Sillej në mënyrë të vrazhdë. Në mënyrë shumë të vrazhdë.
Derisa unë po merresha në pyetje nga Bashkim Kursani, inspektorja Zyraja, e bëri një veprim dhe gjest që ishte shumë i pazakonshëm. Bile edhe përçmues! Jo për mua, po për te. E ngriti fustanin përpjetë. Fundin që e kishte veshur. Dhe u ulë në prehërin e Bashkim Kursanit. Dhe i hodhi krahun përreth qafe. Dhe më tha, “Ti moj budallicë!” Kështu. “Çka po t’duket vetja?! Në vend se ta shijosh jetën, ti vendose që t’dergjesh e t’përfundosh nëpër burgje”. Ajo nuk e dinte se, më shumë sesa burgosja dhe ndoshta edhe përfundimi im në burg, n’ato momente, mu më preku dhe më dhimbte shumë sjellja e saj, përçmuese. Sepse kam dashtë me besu që tanë ato vite… edhe pse isha e re mjaft, isha vetëm 21 vjeçare, të angazhimit dhe të bindjes, se gratë, megjithatë t’shkolluara sepse ajo ishte e punësuar, do t’kishin një sjellje tjetër. Unë pashë se ajo fare nuk ishte në ngjarje dhe as që bënte pjesë në kategori të tilla. Përkundrazi, do t’krijonte përshtypje tek të tjerët se vajzat dhe gratë nuk dinë ma shumë sesa aq sa bënte ajo. Dhe vetëm e shikoja me dhimbje! Më vinte keq! Nuk i thashë asgjë më shumë sesa që, “Më vjen keq që je e tillë!” (Hesht).
E aty pastaj, me provokime normal të ndryshme, “Pse ke filluar aktivitetin? Kush janë anëtarët e tjerë me t’cilët ke kontakt? Kush janë organizatorët kryesorë? Ku ke qëndruar? Pse e keni ndërmarrë këtë aktivitet? Pse nuk ke dashtë me u anëtarësu në Lidhjen e Rinisë Jugosllave?” organizatat atëheretë rinisë që ekzistonin. “Çka t’duhet Shqipnia? Pse duhet me qenë Kosova Republikë kur Kosova Republikë është? Republikë është kjo! Çka don ti ma shumë, e ke Republikën tande, Serbinë?! Ti veç me trup je n’Kosovë me krye je n’Shqipni! Ne kemi me t’dërgu n’kufi mes Kosovës e Shqipnisë, krytë me ta pre e me ta lanë anej, e kokën knej…” E kërcnime të tilla për t’më cytur, për t’më shtytur që të flas. Dhe pata vendosur që t’mos flas fare.
Kaltrina Krasniqi: A kanë qenë torturat vetëm verbale, a kanë qenë edhe tortura fizike?
Shukrije Gashi: Ka pasë edhe rrahje, normal ato fizike janë pjesë e lojës së tyre. {E ulë kokën poshtë}. Unë asnjëherë sa i kam pasë prindërit gjallë s’i kam përmendë. S’kam dashtë me i lëndu ata. (Ofshanë). Atëherë ka hy Zorani. Me sa kam dëgju, nuk e di sa është e vërtetë ajo, ai është vra gjatë luftës. Ka qenë duke e thithur një cigare dhe meqenëse s’kam folë, e ka marrë cigaren edhe e ka fikë {e prekë ballin me dorë}… ma ka fikë n’vetull, n’ballë. Për me m’shty që t’flas. Dhe atëherë m’ka ra t’fiktë prej dhimbtës. Po siç thashë, vendosa mos me fol, sepse e kishim një betim si gra, që duhet me vdekë, por mos me fol. Sepse ishte ana tjetër, e cila duhej që ta kuptonte që ne ishim të forta po aq sa ishin mashkujt. Dhe pastaj, pas alivanosjes kur m’doli, fillunë me… përsëri me pyetje. Për fat të mire, unë e kam tensionin e ulët, dhe kjo m’ndihmonte që me u ligështu ma shpejtë për mos me mujtë… mos me pasë shancë me vazhdu. Ata, për me nxjerrë fjalë nga unë për organizimin, për shokët, për ata ta cilët ishin pjesëtarë, qëllimet e aktiviteteve, rrjetin e njerëzve, e t’gjitha, përdorën edhe një injeksion stimulus.
Dhe më vonë kam biseduar, kam hulumtuar me njerëz që ky injeksion stimulus kishte efekt dobësues tek njerëzit që e kanë tensionin e ulët. Dhe unë posa e kam marrë injeksionin, kam ra krejt. Për qata s’kam pasë mundësi me e zhvillu matutje bisedën. Nga aty, jam dërgu në burgun e Mitrovicës. Nuk kam pasë ide për veti, sepse kam qenë e alivanosur. Nuk kam ditë çka ka ndodhë, derisa kam hy… m’kanë futë në nji dhomë t’madhe, e cila quhej dhoma numër tre. E kam pa, e kam kuptuar atëherë që jam në burg, në bazë të… domethanë pamjes, shtretërit dhe batanijeve, kuptova që isha në burg. Për shkak të dobësimit, domethanë ligësisë, sepse isha edhe pa ushqim, edhe e maltretuar, nuk munda që t’rri n’kambë. Jam shtri përtoke.
Atëherë kanë ardhë do gra që janë ndodhur aty atë moment, janë gjetur. Nuk dija kush janë, edhe m’kanë hedhë ujë fytyrës. Pas pak u kthjella dhe m’pytën, “A e di ku je?” Thashë, “Jo, se di. Nuk e di a është burg, a spital!” Tha, “Jo, spital jo!” njëra tha, “Është burg!” “Mirë.” “Çka ke…” tha “kështu? Pse?” Thashë, “Nuk di çka po ndodhë, po vazhdimisht po m’sulmojnë kafshë.” Sepse ishte efekti i injeksionit. Jo tigër, jo luan, këto kafshët e egra. Ashtu e kisha përshtypjen. Halucinacione krijonin edhe isha në nji gjendje shumë t’randë. Edhe ato morën, m’vendosën në… me nji shtat në katin e parë, siç i quanin, sepse ato ishin kështu dykatëshe, shtretërit. Mirëpo fuqia nuk m’kthehej. Përsëri rashë në të njejtin ndikim që isha dhe, dikur fillova me pa edhe pamje të tjera që, kanë qenë shumë trishtuese. Edhe filloi një… thjeshtë ç’rregullim në të menduar. Sepse ato… ai ndikimi i injeksionit ka qenë shumë i randë (ofshanë).
Kaltrina Kransinqi: Çfarë çrregullime?
Shukrije Gashi: Gjarpërinj… që thashë. Sulm nga gjarpërinj… nga kafshë. Mandej edhe këto… çka t’them, personazhe nga horrori, të tilla. Edhe e thirrën mjekun. Nuk di çfarë qetësuesi m’kanë dhanë, veç e di që m’asht’ rëndu shumë koka, edhe m’ka zanë gjumi. Sigurisht ka qenë… simbas fjalëve të atyne grave… dikun kah ora katër e mëngjesit kam fjetë.
Kaltrina Krasniqi: Sa vetë keni qenë në nji dhomë?
Shukrije Gashi: Atëherë kanë qenë… pesë, bashkë me mu.
Kaltrina Krasniqi: A kanë qenë edhe ato aktiviste politike?
Shukrije Gashi: Fillimisht jo. Kanë qenë për vrasje. Ka pasë për maniak dhe forma të tjera por… më vonë mandej edhe politikisht. Jo besa, ka qenë politikisht njëra! Tash… t’ni fshatit të Suharekës.
Edhe të nesërmen, kam pasë probleme tjera gjatë ditës. Fillunë ngërçet nëpër duar and kambë. Aq shumë kam pasë dhimbtë nga reaksioni, saqë po mos t’më ndihmonte dikush {i prekë bërrylat dhe krahët me duar} kam qenë n’gjendje me i thy gishtat, duart. Ishte shumë i randë reaksioni i injeksionit. Nji gardiane që nuk ishte shqiptare, nuk e di çka ka qenë me përkatësi, sepse e fliste edhe gjuhën shqipe edhe tjetrën, pashë që iu mbushën sytë me lot. Edhe m’pyti, tha, “Pse?” tha. “A e ke sëmundje, a?” Thashë, “Jo, kjo nuk është sëmundje e imja!” Thashë, “Këte e fitova!” Mandej e kanë thirrë mjekun. Kanë fillu me terapi. Nuk di unë, sigurisht kanë bisedu me ata hetustë. Por atë gjendje e kam pasë një kohë t’gjatë.
Edhe kështu mandej, fillunë ato torturat. Jeta e tmerrshme n’burgun e Mitrovicës, ku çdo ditë, përveç tensionit, frikës e represionit nga pritja për t’u marrë në pyetje, që ndodhte çdo t’dytën ditë ose t’tretën, dita ishte e vështirë edhe për faktin që meshkujt rreheshin me t’madhe. Rriheshin tmerrshëm, tmerrësisht! Britmat e tyre dëgjoheshin gjatë gjithë ditës, në mënyrë të tmerrëshme. Edhe, ditë mas ditësh, na vendosëm që t’protestojmë. Pavijoni i… domethanë kati i grave, vajzave. Nji ditë ka qenë e tmerrshme! E tmerrshme! {Tund kokën}. Ishte sipas rendit shtëpiak, çdo mëngjes me t’nxjerrë nga pesë minuta krejt dhomën në nji shëtitore që përngjante me një pus, bunar. Me mure t’larta. Zoti e ditë, sigurisht… përafërsisht po përpiqem ta them sa ishte. Sigurisht do t’ishte nja katër pesë metra i lartë, muri. Dhe në krye, domethanë në përfundim t’murit, ishte një barakë, si kotec, ku rrinte një polic, një roje e cila e mbikëqyrte shëtitoren.
Derisa ne po shëtisnim në shëtitore, e pashë një dritë në burg lart, nga një dritare shumë e vogël, që ma mori mendja se s’ishte ma shumë sesa një fije shkrepëse, kështu, ajo dritë. Dhe, isha e veshur me t’kuqe. Jo qëllimisht! Sepse asnjihere nuk e kam pasë domethanë atë dëshirë që… edhe se kam as sot e kësaj dite, që t’prezantohem me këto ngjyrat kombëtare, po për mu, kombëtarja është e brendshmja, veprimi, se jo ngjyrnat e imixhi, e kështu. Ai e nxorri… dikush e nxorri dorën nga ajo dritare e vogël edhe bërtiti me t’madhe. “Oo, rrnofsh e kuqe!” Edhe ky gardiani, që ishte domethanë ai roja, e ktheu kokën nga vinte zani edhe shau diçka nëpër dhambë, nuk e di. Ndërsa ne po shëtisnim, atje veç filloi intervenimi, dhe ne fillumë t’i dëgjonim britmat që lëshonte ai nga dhuna që ushtrohej mbi të.
