Pjesa e Dytë
[Rrëfimi vazhdon nga pjesa e parë e intërvistës]
Suzana Gërvalla: … letërnjoftimin. Thashë, “Du me hi n’punë. Unë duhet me jetu këtu. Unë nuk mundem…. Une s’kom ça me bo, ai ka shku, une duhet me jetu”. Nejse, letërnjoftimin ma dha. Atëherë, aty ka punu në, ni kusheri i Jusufit, Feriz Gërvalla, sot është advokat. Ai punonte atje. Une ia dorëzova atij krejt dokumentat. Se ça ka bo, se qysh ka bo atje? E boni pashaportën. Vetëm ajo pashaporta, i munognte ni vule kryesore. Aty s’ka mujt me e kalu ai atë. Por, tha, “Provo, n’mujsh me dalë kështu pa qat’ vule, del”. Atëherë ka ardhë motra jeme prej Shkupi. Unë ju thashë ktyne, thashë, “Du me ardhë, du me shku nja dy-tre, dy-tre ditë në Shkup me pushu te mo, te prindërit e mi”. Thashë, “Atëhere ki m’u paraqit edhe atje”. Se nisoj ishte ajo, nisoj…
Erëmirë Krasniqi: M’u paraqitë në polici?
Suzana Gërvalla: Ki m’u paraqit në polici atje, se u deshke përditë m’u paraqit. “Po,” thashë, “paraqitem edhe atje”. Ndërkohë, baba ma kishte nxjerrë biletën, se ishte ni tren direkt prej, prej Shkupi – Shtutgard ka qenë ni tren. Ai shkojke natën, ai treni, kishte edhe ditën, por une mora natës. Kur shkova une atje, atë ditë, n’mramje kemi hyp në tren une me fmitë. Morëm ni kupe komplet, fjetje. Kur shkum në Slloveni tashti me kalu kufinin atje, [u] tutsha që po ma shohin pashaportën që s’ishte n’rregull.
Atëherë, atëhere fmive ju thashë, “Boni sikur po fleni, zonin mos t’jau ni”. Kur erdhi ai doganieri aty, ai polici aty, i thashë, “Fmija po flejnë, t’lutem mos e dhez dritën se me bo me dhez çohen e bërtasin ta çojnë gjithë, gjithë kupenë ta çojnë” thashë. Tha, edhe ai nuk e dhezi dritën, i ra vulë edhe kalova. Shkova. Shkova në Shtutgard. Aty m’priti Bardhi. Se i tha, patëm, jemi konë marrë vesh që mos me dalë Jusufi se mos po m’përcjellë dikush. Edhe doli Bardhi më mori. Shkum atje. Shkum Ludvisburg kemi banu në nji podrum aty, me Bardhin bashkë.
Ma vonë morëm, morëm ni shpi në ni fshat Untergrupenbach, aty ku janë vra. Morëm ni shpi me Bardhin. Neve na pagujshin sociali se ishim azilantë politik. Jusufi vazhdonte punën. Tonë kohën organizonte demostrata. Boni “Lajmëtarin e Lirisë”, organin e “Lëvizjes”. Tre numra i shtypi. Gjithë ato që i shtypnim i çonte në Kosovë ka 5000 kopje nëpërmjet djemve që kishim na, që punonin me neve. Kishim nja shtatë djem që i manim, që i kishte shumë të afërt, djem t’ri, Jusufi, edhe gjithçka me ata. Me tjerët nuk, nuk kishte besim te tjerët, përveç te këta shtatë djem t’ri.
Edhe ata i çonin çdo numër e kanë çu n’mënyrë ilegale, nëpër Itali, anej-knej, po hynin në Kosovë edhe i dorëzonin ato. Pastaj i bëri edhe tre numra “Zëri i Kosovës”, se e ndrrun emrin, nga “Lajmëtari” e ndrruan emnin e bonën “Zëri i Kosovës”. Edhe tre numra i boni n’atë. Ndërkohë, aty në Gjermani kanë qenë tri organizata, domethonë organizata jonë “Lëvizja Nacional Çlirimtare”, ka qenë “Marksistë Leninistët” që ka qenë ky Kadri Zeka, ka qenë edhe shoqata “Fronti Kuq” që ka qenë Ibrahim Kelmendi.
Ata nxirrnin do, organ i tyne domëthonë, por nxirrnin do si fletushka, si fletë fotokopjume edhe të kapne me…. Atëhere ju tha Jusufi, “Bjere se ja u redaktoj une edhe i botojmë, e bojmë tamam. Nuk bohet ashtu”. Kështu që Jusufi edhe që s’ka qenë në organizatë tyne, ai të, ai, na e kemi shti, e kemi bo edhe ja u kemi redaktu edhe ktyne revistat edhe dy organizatave tyne. Edhe demonstrata që organizohesh, kemi dalë bashkë, edhe me ata. Nuk ka pasë ndarje. Kjo ka qenë ni fitore shumë e madhe e Jusufit që mundi me bashku, jo me bashku organizatat, po veprimtaritë me i bo bashkë me…
Erëmirë Krasniqi: E keni fjalën për demonstratat këtu apo demonstratat që janë mbajtë në ekzil?
Suzana Gërvalla: Jo, jo, flas për atje. Flas nëpër Evropë, nëpër Evropë, jo këtu. Jo, këtu. Këtu mo s’është kthy Jusufi kurrë. Ça t’ju them une juve? Pastaj më vonë ka pasë pak probleme me këtë “Marksistë Leninista” edhe me këtë, se u bon bashkë këta Ibrahim Kelmendi me Kadri Zekën, u bon bashkë edhe kundra Jusufit e…. Nejse, megjithatë Jusufi e vazhdoi punën e vet, ata punën e vet. Në, domethonë në, nga data, në datën 16 janar, me datën 16, na pat ardhë nifarë kasete me do filma të Shqipërisë…
Erëmirë Krasniqi: 1979 a?
Suzana Gërvalla: Po flas për ‘60, ‘70, jo ‘81, po ‘82, ‘82, po flas për datën 16, ‘82, 16 janar. Na erdhi një kasetë. Edhe u mblodhën në ni ven aty, kishe punëtor kështu, e u mlodhën në ni ven me e pa atë kasetën gjithë. Ndërkohë, Kadria edhe ky, ky Ibrahim Kelmendi bashkë me ni, me ni t’afërm të Ibrahim Kelmendit, nifarë Mustafa, kanë shku, kanë marrë vesh ku janë