Dhe në nji moment, dikush e hodhi… nuk di një copë letër, në shëtitore. Unë bëra kinse po e lidhë lidhësen e patikave dhe e mora letrën. E futa në patika. Për fat t’mirë, kalova pa pasoja se nuk m’vërejti domethanë ai. Edhe erdhi gardiania, edhe pse rrija n’presion se aty domethanë, asnjiherë nuk ke qenë e sigurt se nuk ka me ndodhë diçka tjetër, një e papritur. Kanë mujtë me t’kontrollu. Dhe m’pyti, “Çka ke kështu? Pse je kaq e zverdhun?” Thashë, “Asgjë! Jam lodhur. Mëngjesi s’ka qenë i mirë. Kjo është arsyeja. S’kam…”, “Pse…” tha, “s’po kujdesesh për veten? A e sheh si ke ra n’peshë?” Thashë, “Çka me bo! S’ka dert!” thashë, “Mirë është.”
Nuk m’pritej që t’hyja n’dhomë edhe t’shihsha se për çka ishte fjala. Kur u futëm në dhomë, aty e kem pasë një plakë e cila ishte në shërbim të UDB‐së, dhe rrinte aty kinse për një vepër të kryer, por qëllimi ishte që t’na përgjonte ne. Dhe dikur e lexova letrën. Pashë se aty thonte që… thuhej, “Që me datën kaq, do t’ekzekutohet Filani, me emër, dhe ta keni me dije që ekzekutimi do t’ndodhë në shëtitoren e burgut”. Ishte fjala për ni shqiptar Tafil, mbiemri s’po m’kujtohet sepse është kohë e gjatë. Dhe shenja që do t’ekzekutohet është kur do të lëshohet sirena, zilja, e cila na zgjonte nga gjumi. Po ishte e shkurtë ajo. Kurse atë ditë kur ndodhi ekzekutimi, zgjati gjatë. Dhe ndodhi dikund në orët e vonshme të mbrëmjes. Ra bukur gjatë. Neve na u tha se ka pasë prishje, dhe aty ishte ekzekutuar Tafili.
Kaltrina Krasniqi: A kanë qenë ligj n’atë kohë n’Jugosllavi me dënu me vdekje?
Shukrije Gashi: Jo, jo.
Kaltrina Krasniqi: Qysh janë arsyetu rastet kur njerëzit janë vra?
Shukrije Gashi: Po gjithmonë e kanë konstruktu si aksident. Eh! Nuk na nxorën në shëtitje atë ditë. Pas… shumë interesant! Edhe pas, domethanë dy ditësh, në mur kishin mbetë gjurmët e gjakut. Edhe të tjerët e kishin hetuar. Derisa unë po prisja në rend mbrapa grilave që t’takohesha me familjen time, ndodhi dorëzimi i rrobave t’Tafilit. E për mu, kjo ishte një tronditje shumë e madhe, sepse familjes sigurisht ashtu siç iu është komuniku, iu tha edhe një herë, që kishte vdekë nga sëmundja, dhe që nuk duhej t’hapej arkivoli sepse sëmundja është ngjitëse.
Vizitat kanë qenë mujore dhe ato kanë zgjatë vetëm pesë minuta. Vizitat kanë qenë mbrapa grilave. S’ke pasë mundësi me kontaktu me familje as… bile as me i prekë durtë, e leje ma diçka tjetër. Kanë ndodhë vizitat në nji mbikëqyrje të rreptë të policisë, që ishin domethanë dy gardianë dhe një hetues. Në mënyrë që t’mos kishte mundësi qoftë edhe me gjuhë t’trupit, me gjeste, të këmbenim mesazhe që do t’ishin të dobishme për ne.
Natyrisht, në peshë pata ra bukur shumë. Atëhere kam pasë vetëm 44 kilogramë, kështu. Edhe flokët mu patën rritë shumë, sepse papastërtia ishte e madhe. Ka pasë n’dhoma shumë morra edhe buba, nuk di atëhere i thonin stenica. Sigurisht kanë qenë diçka t’murit, sepse ma merrke mendja që stena, stenica, prej gjuhës serbe. Dhe ne, pothuajse gjithë nata na kalonte me qirinjë në dorë, duke i ndjekur këto stenicat, bubat.
Pastaj ushqimi ka qenë shumë i dobët. Shpesh herë, mishi me gjellë që na i kanë sjellë, ka qenë me krimba. Edhe natyrisht që ate nuk e kemi përdorë, dhe kur nuk hanë edhe dobësohesh. Ushqimet mujore që i kanë sjellë kanë qenë të kufizume. Për ni mujë ke pasë vetëm katër kilogramë. Katër kilogramë… disa prej nesh që kem pasë kushtet pak ma t’mira gjithmonë i kemi nda me të tjerët. Të gjithë ato që kanë qenë brenda, heqi anash ato që pushteti i kishte vendosë për t’na përgjuar neve, i kanë pasë kushtet shumë të vështira ekonomike. Kështu që krejt ushqimet që i kemi pasë, i kemi nda me to, me njëra‐tjetrën.
Përveç kushteve ekonomike domethanë, kushteve t’fjetjes, e t’qëndrimit që kanë qenë shumë t’randa, për neve ma e randë ka qenë prania e personave të tillë që punonin për shërbimin e UDB‐së. Sepse, gjatë gjithë kohës ke qenë në presion. Gjatë gjithë kohës është dashtë me mendu mirë për secilën fjalë që e ke folë. A me thanë, a mos me thanë? Dhe çka duhet me thanë? Megjithate, për hir të idealit… sigurisht ka qenë ideali që na ka mbajtë dhe motivi pse ne kemi qenë aty. Ne, edhe në burg, e kem vazhdu rezistencën. Një ditë, kur i kanë rrahë djemtë shumë dhe vendosëm me protestu, kem’ fillu t’iu biem, domethanë t’i godasim dyert me t’madhe në të gjitha dhomat. Dyert e burgjeve, në mënyrë që ata ta ndërpritnin veprimin, akcionin e tyre ndaj mashkujve. Dhe ajo ndodhi. E ndërprenë. Natyrisht ato britmat për shkak të dhimbjeve t’mëdha, që kanë mund t’i kenë, vazhdunë thirrjet e tyne.
Dhe, kur u futë… u futën gardianët në katin ku ishim ne… Domethanë ashtu siç fillova, ishte një nga ditët e randa për gratë dhe vajzat që ishin në atë pavijon, sepse edhe atë ditë, gardianët që nga mëngjesi kishin ndërmarrë aksionion e rrahjes së meshkujve. Nuk e dinim arsyen pse. Dhe po çmendeshim! Gjatë gjithë kohës ato vazhduan pa ndërprerje. Ne vendosëm që t’protestojmë. Dhe e bëmë ate. Protestuam. Filluam me goditje të dyerve. Dyert e tona ishin të hekurit. Dhe goditjet tingëllonin lartë, dëgjoheshin… bëhej zhurmë e madhe. Qëllimi ishte ky, që t’bëhej zhurmë e madhe në mënyrë që t’u tërhiqej vëmendja gardianëve dhe që të pushonin së rrahuri djemtë dhe burrat. Ata erdhën me furi në katin ku ishin të vendosura gratë dhe vajzat, dhe ç’të shihje?! Ishte një pamje e tmerrshme! Gjithandej fytyrës dhe duarve të… me mangë të përvjelura… krejt të përgjakura. Për shkak të dhunës që ia kishin ushtruar burrave dhe grave shqiptarë. Për habinë tonë t’madhe, shumica e tyre ishte shqiptarë.
Kaltrina Krasniqi: Ata që torturojshin?
Shukrije Gashi: Ata që torturojshin. Atëhere nuk isha domethanë në dhomën numër tre që ishte dhoma e parë kur u pata burgosë, por ishte dhoma në fillim t’korridorit. Dhe, me sa m’kujtohet ka qenë katërshi. Se qëllimisht renditja ka qenë e ndryshme. E hapën derën duke përdorur shprehje e sharje shumë t’pazakonshme ndaj nesh. Duke na quajtur, “Kudra e kurva, çka keni ju që bëni zhurmë? Kush jeni ju?” E kështu… “Dilni jashtë, kurva!” Edhe atëherë, vendosa që unë dhe një tjetër vajzë, që ishim politikisht, që t’mos dilnim nga dhoma. Sepse sipas rregullores, gardianët nuk kishin të drejtë që t’futeshin në dhomë dhe të rrinin aty, po n’qoftëse kanë pasë fuqi me t’nxjerrë jashtë, atëherë në koridor kanë mund që t’i bëjnë t’gjitha. Ndonëse isha mjaft e dobësuar, nga shëndeti e ligë, për shkak të kushteve që… t’këqija që i kishim në burg, u kapa me forcë për shtrati i cili ishte i hekurt, dhe me gjithë përpjekjet e mëdha të dy gardianëve që t’më nxirrnin, nuk ia arritën. (Buzëqeshë.) Arrita me rezistu! Një tjetër, ate e nxorën edhe e rrahën. Mu edhe Shyqerije Bytyqin nuk ia arritën që t’na nxjerrin nga dhoma.
Filluan me rend që t’i hapnin dyert dhe kështu që t’i maltretonin, t’i rrihnin ato që arrinin që t’i nxirrnin nga dhoma. Domethanë ishte kjo dita më e keqe që e kisha përjetuar që prej se isha në burg. Më shumë sesa dhuna që ushtrohej ndaj grave edhe burrave, mua më dhimbte fakti që ata ishin shqiptarë. Dhe që ende nuk ishin vetëdijësuar se kujt i shërbenin. Edhe ne natyrisht, nuk i kursyem. I quajtëm me emra të ndryshëm, ashtu siç merituan. Kriminel e, satrap e, UDB‐ash e, gjithqysh. Pa fije frike. Tashmë, e kishim vendosur që po t’ishte nevoja, ne do t’vdisnim, sepse po t’i vrisnin ata djem pse mos t’na vrisnin edhe neve? Ne kishim hyrë aty për t’njejtën kauzë, për njejtën çështje. Dhe flijimi do t’duhej t’ishte i barabartë. Edhe për nji arsye tjetër që e thashë disa herë: për betimin që e kishim dhënë sepse… ne duhet t’qëndrojmë sepse duhet të bindet pala tjetër që ne jemi të zonjat për t’gjitha veprimet, ndonëse jemi gra. Dhe ky motiv, dhe solidariteti për hir të çështjes vazhdoi, gjatë gjithë ditës. Dikur, gardianët pushunë, sepse e panë që nuk mund t’ia dalin në krye me gratë që ishin aq të vendosura që t’rezistonin deri n’vdekje. Heqën dorë dhe dolën.
Më vonë erdhi një gardiane, shqiptare, që ka qenë një grua e zonja, e sjellshme dhe patriote, Emine Osaj. Ishte shumë e shqetësuar. Bile mund t’them që edhe i qahej, sepse sytë i kishte t’mbushur me lot. Dhe posa e hapi derën e dhomës dhe na pa, e shprehu ate. Nuk mundi t’përmbahej. “Eh!” kështu ia bëri, tha, “Si kështu me ndodhë, me na ardhë puna e me u rrahë shqiptarët mes veti?” Deshi t’vazhdonte, po siç thashë ma herët, frika ishte nga njerëzit që ishin në dhomë. Ata që i shërbenin UDB‐së. Dhe mandej e ndërroi bisedën, “Si po kaloni, si i keni hallet? Kujdesuni për veten! E dini çka thotë rendi shtëpiak. Dhe, si ka qenë ushqimi sot? T’keni kujdes!” e kështu. Nuk e di, sigurisht ajo ka reaguar edhe ndaj djemve, sepse në ndërkohë ka ardhë një mbikëqyrës edhe është sjellë shumë keq me ta. Që, na ka dhanë neve me kuptu shumë, që ajo sigurisht ka reaguar gjatë kohës sa janë rrahur mashkuj me t’madhe.
Madje ka marrë edhe kërcënim, dhe pas pak ditësh edhe e ka lëshu punën krejt. Sa… po aq sa u ndjeva keq që iku, sepse ishte një përkrahje morale për ne që ishim të burgosura, në të njejtën kohë, u ndiva edhe mirë edhe krenare për qëndrimin e saj dinjitoz, sidomos duke qenë grua. Dhe në një moment të caktuar, mu kujtua ajo, qëndrimi i saj dinjitoz, dhe i Zyrasë, inspektores. Çfarë dallimi n’mes të dy grave! Megjiithatë, thashë që shpresa ka arsye që t’shtohet, sepse qoftë edhe nëpër institucione të tilla siç janë burgjet, paska njerëz, paska gra sidomos që dinë ta vlerësojnë të vërtetën, që dinë t’jenë dinjitoze dhe t’i mbrojnë të drejtat e njeriut.
Nuk ishte e lehtë, absolutisht. Ishe në një burg bashkë me kriminelë. Bashkë me kriminelë, bashkë me prostituta. Dhe qëllimisht ishte bërë një përzierje e tillë, në mënyrë që vajzat edhe gratë të burgosura politikisht, t’mos mund t’komunikonin lirisht. Mu m’kujtohet që një grua e cila ishte për vepër penale, vrasje n’dhomë me ne, nga fshati Kranidell i Kamenicës, gjatë gjithë kohës ajo na pyeste arsyet… pse, për çfarë arsye ne ishim në burg, për çfarë veprash. Dhe shpesh herë vinin dhe e vizitonin inspektorë të ndryshëm. Ajo bënte jetë për mrekulli. Edhe ushqimi i saj dallonte nga ushqimi i ynë. Dhe, në ndërkohë, ditë pas ditësh, meqenëse e diktova që ishte e tillë, unë për veti vendosa t’mos flas asnjiherë, për veprat… për veprën për t’cilën isha në burg. Ajo insistonte me t’madhe. Më thërriste me pseudonimin që e kisha në burg, Beteja.
Edhe dikur e pyta, “Për çfarë vepre je ti këtu? Pse ke ardhë n’burg?” Tha, “Kam ardhë pa faj. Sepse reja jem ma ka mveshë nji vepër që nuk e kam kry.” Në fakt ajo e kishte… ajo bashkë me djalin e kishin vrarë nusen. E kishin vrarë sepse ajo nuk kishte pranu që policia serbe edhe agjentët e UDB‐së të shkilnin mbi një shqiponje të cilën e kishte qëndisë ajo vetë. A burri edhe vjehrra, që të dy ishin në shërbim të UDB‐së. Në familjen e saj, në shtëpinë e saj, UDB‐ja organizonte ndeja. Dhe, ajo vinte nga një familje e varfër, e pakrah, por ajo kurrë nuk kishte pranuar që t’i nënshtrohej një regjimi të tillë familjar. Dhe prandaj u vra dhe u var. Ishte varë. Pasi që e kanë vrarë edhe e kanë varë. Dyjat.
Pa fije turpi tregonte se si e lidhte për flokësh me litar, burri, dhe e mbante varur, thoshte, “Sepse ishte kryefortë”, thonte plaka. Nuk e tregonte arsyen për çka. Po thonte, “Ishte kryefortë”. Dhe gjoja se një ditë, meqenëse kishin shumë qingja, dele, burri duke dashur që ta hiqte Mamzerën nga krahu, pahiri, e ka prekë… si i thonë, pjesën ku shtihet, edhe e ka vra gruan. Kurse vajzat e tjera që ishin t’asaj ane, tregunë se ajo ishte vrarë në mënyrë të tmerrshme, domethanë shumë t’veçantë, torturuese. Pasi që e kanë torturu mirë, e kanë lidhë për flokësh, dhe litarin e kanë lidhë n’tra. Mandej derisa ka vdekë ashtu… e kanë shti në te, dhe derisa ka vdekë ashtu varun ka qenë. Dhe muni me marrë me mend, me një kriminele të tillë t’jesh në një dhomë!
Një tjetër që ishte po ashtu, për një vepër nuk e di se çfare, ajo ishte edhe e sëmurë psiqikisht. Një tjetër që quhej Lutfije dhe që ishte… me sa më kujtohet ose nga Bujanovci apo Presheva, nga kjo pjesë e Kosovës, përveç që nuk e di veprën se për çfarë ishte… ajo ishte e sëmurë edhe psiqikisht. Megjithate UDB‐ja, e përdorte edhe ate. Domethanë, po e thamë qëllimisht, që njerëzit ta kuptojnë se çfarë shkelje tjera të rënda bënte regjimi jugosllav, duke i përdorur edhe njerëzit e smutë psiqikisht, për të nxjerrë ose zbuluar informata të… siç i quanin të rrezikshme për rendin shoqënor. Veprimet që i bënte Lutfija të lënin me kuptu menjëherë që kishe të bëje me një njeri me çrregullime psiqike. Asaj, kur e kishte periudhën e menstruacionit… ajo përdorte shtypin, gazetat, për nevoja të menstruacioneve, dhe pastaj ato copa të gazetave i hidhte nëpër dhomë. I shpërndante dhomës. Ose fare pa to e pa brekë, gjaku pastaj shpërndahej nëpër dhomë. Dhe thonte që është politikisht që burg.
Fliste në mënyrë të shkapërderdhun. Mirëpo edhe nxirrej prej dhomës kohë pas kohe edhe torturohej. Në një moment, m’kujtohet, është torturuar në mënyrë aq të tmerrshme, është rrahur saqë e kishin përgjakur. Sepse rezistonte të mos e pastronte korridorin. Ankohej që kishte dhembje koke, dhe me gjithë insistimin tonë, domethënë timin edhe të një vajze tjetër, që ne ta pastrojmë korridorin, gardianet nuk pranuan. E nxorën me dhunë dhe e rrahën për vdekje. Pastaj na thirrën ne, dhe ne edhe pse ishim shumë të liga nga shëndeti, arritëm që ta fusnim brenda dhe ashtu e kem shëruar me qepë. Për mujë të tanë.
Ajo dhe të tjerat që rriheshin për vepra të ndryshme, përdoreshin edhe për… keqpërdoreshin edhe për qëllime të tjera. Kjo flet shumë se sa nuk kishte qëllim socializues e edukativ, siç propagohej sistemi shoqënor i themeluar për burgjet në Jugosllavi, e në veçanti n’Kosovë. Domethanë, nuk mund t’ishte një sistem rehabilitues, kur njerëzit e sëmurë edhe psiqikisht, përdoreshin për qëllime spiunimi e shërbime të tjera. E lere ma për t’burgosunit politik, siç quheshin të ndërgjegjes, që mbi ta ushtrohej dhunë pandërpre.
Shtypi, vinte shtypi ditor. Ka qenë me pagesë. Dhe ate ka qenë i seleksionuar. Torturat kanë vazhdu çdo ditë. M’kujtohet edhe një rast tjetër. Derisa unë u mora që t’shkoja për t’vazhduar procedurën e hetimeve, domethanë fazën e hetuesisë, përgjatë rrugës në korridor, pashë shumë pika t’gjakut, n’tokë. Dhe, kur e ngrita kokën lart, pashë një njeri, një djalë i ri, i cili ishte i përgjakur dhe qëndronte mbrapa grilave në dhomën e tij. Edhe thërriste… nuk di…Kishte disa thënie të paartikuluara. Dhe gardianja që ishte me mua ma tërhoqi vërejtjen, “Kqyr punën tane, edhe kqyre veç tokën kah po ecë! Jo me kqyr anash!” Edhe natyrisht durtë i… ishte rregull që t’i mbaje të lidhura kështu, mbrapa. {I vendosë duar mbara shpinës}.
Nuk di sa ka zgjatë… domethanë ka zgjatë shumë rrugëtimi ynë derisa kemi mbërri te një zyre ku do t’mbahej seanca e hetuesisë. Por duke shkuar rrugës, kam takuar edhe dy raste të tjera (ofshanë). Kam pa burra të torturuar që mezi qëndronin në këmbë, të cilët mbaheshin prej gardianëve. Me siguri ishin ata të cilët kishin kryer seancat e hetuesisë, të ashtuquajturat biseda informative. Aq shumë ishte torturuar njeni nga ta, saqë mu duk’ që i kishte lëvizë syni nga vendi, i kishte ra poshtë. Dhe krejt trupin e kishte të gjakosur. Dhe derisa po bahesha gati me hy… me kalu pragun, me hy brenda, ngjitë me atë dhome, në dhomën tjetër, një tjetër burrë lëshonte britma të tmerrshme, për shkak të dhunës.
Dhe u futa une brenda. Normal, natyrisht… është njerëzore të jesh e shqetësuar, me shqetësim t’madh. Nuk mund të koncentrohesha n’asgjë ma. Një inspektor dhe shef atëherë i UDB‐së, Mehmet Lumi, tha, “E po mirë Shukrije, çka ke menduar ti? Ke menduar se burgu është sikur të shkosh në dasëm? Ti po t’jesh e mençur, mund t’i ndihmosh vetit dhe neve. A nuk është gjynah për ty që në vend se t’vazhdosh studimet… sepse unë kam një vajzë moshatare tanden… të dergjesh në burgjet e errëta dhe të tronditesh nga bëmat e të tjerëve?” Se ai natyrisht që nuk tregonte se çfarë kishte ndodhur me burrin aty, që rrihej n’anën tjetër. Dhe unë i thashë kështu, “Unë jam shumë e vetëdijëshme që nuk kam ba asgjë kundër askujt. S’kam kryer asnjë vepër penale. S’kam bërë asnjë krim. Krejt çka kam bërë është që kam kërku që Kosova t’jetë e barabartë me Republikat e tjera”.
Tha, “A po ta merr mendja që ne nuk e kemi kërku para teje këtë?” “Nuk e di i thashë, “mund të jetë!” “Unë po t’thamë që t’heqësh dorë nga heshtja jote dhe t’fillosh t’bashkëpunosh me ne. Dhe, t’na tregosh se kush të ka futë në një rrugë pa krye. T’jesh bashkëpunuese, sepse dëshirojmë që ta kuptosh që keni rënë në grackë, dhe krejt kjo është organizuar nga Serbia. Krejt çka do t’bisedosh me ne, do t’mbetet këtu dhe s’ka për ta marrë vesh kurrë askush”. Dhe aq mu dukë e ulët dhe nënçmuese kjo përpjekje e tij që t’më thyente mua, saqë reagova ashtu siç e meritonte. Thashë, “Hajt more zotni! Ban çka e ke ndërmend me ba, se nuk e kam ndërmen me thanë kurgja! Se s’kam çka tham’!” (Heshtje).
Mandej filloi përsëri përpjekja e tij në një formë tjetër që, “Se kam ndërmend me t’ba gja tjetër, përveç se me t’bindë që e ke gabim. Ne jemi nji shtet me masa edukative, rehabilituese. Kërkush nuk guxon me t’prekë me dorë! Ne nuk bëjmë veprime siç ndodhin dikund tjetër, që shkopin ua fusin në vaginë…” domethanë sjellje të tilla, “grave edhe vajzave, sepse edhe vet kam vajza. Qëllimi im është që ti t’pendohesh. T‘i kthehesh shkollës, mësimit. Je e re! Nuk kanë çka t’duhen. Vetëm kaq nevojitet, dhe që t’na tregosh se kush t’futi në këtë rrugë, në këtë qorrsokak? Trego se kush janë ata njerëz, me kend bashkëpunon? Ta jap fjalën se s’ka për t’iu ndodhur asgjë, as atyre!”
Unë ma, e kisha vendosë tash që s’do t’flas. Çfarëdo që t’thonte, vazhdova t’hesht. “A e di…” tha, “çfarë të pret? Meqenëse s’dëshiron me bashkëpunu!” “Jo …” thashë, “nuk e di! Nuk di, se s’kam ba kurrgja! Edhe kjo që po e thoni, është kërcënim. Nuk është bashkëpunim. Unë di t’flas për veti dhe për askend tjetër.” “Pse…” tha, “je me Nuhi Berishën? Pse ke bashkëpunu me të?” “Nuhi Berishën?!” Thashë, “Gjithkush ka të drejtë me pasë… secila vajzë nji djalë, ni t’dashtun. Pse, thashë ‐ qenka krim me dashtë dike?” Tha, “Mos m’i anashkalo pyetjet! Përgjigju n’ate çka t’pyeta!” “E dhashë përgjegjen une.” “Ti e ke ndihmu Nuhi Brishën! Si e ke ndihmu?” Thashë, “Si e kam ndihmu?! Ushqim, kam përgatitë për te. Çka kam pasë me ba diçka tjetër?” Tha, “Jo , ke ba edhe diçka tjetër!” “Kurrgja s’kam ba tjetër!”
Filloi pastaj me lexu Ligjin penal t’Jugosllavisë edhe Ligjin tjetër për vepra penale t’Kosovës, neni 136 e kështu, për me m’frikësu. Tha, “Çka mendon ti juriste e ardhshme? E din ti, ma shumë se sa ti, nuk ish’ dashtë kërkush tjetër me u brengosë në dhomën tande”. “Po shiqo…” thashë, “unë edhe nji here po e përsëris. Çka ta keni ndërmend me ba, bani! Se s’jam tu u lodhë për atë punë. Le t’jetë sa t’jetë dënimi, unë s’kam çka me thanë.” “ Po çka thu ti për këtë dëshmi?“ {E merr një letër në dorë dhe e tregon nga kamera.} “A don me e lexu dëshminë?” Thashë, “Jo!” “Qysh jo?!” “Jo…” thashë, “s’kam nevojë me lexu dëshminë se unë e tregova atë çka kam pasë me tregu për veti. Nuk kam ba kurrgja tjetër, përveç që kam kërku t’drejta t’barabarta.” “Veprime, organizimin jam ka t’pysë. Nuk po t’pysë çka ke kërku, po veprimin”. “S’ka…” thashë, “veprim. Ky është veprimi.” “Kape…” tha, “lexoje këtë!” E mori kinse po e mbulon pjesën e sipërme t’emrit t’deklaratës. Ato kanë qenë provokime, gjithmonë i kanë ba. Thashë, “Jo!” “Atëherë…” tha, “po ta lexoj unë ty, masi ti s’po don”. Edhe filloi me lexu. Nuk di kush ka fol. “Keni qenë n’filan vendin, n’pijetore…” atëhere i thonin, jo kafiqa e kështu, vonë kanë fillu me i thanë kafiteri.
Tha, “Ti ke pi Jupi…” ni pije freskuese që ka qenë, “dikush tjetër kështu…” Qëllimisht ato detalet, për me t’bindë që vërtetë po e ditka rastin. Ndonëse kishte informata, është shumë e vërtetë! Tha, “Qe! Kuku për mendjen tande e për krytë tand që e ke qyski!” Nuk e di sa e dini, është… n’gjuhë popullore përdoret kjo. Tha, “Që nuk flet, e ky tipi, ky Filani ka folë bylbyl.” Tha, “Ti veç me na e pohu qete, që ke bashkëpunu me këtë tipin, e mandej me u ballafaqu, s’ki ti çka, ti shkove te shpija”. E kapa atë deklaratë e grisa dhe e gjujta. {E imiton grisjen e letrës me dorë}. Edhe, normal që atëherë pasoi veprimi tjetër.
Dhe kështu domethanë… se ajo zgjatet shumë. Kështu ka qenë vazhdimisht, por ne që kem qenë pak ma t’pjekun ashtu… se ka pasë edhe ma t’reja që kanë qenë, me 14 vjet e gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Kur jemi kthy n’dhomë, nuk kemi folë për ate çka kemi përjetu, asnjëhere. Sepse s’kem dashtë me i frikësu të tjerat. Edhe, vendosa që… e lidhun domethanë për qat’ çështjen që Nuhiut i kam dërgu vetëm ushqim. Edhe kjo ishte! S’kishte shpjegim tjetër. Edhe pse kam pasë elemente që… normal… edhe nuk ua shoh për t’madhe që i kanë torturu shumë, kanë folë. Sepse rrahja e ban t’veten. Edhe n‘qoftëse diçka për shembull kam thanë, kam thanë për veti. Për kërkand tjetër jo! Kam thanë, “Le t’përfundon te une, s’ka ku shkon ma anej”. Qëllimi ka qenë që me këputë zinxhirin. Që mos me mujtë me vazhdu me sjellë mandej njerëz t’tjerë n’burg.
Poshtërimet, mos t’flasim! Gjuha e përdorur… ato ma kanë qenë si buka. Absolutisht, nuk t’kanë kursy prej formave ma t’ulta t’sharjeve. Shpesh herë me ta, jam përplasë aq sa kam pasë fuqi. Sidomos me ba me ma sha nanën. E aty mandej, te nana kanë pasë kujdes nuk… Kam thanë, “Çdo gjë baj, nanën nuk lejoj me ma sha!” Edhe m’quanin me emra të ndryshëm, “Mistrece,” e gjithqysh, “pse po insiston me rezistu”. Me emra përçmues, e ashtu.
Është insteresant se solidariteti i grave mrenda burgjeve, qoftë edhe atyre që kanë qenë për vepra penale… disa kanë qenë shumë solidare, me t’burgosunat politike. Edhe kujdesin shëndetësor, edhe ndarjen e ushqimit, madje edhe kur kanë ndodhë grevat. Solidarizim për grevat! Por kjo ka ardhë, po ashtu, edhe si rezultat i sjelljes tonë ndaj tyne. Ne kurrë, asnjëherë, jo veç unë, po edhe vajzat e tjera që kanë qenë të burgosura politikisht, nuk ka ndodhe me i fy ose me i nënçmu gratë që kanë kry vepra të tjera. Sepse gjithmonë kem thanë që “Ne duhet me pasë rezervën. Nuk e dimë t’vërtetën! Po edhe me e ditë t’vërtetën, nuk kemi të drejtë t’i nënçmojmë të tjerët”. Dhe qëllimi ka qenë edhe një herë me hapë mundësinë për me e shtri ndikimin, dhe me i eduku. Që, kauza për t’cilën po rrimë është e drejtë. Dhe nuk ka për qëllim me i urrejtë e me shkaktu urrejtje ndaj të tjerëve, por i vetmi qëllim është që ne t’barazohemi me të tjerët n’Kosovë, e n’Jugosllavi. Edhe besoni që edhe sërbe, gradualisht edhe sërbet kanë nisë me e kuptu. Ato të cilat kanë qenë… çka t’them ma… ma të përgatitura, ma të shkolluara, arsimuara. Ta kuptojnë!
E di në një rast, m’kujtohet… sa kam qenë n’dhomën numër tre. Ka qenë ni Feride Zeneli, që ishte e nji fshati t’Suharekës. Tash s’më kujtohet emri i fshatit. Dhe një Mahije Zeka, e cila ka qenë po ashtu e Istogut. Ndosha e fshatit t’Istogut. S’jam e sigurt! Kanë qenë t’reja shumë! Dhe ato, edhe pse jam përpjekë disa herë që me i bindë që nuk duhet me këndu me za t’naltë, sepse këtu është burg, e ndalon rendi shtëpiak, edhe janë të rrezikuara nga gardianet, përgjimi. Po megjithate, t’reja dhe nuk u përmbajtën. Janë kapë për dritare, kanë hypë nalt mbi derë, edhe kanë fillu me këndu.
Disa herë ua kam tërheqë vërejtjen se m’dukej që hija e gardianes… edhe pse dera ishte… nën derë reflektohej. I kam thanë, “Zbritni poshtë se dikush është te dera!” Dhe dikur… domethanë n’mënyrë të befasishme, me rrapëllimë e ka hap derën gardianja. Dhe ato nga aty ku ishin, kanë k’cy poshtë. Mandej… Paska qenë edhe Florije Hajrullahu, që për pak me harru! Që ka qenë… Florija ka qenë shumë kokëfortë. E rrahën. U rrahën keq. Pyeti se kush e… ne… s’pranoshja as unë, asnja me tregu. S’pranonte askush si ka fillu e pse. Dikur, një ish e burgosun, sërbe që ka qenë aty, për keqpërdorim ekonomik, maniak, humbje, ka tregu. Edhe mandej janë rrehë këto vajza. Shumë keq!
Megjithate, kam qenë unë që kam fillu përsëri me bisedu me te. Edhe ajo ka qajtë se se ka pritë, s’ka mujtë me besu kurrë që ato edhe pse ishin shumë të reja, mujnë me u rrahë aq keq nga gardianet. Dhe mandej m’u ka betu me fëmijë që, “S’kam mujtë me besu kurrë. Kam mendu që veç kanë me ia tërhjekë vërejtjen! Kurrgja tjetër!” Edhe mandej, çdo ditë, gradualisht kem bisedu, e kështu ka fillu me kuptu, bile edhe me m’thanë që, “M’vjen sinqerisht shumëkeq që krejt ndryshe e kom mendu që kanë me qenë vajzat edhe burrat e krejt, që janë t’përfshimë n’këto veprime. Kurrë s’kam pritë që nji vajzë shqiptare… këto vajza me qenë kaq t’edukume, edhe me u kujdesë kaq shumë për mu, edhe me mi la rrobat e krejt e, edhe me u sjellë…” Bile kur ka dalë nga burgu, ka shku i ka taku t’familjes edhe i ka tregu që mirë është, e kështu… Ka thanë që, “Unë do ta kryej nji obligim. A s’ja fali vetit kurrë që e kam ba atë veprim.”
Çka po du me thanë me këtë është që gratë janë ma solidare. Ndonëse në publik thuhet vezhdimisht e kundërta. Gratë, gjithmonë bajnë përpjekje edhe veprime për t’mirën e përgjithshme. Nuk janë individualiste. Kurse burrat, është e kundërta. Ata ma shumë i bajnë për karrierë e për pushtet. Nuk e kanë shumë këtë ndjeshmërinë për kolektiven, sa e kanë gratë. Ndoshta kanë qenë arsyet sociale, ekonomike, përveç asaj të amësisë, që e kanë shty gruen me ba këto veprime edhe mu ndi kështu. Që t’jetë ma solidare me të tjerët.
Kaltrina Krasniqi: Kur ju kanë gjyku? Kur ju kanë qitë n’gjyq?
Shukrije Gashi: N’gjyq na kanë qitë në Prishtinë. Ka qenë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Me thanë, mas ni periudhe bukur t’gjatë t’hetimeve. Nëse m’kujtohet saktësisht, kanë qenë… prill…dhjetor, kështu. Jemi nxjerrë në gjykim. Edhe në gjykim ka qenë një qasje diskriminuese, sepse nuk na kanë leju që t’përshëndetemi me t’familjes hiç. N’gjykim e kam pasë avokat Avni Gjakovën, i cili e ka pasë nji qasje shumë konstruktive ndaj të burgosurve, dhe na ka mbrojtë qysh ka ditë më s’miri. Pikërisht ka qenë domethanë, mbrojtja e tij e argumentueshme, e argumentuar mirë që ka ndiku që shkalla e dytë, në mungesë të fakteve, nga dy vjet sa isha dënuar, t’m’i zbret disa muaj dhe tërësisht i kam mbajtur mbi 16 muaj burg. Pjesën tjetër mandej, e kam mbajtë në burgun e Lipjanit, ku kushtet kanë qenë shumë më të mira, sepse ka qenë një tretman gjysëm i hapur. Kurse në Mitrovicë ka qenë tretman i mbyllur.
Megjithate, përsëri po e them, të burgosurat politike kanë pasë trajtim tjetër, gjithkund. Sidoqoftë, drejtoresha e burgut në Lipjan, ka qenë shumë përkrahëse ndaj vajzave që kanë qenë të dënuara politikisht, dhe ka pasë kujdes shumë që ato të mos keqtrajtohen. Megjithate, sistemi ka qenë i tillë që ka qenë bukur vështirë me ba qoftë edhe ni veprim të tillë. Kjo drejtoreshë ka qenë Shpresa Kuçi. Për te, unë për veti po flas, kam konsideratë, sepse ka ba përpjekje që shërbimi me u sofistiku, me u përmirësu, me pasë qasje n’biblotekë, me pasë më shumë kohë t’lirë, edhe ke pasë lirinë e komunikimit ndryshe me te. Natyrisht, si n’çdo sistem ku burgjet janë në nji mbikëqyrje të rreptë, ka pasë edhe limitime.
Ka pasë edhe vështirësi, absolutisht, sepse mu m’kujtohet, për mu ka qenë e tmerrshme edhe absurde që unë t’merrem me qepjen. Sepse nuk është në natyrën time dhe s’kisha t’baj kurrgja me këtë lloj profesioni. Me qepë n’maqinë. Për më keq, kem pasë t’bëjmë me maqina të dedikuara vetëm për pjesë t’veçanta. Që ka qenë ende… shumë e randë, sepse është dashtë me përdorë makinerinë t’cilën se ke përdorë asnihere n’jetë. Edhe ni kushtëzim që m’është bërë për shembull, ditën e parë kur jam sjellë në punëtori, ka qenë që prej mëngjesit deri n’ora nji, e ke për obligim me i qepë 13 jaka. Jaka të këmishave t’ushtrisë kanë qenë. Edhe për mu ka qenë absurde sepse unë s’e kam ditë qepjen elementare, e lere ma me ato maqina t’komplikume për pjesë t’veçanta. Edhe e pyta atëhere shefin, “Po falni, po nuk di me qepë une!” “Qy, qy”, tha, “ Nuk di me qepë, mshile gojën! Ulu aty edhe nisja me qepë!” Qysh me ia nisë me qepë kur s’din? Tha ai, “N’qoftëse nuk i krynë 13 jaka deri n’ora nji, ki me shku n’vetmi”.
Fillova me shiku përreth, se se kisha idenë qysh veprohet. Çka me ba me atë maqinë?! Edhe u përpoqa pak me… kështu me përvjedhë, me kqyrë se si përdoren ato maqina. Një grue aty, që ishte kohë t’gjatë, qepte dhe e largonte me qëllim dorën që me pa… që unë me pasë mundësi që ta shoh se si po e qepë. Edhe u përpoqa. ashtu. Fillova me qep po nuk shkonte sepse nuk dija. Edhe erdhi, “A di çka? Unë po t’thom përqendrohu këtu! N’maqinën tande! Sepse nëse nuk i krynë 13 ki me shku n’vetmi”. U përpoqa, u përpoqa, fillova pak me i ra n’fije edhe pse ishte shumë e vështirë. Edhe e therra gishtin keq, sepse ishte pasojë e mungesës t’përvojës. N’vend se t’i vinte keq që u lëndova, ai ma përsëriti qate edhe ni herë, që ke me shku n’vetmi.
Për fat t’mirë, pa përfundu orari erdh kjo drejtoresha. Hyni, na përshëndeti, kështu. Pyeti, “Si po ju shkojnë punët? Si jeni vajza?” Nuk e di pse u ndiva e lirë, ndoshta ishte përshtypja, edhe i thashë, “Për fat t’keq nuk po e kuptoj hiç, pse duhet mu sjellë keq dikush kështu me ne!” Tha, “Pse…” tha, “çka ka ndodhë?” Edhe ia tregova gishtin që m’kishte depërtu gjylpana. Atëhere, ashtu… si me thanë, e shqetësume, “Pse…” tha, “për çka është dashtë me ndodhë kjo? Çka ka ndodhë këtu?” “Nuk e di!” thashë. “Unë i sqarova disa herë që nuk di me qep. Edhe këto nuk qenkan maqina si e kam te shtëpia për shembull, t’motrës. Edhe ate se kam përdorë, po këta edhe ma hiç” . “Çka ke ba more burrë kështu? Çka është kjo punë e jotja kështu? Pse duhet kjo me u lëndu?” Tha, “Se është kokëfortë, po i shkel urdhënat. Nuk ka dashtë me u ulë me qepë.” Ajo… që ishte një gënjeshtër. “Edhe i thashë që ka me shku 13 ditë n’vetmi!” E mori… nuk e di çka kanë fol mandej. Edhe mas ni kohe, është kthy. E kam pa që ka qenë i… nervoz ka qenë. Nuk m’tha ma gja. Nuk shkova n’vetmi. Shpëtova! (Qeshë).
Po shpesh herë, kur ndalna edhe mendohna, pse duhet me shku n’vetmi pse s’ke ditë me përdorë një maqinë për t’cilën se ke asnji minutë përvojë? Domethanë, nuk ishte rehabilitues sistemi i burgjeve. Në praktikë jo. Në letra, n’letër, Jugosllavia i ka pasë ndoshta ligjet ma t’mira, n’kuadër t’këtyne shteteve që kanë qenë të Bllokut Socialist, që janë qujtë atëherë. Mirëpo, praktika ka qenë shumë e vrazhdë. Edhe është keqpërdorë shumë. Sidomos ndaj shqiptarëve. Kështu, domethanë. Ka… ka qenë torturuese. Fillimisht qëndrimi n’karantinë, që ka lanë vragë t’thella, t’përvojës t’keqe me mu. Që s’ka me harru kurrë.
Nji mujë ditë, në nji dhomë t’errët, me nji vajzë tjetër, një serbe. Që dera mbyllej nga jashtë, edhe hapej nga jashtë. Ti s’ke pasë mundësi me hapë derën. As me mbyllë. As dritën me ndezë kur ke dashtë. Sepse ka qenë nga jashtë. Edhe ushqimi është sjellë aty. Nashta edhe nën presion t’rrethanave, me thanë aspekti psikologjik, qasja dhunëse, përqendrimi n’krejt ngjarjen çka u zhvillojke mrenda mureve t’burgjeve, t’burgut tonë n’veçanti, ato seancat e hetuesisë, presioni se mos po m’shpëton diçka që nuk ish’ dashtë me thanë, e kështu. Edhe nuk e di arsyen reale pse, sepse nuk jam ndonjë njohëse e mirë e mesazheve të ëndrrave.
Një natë e pashë një ëndërr që… shumë t’çuditshme. Ëndërrova që bashkë me vajzën e axhës, me Eminen, ishim duke protestuar n’qytet. Edhe aty ndodhej një masë e madhe e protestanëtve, edhe e demonstruesve që përpiqej me gjetë mundësi, një pjesë që t’i bashkangjitej grupit, një pjesë tjetër që lypte rrugë me u shmangë, sepse kishte të shtëna me armë, lotsjellës, edhe me këto goma… plumba gome, kështu që gjuante vazhdimisht policia. Derisa ne po përpiqeshim që t’gjenim mundësi se si me u shmangë, mua m’rrëshqiti këmba edhe rashë për toke. Në atë moment, mu hapë çanta, dhe nga çanta dolën shumë gjëra që i kishte brenda, duke përfshirë edhe ato… domethanë të kozmetikës, kutinë e kozmetikës. U derdhën në rrugë.
Për ni moment, derisa po shikoja përreth, e pashë që u shfaq Nuhiu, Nuhi Berisha, i dashuri im dhe anëtar i Lëvizjes për Republikën e Kosovës, njiherit edhe inicues i themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Reagimi i parë i imi ishte me shqetësim, sepse pashë që mbante kukëza dhe këmbët… që të dykëmbët i shkonin zvarrë. Edhe bërtita, edhe pse isha ashtu… Lëshova një britmë, “O Zot! Çka paska ndodhë kështu me ty?” Atëherë vajza e axhës, edhe ajo e ktheu kokën dhe e pa që ishte Nuhiu. Ne vrapumë që ta ndihmonim, që ai të ngritej në këmbë, ndërsa ai insistonte që ne të largoheshim. Në nji moment, u ulë përtoke, i pa gjanat të cilat ishin derdhë nga çanta, nga çanta ime.
Nuk di nëse e theksova ma herët, domethanë atmosfera e randë n’burg, kushtet, presionet prej hetuesëve dhe inspektorëve të rastit, mandaj ngarkesa se çka mundet me i ndodhë familjes, çka po ndodhë me vëllazënit e motrat, me babën, me të tjerët, me Nuhiun, i cili n’atë kohë ishte jashtë, ndodhi që një natë e pashë një andërr shumë t’pazakonshme, e cila për mua e barte nji mesazh shumë të rëndësishëm dhe të qëlluar me veti. Pashë andërr që isha në… ndodhesha në qytet bashkë me vajzën e axhës, Eminen, e cila ishte moshatare e imja dhe ishim domethanë… studionim në të njejtën ndërtesë, ndonëse ajo studionte Ekonomikun ndërsa unë Juridikun.
Po që të dyja e njifnim Nuhiun dhe Eminja ishte bashkëveprimtare, bashkë me mua dhe Nuhiun, dhe Ahmet Isufin. Derisa ne po përpiqeshim që të gjenim rrugëdalje… Dhe ashtu siç isha duke biseduar me vajzën e axhës, me gjetë rrugëdalje, me u largu pak nga masa sepse atje, njerëzit edhe n’atë kohë shtyheshin mes veti për shkak të frikës nga plumbat dhe lotsjellësi që vinte nga policia. Në nji moment, duke ecur më rrëshqiti këmba dhe u rrëzova. Pashë ëndërr që ndërsa u rrëzova, nga çanta dolën krejt çka kisha brenda, duke përfshirë edhe kozmetikën.
Dhe, derisa unë përpiqesha, t’shof se çka me marrë e si me i mbledhë ato, e pashë që erdhi Nuhiu. Ardhja e tij ishte e pazakonshme sepse unë e dija që Nuhiu ishte mirë me shëndet, ndërsa në këtë rast i tërhiqte këmbët zvarrë dhe ecte me kukëza. Edhe thashë, “O Zot, çka paska ndodhë me Nuhiun?” Kjo thirrje e ime ia tërhoqi vëmendjen edhe vajzës t’axhës, edhe ajo e ktheu kokën pak dhe e pa që Nuhiu vërtetë ecte me kukëza. Ne të dyja vrapumë që t’i ndihmonim atij që t’na bashkangjitej, kurse ai nuk mund të rrinte as në kukëza dhe ra përtoke. U ulë n’tokë. Me vështirësi iu aftue gjërave që kishin dalë nga çanta dhe për çudi, së pari e mori një të kuq të buzëve, që i thuhej n’atë kohë. Karmin tash që po i thonë. Dhe atë tha, “Këtë, e merr t’i Emine!”
Ju drejtu Emines. “Merre këtë, se t’i do t’bahesh nuse.” Ndërsa, në mesin e shumë gjërave që ishin derdhë aty, e mori një laps, dhe lapsin ma drejtoi mua. {E merr një laps në dorë.} Tha, “Ti Shukrije, e merr lapsin, sepse ti duhet t’vazhdosh rrugën tande, edhe me laps. T’vazhdosh t’shkruash për krejt çka ka ndodhë! Dhe tash, ikni! Ikni, m’leni mua se kështu është kjo punë. Nuk ka kuptim, t’vjen policia t’ju merr edhe juve. Lemëni se s’ka… s’ka problem! Gjindem unë!” Ne e dinim që kjo… ishte e pamundur, sepse ai nuk mund as t’lëvizte. Edhe unë e mbaja nga dora kështu. {E zgjatë dorën.} Nuk e lëshova! Ndërsa në ndërkohë, policia vazhdimisht vinin dhe shtinin në ajër, me armë. Dhe për nji moment domethanë, më doli gjumi, dhe pashë veten që ndodhesha në burg.
Ishte e vështirë sepse ti n’ato rrethana, nuk kishe as siguri që ta ndaje as këtë informacion me dike. Me dy shoqet që i kisha në dhomë, sidomos me Shyqerije Bytyçin, e ndava. Thashë, “O zot, ishalla nuk m’del në zhgjëndërr ate që e pashë në andërr”. Dhe ajo pyeti, “Pse?” I tregova andrrën, e ndava me te dhe i thashë që, “Mesazhi i kësaj andrre nuk është i mirë. Sigurisht diçka do t’ketë ndodhë me Nuhiun”. “Jo, moj…” tha, “se e ke krijuar atë përshtypjen se jeton me këto probleme dhe andrra është përsëritje e asaj çka flasim ditën”. Thashë, “Po jo, ne s’kemi bisedu fare për këtë çështje ditën”. Dhe ndërsa ne po bisedonim, dy gardiane erdhën. Ja behën në derë, edhe ashtu si e kanë pasë shprehi, jo t’thërrisnin me një za, t’themi normal po, {e ngritën zërin} “Gashi, Shukrije, hajde! Poseta [Vizitë]!” Dhe unë dola. Thashë vetë me veti, “Çfarë vizite pasna?!” Tha, “Jo, jo. Nuk është vizitë me familje, po kanë ardhë hetuesitë. Edhe, vishu ma trashë! Merre xhemperin tjetër me veti”.
Kur m’tha ashtu, njëra nga to, munda ta marrë me mend se ishte fjala se sigurisht do t’kishte një seancë t’jashtëzakonshme. E mora nji xhemper ngjyrë të zezë, që ishte vetëm një rastësi, dhe pas një rrugëtimi të gjatë që e bëmë nëpër kthinat e burgut, që zgjati shumë, mbërritëm në nji koridor, dhe në ndërkohë pashë dy veta që kalonin. Të rrahur për vdekje. Po ashtu, teksa po kaloja pragun, përsëri rastisa që të ndëgjoj britma të tmerrshme, në dhomën që ishte ngjitë me dhomën ku do t’zhvillohej seanca. Kjo ndodhte pothuajse në çdo seancë që e kam pasë. Eksperienca të tilla!
Dhe kur u futa brenda, pashë që aty ishin shtatë veta, shtatë inspektorë. “Hëë…” filluan pastaj me ironizu me shprehje të tilla, qasje, “Ëë, sa… pra ti e paska marrë vesh. Ti po e din çka ka ndodhë. Ngushllime!” Dhe disa të tjerë, dikush ashtu, dikush ashtu. Tjetri thonte për shembull, “Na vjen keq, po e vrau veten. E ka vra zoti, se e vrau veten!” E kështu. Edhe une, normal që nuk ndejta pa fol, u thashë, “Ai nuk ka qenë burrë që e vret veten. E sigurisht e paskët vra ju! Ju vraftë zoti!” Atëherë reagimi ishte i ashpër. Njëri nga ta edhe më grushtoi. Më përplasi për muri dhe u përgjaka, rashë n’tokë. Derisa po qëndroja aty, mendjen e kisha përsëri tek ëndrra. E kuptova që mesazhi nga ëndrra, u bë realitet! Ata vazhdunë me të tyren se, “Sigurisht e ke ditë! Kush t’ka tregu që ka vdekë Nuhiu? Kush t’ka tregu që ka ba vetëvrasje Nuhiu?”
Thashë, “Unë, absolutisht nuk kam idenë çka ka ndodhë, sepse unë jam brenda katër mureve. Dhe asnjë zog s‘ mund t’futet brenda, e lëre më njerëz. Po mos u tallni me mua, tregoni çka ka ndodhë? Çfarëdo që t’ketë ndodhë, unë nuk e kam ndërmend të ligështohem, dhe jam shumë e sigurt që Nuhiu nuk e ka vra veten, po n’qoftëse ka vdekë, e keni vra ju!” Pastaj, ashtu si gjithmonë që taktizonin. Njeni t’sulmonte vrazhdë me gjuhë, tjetri të përkëdhelte, përdorte gjuhë ma t’butë, “Mos e ndëgjo çka po thotë ky, se është hajvan,” e fjalë të tilla. Që, “Çka me bo tash, ka ndodhë. Ka mjaft djemë të tjerë. Ti banu e mençme, kqyr qysh me dalë prej këtu. Por nga këtu nuk do t’mundesh me dalë n’qoftëse nuk bashëpunon me ne!” Dhe thanë të drejtën, çfarëdo që t’ndodhte ma, për mua ishte njësoj. Mendjen e kisha tek Nuhiu. Nuk m’interesonte ma! A do t’më rrihnin, apo çfardo që t’banin, sepse gjatë gjithë kohës ëndrra më sillej nëpër kokë.
Aty ishte edhe një nga shefat e UDB‐së atëhere, i cili e kishte një vajzë siç thonte ai, moshatare timen, Mehmet Lumi. Përsëri me fjalët e njejta, si dhe në seancat e tjera. Në fakt, më tha, “M’vjen keq! Ngushëllime! Nuhiu e ka vra veten. Po ti, banu e fortë, përpiqu me u përqendru n’bashkëpunim me ne, n’bashkëpunimin tonë, dhe sa ma shpejtë që t’dalësh prej këtu e t’vazhdosh studimet. Vazhdoje jetën! Jeta është e gjatë. Ti je e re. Pse t’kalosh kot vite të tana n’burg, kur mundesh me e gëzu jetën si tërë moshatarët e tua.” Vendosa t’mos përgjigjem. Edhe ashtu bëra. Nuk u përgjigja në asnjë fjalë. Në asnjë pyetje të tyre. As në ato provokimet kinse për deklarata që ka mund t’i jap dikush nga grupi. As në fyerjet, sepse ishte e kotë. Edhe po t’përgjigjeshe, ose t‘bëje përpjekje që t’komunikosh normal me ta, sjelljet ishin të ashpra shumë, dhe shumë fyese.
U ktheva në dhomë, dhe përpiqesha që t’kuptoj pse qenka kaq e gjatë rruga nga zyra e hetuesisë deri tek dhoma ime. Dhe kjo ndodhte sepse ndërtesa e burgut, nën dhe ishte e lidhur me ndërtesën e gjykatës. Dhe ajo ishte… ishin të ndara. Mbi sipërfaqe, ato nuk janë lidhë, po mrenda po. U përpoqa t’kuptoj pastaj… pyeta një gardiane, thashë, “Nuk e kuptoj unë çka është kjo punë. Pse aq larg? A aq i madh është ky burg?” Ajo, me shumë kujdes m’tregoi se këto ishin ndërtesa mbi sipërfaqe t’ndara, por nën tokë, lidheshin. Sipas asaj që kam mësuar dhe dëgjuar, domethanë sa kam qenë në burg, këtë burg, dhe këtë mënyrë, këtë konstruksion e kishte bërë nji austriak.
Kur u ktheva në dhomë, iu tregova shoqeve se çfarë kishte ndodhë. Derisa unë kam qenë në seancë, në seancën hetuese, ato veç e kishin marrë lajmin që Nuhiu ishte vra. Mirëpo kishin vënë kontakt me t’gjitha vajzat që nuk duhet ta marrë informatën si të vërtetë. Mundësia atëhere me komuniku nga dhoma në dhomë, ka qenë përmes gotave të kosit, si kjo. Ma jep, nëse doni t’ua demonstroj, po… {E merr një gotë dhe imiton vendosjen e saj në mur}. Një gotë e tillë, vehej në mur, hapej vrima këtu, dhe kështu mandej shpërndahej. Dhe ashtu ishin marrë vesh, që mos ta marrë informatën se çka ka ndodhë me Nuhiun. Që Nuhiu dhe Rexhep Mala ishin vra. Nga mënyra se si sillej vajza që… shoqja që e kisha n’dhomë, cimerja e dhomës, ndonëse nuk ma donte zemra, s’e pranonte, e kisha parandjenjën që ajo çfarë kishte ndodhë ishte e vërtetë. Çfarë une kisha pa në andërr, por edhe nga reagimi i inspektorëve, do t’ishte e vërtetë!
Dhe e pyeta, thashë, “Shyqyrije, mos e keni marrë shtypin sot? Mos ke ndëgju ndonjë informatë, ose ke lexu? Tha, “Jo! Interesant, sot nuk e kanë pru gazetën…” ashtu i thonte, “pse?” “Po, s’di!” thashë. “Çudi…” thashë, “n’seancë, edhe m’shprehën ngushëllime, edhe reagimet kanë qenëshumë t’çuditshme, ‘Aaa, kjo veç po e ditka që është vra Nuhiu! E ka vra veten Nuhiu. Është veshë me t’zeza’” Të njejtin reagim e pati edhe ajo, tha, “E vrafshin veten se ne e dimë që Nuhiu nuk është djalë që e vret veten. Po sigurisht, edhe po qe se ndodhë, ata do t’i vrasin djemtë tanë.” Edhe shikoja kështu përreth, mos po gjej ndonji reagim, po marrë nga ato të tjerat, që ishin të dhomës. Por jo, asnjenja! Ose nuk të shihnin kështu drejt n’sy… Thashë, “Ju lutem, nëse keni ndëgju diçka, tregoni! Unë s’kam çfarë t’baj tash. Jam n’burg. Nga këtu edhe s’mund t’dal. Edhe vrasjet e djemve tanë e vajzave, janë të pritshme.” Dhe ra një heshtje. Askush, asgja. E dija që tashma, koha e drekës kishte mbaruar edhe… edhepse se kam pasë shprehi asnjiherë fillova t’i thërras vajzat, me emra. T’kërkoja nëse ato kishin informata. Aq mirë ishin organizu që asnjëna nuk tha, “Jo, jo! Nuk di! Jo moj! Çka flet, andrrat janë andrra, s’janë gja.” Qëllimi ishte që unë të mbrohem nga një stres i tillë, të paktën për kohën sa mund të qëndroja në Mitrovicë, në mënyrë që mos ta pësoja edhe një goditje tjetër t’randë, karrshi këtyre goditjeve që i kisha çdo ditë. Pothuajse gati çdo ditë n’seancat e hetuesisë. Megjithate, tanë kohën e kam pasë atë ndjenjë që ajo ka ndodhë.
Madje edhe kur u takova n’vizitën e parë pas vdekjes së tij me familje, u përpoqa ta kuptoj. Dhe e shikoja n’sy babën, axhën, nanën, t’mësoj diçka. Mirëpo ata sigurisht kanë folë që nuk duhet me tregu. Edhe baba tha… kur e pyta, sepse atëhere bisedonim me pseudonime, thashë “Beqa, si është?” “Po Shuki…” tha, “çka me të thanë? Leje pashë zotin, shikoje ti shëndetin tand! Djem, kur t’dilsh, djem ka sa t’dushë. I ka shiku punët e veta. S’ke çka! Merru ti me vetveten, kqyre ruje shëndetin tand.” Tha, “Shih, je ba kockë e lëkurë. Ti s’ke metë gja. Leje atë punë! Hajt se kur t’dilsh merresh me këto gjana. Njiherë kujdesu për shëndetin.” Edhe nanën e pashë kështu n’sy, përpiqesha t’hetoj, kuptoj gja nga ta, po… kurrgja. Meqenëse si kushtuaë kujdes ata, as unë… s’pata çka me ba!
Kaltrina Krasniqi: Çka ndodhi n’gjykim mandej?
Shukrije Gashi: Në fakt, më falni, se gjykimi ka qenë para kësaj. (Ofshanë). N’gjykim, siç e thashë ma herët, normal atëhere, na dërgonin në gjykatë me ato kerret e veçanta që kanë qenë për t’burgosun, me pranga. Edhe para se me shku, para se me u majtë gjykimi… edhe këte do ta them… Meqenëse vizitat ndodhnin shumë rrallë, edhe nuk kisha rroba t’reja, domethanë që t’dilja n’gjykim, kërkova nga një gardiane që t’më ndihmonte, që t’paktën t’ia kërkonte me telefon familjes që t’mi sillnin rrobat. Edhe pse ka qenë shumë e rreptë, megjithatë sa i përket disa çështjeve, ka qenë shumë korrekte. “Je…” tha, “shumë e pjekun,” sepse unë jam përpjekë që t’mos baj veprime që kanë qenë shumë fëminore, si dhe t’kota. Ëë, ku di une, t’kapem n’derë e, t’bëjë zhurmë e, ngatërrohem me gardianë pa ndonjë arsye, pa ndonjë shkas t’veçantë. Tha, “Unë po t’premtoj që do t’i telefonoj familjes edhe do t’i sjellin ato, rrobat.” Edhe ashtu ndodhi. Dhe m’i solli rrobat. Dhe nuk kisha dëshirë që prindtë t’më shohin se dukesha keq, sepse kisha ra në peshë edhe isha shumë shëndetligë. U vesha dhe shkova. I pashë nga largësia, (buzëqeshë) sepse nuk t’ipej mundësia që t’përshëndetesh me ta, familjen.
Atëherë, akuzohesha me akuzën, dhënie e ndihmës kryesit të veprës penale… pas kryerjes së veprës penale, kështu diçka ka qenë emërtimi. Neni 137, lidhur me nenin 136. Avokat e kam pasë, ish‐profesorin e juridikut, Avni Gjakovën, i cili ka pasë një aftësi të jashtëzakonshme komunikuese dhe profesionale. Dhe e tha, domethanë në… para trupit gjykues që, “Këta fëmijë, kanë bërë aq faj, sa meritojnë vetëm një thupër, dhe t’shkojnë në shtëpi. Se s’kanë bërë gjë!” Por nuk ndodhi ashtu domethanë. Megjithatë, u dënova me dy vjet burg dhe natyrisht e vazhdova edhe për pak kohë burgun në Mitrovicë. Pastaj nga aty, pjesën tjetër në burgun e Lipjanit, që ishte një burg me tretman gjysmë të hapur.
Dhe kur… atë ditë që dola nga burgu i Mitrovicës, e përjetova shumë randë ikjen nga ai burg, sepse mbrapa meje lashë shoqe shumë, të cilat jetonin në kushte shumë t’randa. Në veçanti, për faktin se çdo ditë katet ku jetonin, ku qëndronin meshkujt, maltretoheshin çdo ditë. Dhe ajo ishte si një pllakë gramafoni e prishur, që vendnumëron dhe nuk ka ndonjë këngë të re. Me këtë përshtypje të rëndë, u largova. Madje, për ju mund t’jetë e pabesueshme, po për mu ka qenë kështu, që unë edhe insistova që edhe më tutje, për shkak të shoqeve t’jem në burgun e Mitrovicës. Mirëpo ishte urdhër i prerë dhe ishte procedurë.
Kaltrina Krasniqi: Kur dolët prej burgut mandej? Kur u lirutë? N’çfarë periudhe, çfarë viti?
Shukrije Gashi: Kur dola prej burgut ka qenë korriku i vitit 1984, ose ’85, kam harru (buzëqeshë). Po, sapo po e përfundonim ndërrimin e punës dhe po ktheheshim në ndërtesë ku jetonim n’atë kohë, si të burgosura, njëra nga gardianet më tha mua që unë duhet të ndalem, t’mos shkoj n’dhomën time, t’bisedoj me te. Edhe une mendova se sigurisht kanë me m’tansferu në Pozharevc, ose në ndonjë vend tjetër, ku zakonisht transferoheshin. Dhe m’tha, “Kam diçka për t’thanë po duhet ta mbashë për veti.” Thashë, “Çka ka me mbajtë për veti? Trego çka është! Nëse m’transferojnë, m’transferojnë. Unë tash, nuk kam çka t’fshehë këtu.” Tha, “Shuki, ti kthehesh n’dhomën tane, i merr plaçkat, po shkon n’shpi!” “Jo…” thashë, “unë n’shpi nuk shkoj!” “Çka po flet moj?” Thashë, “Çka po m’dëgjon! Kurrë…” thashë, “nuk shkoj n’shpi! Qysh po kujton ti? Une po shkoj n’shpi, e po i la shoqet këtu?!” Tha, “Po ti, nuk mundesh me qëndru ma gjatë. Kështu e ka pru vendimin shkalla tjetër, dhe s’ke rrugë tjetër,” tha.
Dhe, në nji distance, t’themi prej kështu dy metrash ndoshta ka qenë… rrinin shoqet. Sepse gjithmonë, ne njëra për tjetrën, shfaqnim edhe bashkëndijim po edhe gatishmëri për ta mbrojtë njëra tjetrën. Dhe ato nga frika se mos kam ndonji kërcënim, nuk shkonin n’dhomat e tyre. Edhe njëra nga to m’tha, prej largësisë, “Shukrije çka po ndodhë me ty, oj motër?” “Asgja…” thashë, “e jashtëzakonshme, po edhe e mirë jo.” Tha, “Pse?” Thashë, “Se po kujtojnë këta që une pranoj me shku n’shpi, e me ju lanë juve këtu.” Ato nga gëzimi filluanë me qa (buzëqeshë) edhe me uru, “U sa mirë! Mirë shumë! Hajde, hej zot, sa mirë!” Kur kanë ba ato kështu… edhe vërtetë, n’vend se të gëzohesha, unë fillova me qa, se m’dukej shumë e randë. Edhe përsëri, gardianja, zoja Nexhmije, ka qenë një grua e mirë, tha, “Shukrje, edhe këtyre të tjerave… mos u mërzit, ju vjen dita dhe lirohen. Këto nuk janë gjana që i vendosim ti dhe unë, por shteti, politika. Unë jam shumë e sigurt që ti këto s’ke me i harru kurrë.”
Pashë përreth nihere, dhe u nala tek vajzat e reja. Kanë qenë… sidomos njena që e kisha n’dhomë, ka qenë shumë e lidhur për mu. I dukesha noshta ma shumë se motër, nanë. Thashë, “Qysh moj gardiane, po ku me lanë Shahadijen?” “Po Shuki…” tha, “Shahadija… Pse po thu ku me lanë Shahadijen? Qe ku janë tjerat. Këto krejt janë t’mira. Vjen dita edhe Shahadija lirohet, edhe shkon n’shpi sikur ti! Mirë është…” tha, “që del, e mandej…” ajo nuk mundte me m’thanë e vazhdon… tha, “e vazhdon shkollimin.” (Ofshanë).
Shkova dhe i mora rrobat… erdhën t’gjitha vajzat n’dhomë. Dhe m’ndihmuan shpejt e shpejt m’i palu, po pothuajse t’gjitha gjërat nuk i mora, i lashë. I shpërndajta nëpër shoqe. Dhe u nisa… ka qenë rregull që lidhëset e këpucave nuk t’i kanë dhanë. Edhe e kisha bukur të vështirë t’vazhdoj t’ecë pa lidhëse… Një gjë tjetër që m’bani përshtypje, ishte që nuk dija se si… nuk informonin se si mundesh me udhëtu prej burgut e deri n’qytet, për shembull. Dhe në dalje, u përshëndeta me vajzat. Nuk e ktheva kokën pas edhe një here t’i shoh, sepse e kisha shumë t’randë. Nuk e di pse e kisha ndjenjën e fajsisë! Se unë po dal, e ato po mbesin. Dola në rrugën kryesore para dyerve të burgut, dhe tash mendoja me veti, “Qysh ka me shku? Kah me ia mbajtë?” Se edhe pse kisha qenë në liri, unë ma parë s’kisha qenë n’atë pjesë t’vendit. Ndoshta kam kalu aty pari, po nuk e kam ditur ku është burgu, e ku… Dhe meta kështu… po shoh anash, përpiqesha me kuptu ku jam. Me nji hamendje, thashë t’vazhdoj kah qendra e qytetit, përafërsisht ashtu, se edhe nuk e dija ate mirë, atë zonë të Lipjanit, sepse nuk ishte n’qytet mbrenda, po ishte n’periferi.
Edhe fillova me ecë ngadalë, tu i ngreh kambtë zvarrë, sepse isha pa lidhëse. Dhe po i shikoja kerret, veturat që kalonin aty pari… Me thanë mas… nuk jam shumë e sigurt… ndoshta mas dy, tre qind metrash, ni veturë u ndal. Edhe m’tha, “Futu shpejt! Shpejt, shpejt, shpejt!” Unë mendova që janë këta të Sekretariatit, të Sigurimit. Kur u futa brenda, kishte qenë mjeku i burgut. Ka qenë burrë shumë i mirë (buzëqeshë). Edhe kam ba përpjekje edhe atëherë me gjetë, me ditë ku asht’ ku njeri, Abdullah Hoti. U futa në veturë, dhe m’sygjeroi që t’shtrihesha. Sepse, s’kishte të drejtë as këtë shërbim që t’ma bënte. Me veti e kisha fletlëshimin. U shtrina domethanë në ulësen e mbrapme, e pasme dhe ashtu vazhdumë, deri n’Prishtinë. Kisha shumë dëshirë me pa kah kalonim, po duke e ditë rrezikun, vendosa që t’rri ashtu siç më tha.
Kur mbërrijtëm në hyrje t’Prishtinës, te Veterniku, tha, “M’vjen keq, ma mirë është për ty edhe për mu që tash këtu, vazhdo me ecë.” Se kishte frikë, jam shumë e sigurt, që mos ndokush po e përcjellë dhe do t’mund t’kishte pasoja. Ndoshta mund t’iu tingëllon që është pak e pazakonshme, po edhe kur dola nga vetura, kam fillu me qa me za vetë me veti. Mendjen e kisha tek vajzat e burgut. Dhe i mendoja ato, brenda, t’rrethuara me një mur shumë t’lartë dhe torturat që i përjetonin, qoftë edhe psiqike, nga shefi i punëtorisë së rrobaqepësisë, për çdo ditë, çdo mëngjes. Përcjelljet nga ana e gardianeve, sepse ka pasë edhe gardiane që kanë qenë shumë të rrepta. Dhe, punën e rëndë që e bënin çdo ditë. Pastaj, mbrëmjet në atë ndërtesë kanë qenë shumë të rënda, sepse flitej që burgu është i ndërtuar mbi varreza. Përjetime shumë t’randa kam pasë kur kam qenë n’karantinë. Ato, dikush mund t’i ketë parë vetëm n’filmat horror, çfarë kem përjetu ne që kem qëndru nga një muaj ditë në karantinë. Të gjitha këto, më silleshin në mendje, dhe nuk mund t’pajtohesha me faktin pse unë dola e ato nuk dolën.
Dhe kështu vazhdova rrugën. Ndonjëherë, i shihja këpucët e mia. Thojsha, “Kurrë s’ka me mujtë me mbërri m’shpi!” Kur erdha tek Gjykata e Qarkut, nuk di pse ashtu m’erdhi instinktivisht dhe u ndala. Për nji moment, krejt procesi i gjykimit dhe pamjet e policisë që kanë qenë jashta ndërtesës, mu kanë kujtu. Mu duk’, sikur po shkoja për herë të dytë n’gjykim. U nala, pashë përreth, dhe përpiqesha me e gjetë rrugën për te shtëpia. Aty nuk ishte shumë larg, po ja domethanë, ra puna e gjykatës dhe nuk më kujtohej ku e kam shtëpinë. Atëherë, ni burrë që kaloi aty pari, m’shkundi nga krahu, {e prekë supin me dorë} m’tha, “Urdhëno, kend… po m’duket se je ka kërkon diçka, nuk po din me gjetë… çfarë rruge, ku po don me shku? M’u dukë e pazakontë që unë ta pyes për shtëpinë time. T’i tregoja drejt, thashë sigurisht, edhe m’merr kohë, edhe do t’shkaktoj shqetësim tek ky plak. Si thashë asgjë, përveç e pyta se, “Ku është Rruga e Bihaqit?” Tha, “Shumë afër e ke. Ja, kështu!” M’orientoi me dorë.
Vazhdova mandej, hyra në lagje. Nuk e di pse, nuk kisha dëshirë t’shikoja anash, apo ndoshta ishte përvoja e nxitur me dhunë në burg, që nuk na lejohej t’shikonim anash. Dhe, kur u afrova tek shtëpia, nuk kam vërejtë se shumë fqinjë të lagjes janë befasu, “Pse kjo nuk flet me neve?!” Jam futë, i kam ra ziles, e jam futë në koridor. Kur kam hy, e kam pa nji fëmi t’vogël, me sy t’kaltërt, që ai ishte Graniti, nipi im, i cili mbante një gisht në gojë. Dhe m’shihte kështu. Ndosha ka pasë dy, tre vjeç, s’ka qenë ma shumë. M’shihte me befasi, “Kush është kjo?!” E mora, e përqafa. Ka qenë shumë i vogël kur e kam lanë edhe nuk isha e sigurt nëse ish’ Graniti ai. Atëherë motra e tretë, motra e Granitit, në kthesë të shkallëve… Ajo ka dalë sigurusht për t’birin. I ka ra befasi, qe ka qenë e papritun për te. E ka lëshu një thirrje, kështu tronditëse, “Ooo, ka ardhë Shuki!” edhe i ka ra t’fiktë. Mandej ka dale nana, baba, edhe vajza e hallës, ose… nuk m’kujtohet kush, e të tjerët. Edhe si zakonisht, nana ka qenë shumë e fortë, sepse ishte jeta që e kishte rryer me shumë vuajtje. Dhe, nuk qau, për çudi! I përbinte lotët. “T’kom thanë…” tha, “që ki me ardhë. A po e sheh që erdhe?” Kurse, babai nuk mundi t’i mbante lotët. Ai ka qenë gjithmonë ma i ndjeshëm. Edhe e tregonte ate. “Ee…” tha, “a e sheh pra? Çdo teposhtëze, e ka nga nji përpjetëze!”
Kaltrina Krasniqi: Qysh kanë qenë qato vjet mas?
Shukrije Gashi: (Ofshanë).
Kaltrina Krasniqi: [e pakupt.]
Shukrije Gashi: Ka qenë e vështirë shumë për mua që ta vazhdoj jetën, edhe sidomos studimet, sepse mënyra se si ka vepru regjimi serb, ka qenë shumë e veçantë. T’bahen veprime, po mos t’lamë gjurmë. E para që m’duhej të bëja ishte që t’paraqitesha në Sekretariatin e Punëve të Brendshme, për t’i kërkuar indeksin e gjërat e tjera nga ta. Sepse, ishin marrë t’gjitha domethanë. Dhe, shkova. U takova sërish me po t’njejtit inspektorë, që isha ballafaquar shpesh më herët. Dhe, nuk pushuan tendencat e tyre, që përsëri unë t’përfshihesha në bashkëpunim, duke më ofruar punë edhe lehtësime, kinse lehtësime në kryerjen e studimeve.
Unë njëherë e përgjithmonë, ia bëra të qartë, që, “Nuk e kam ndërmend, t’bashkëpunoj me ju! Kam ardhë që t’i kërkoj indeksin dhe dokumentet e tjera, fotografitë që i keni marrë. E çdo gjë tjetër. Dhe s’ka asnjë bashkëpunim me ju! Harrone!” Dhe, mora përgjigje me kërcënim, që, “Fakultetin nuk ke me e kry kurrë! Harroje! Dokumentat i merr, po studimet s’ke për t’i mbaruar kurrë.” I mora dhe dola. Edhe doli t’jetë ashtu! Aplikova shumë herë për pasaportë, dhe pasaporta s’mu dha kurrë. Fillova me vazhdimin e studimeve, i ndoqa ligjëratat, sepse kur kam ra në burg, kam qenë absolvente, mirëpo nuk fitova asgjë nga ndjekja e ligjëratave. Ishte një numër profesorësh, të cilët më lejonin që t’hyja deri n’sallën ku mbaheshin provimet, por jo edhe që të përgjigjesha në pyetje.
Dhe, duke e pa një tendencë të tillë, vendosa që t’bisedoj përsëri me avokatin, dhe t’ia spjegoj situatën se si qëndronte. Ai është tregu shumë i kujdesshëm ndaj meje. Ka qenë shumë herë edhe ka bisedu me profesorë. Është dashur që t’krijohen komisione, që unë t’mund t’i kryej provimet. Mirëpo dy provime m’u zgjatën shumë, jashtëmase. Pothuajse m’i humbën pesë vjet kot, duke mos m’pranuar as që të përgjigjem, siç e thashë, n’provim. E kryeja krejt procedurën, paraqitjen e provimit, por kur vinte koha për t’u përgjigjur, kjo nuk ndodhte. Dhe dikur, kërkova edhe ndihmën e njërit nga profesorëve. Ishte fjala për Fatmir Sejdiun. Ja sqarova situatën, dhe vërtetë, n’atë kohë, Fatmiri, më ndihmoi shumë. Më sygjeroi që mos t’paraqitem në provim tek profesori, por tek asistenti, në mënyrë që t’i shmangem mundësisë për ta humbë edhe një afat, e shumë afate të tjera. Dhe kështu ndodhi. Pas shumë përpjekjesh, me mund t’madh, e kryva fakultetin.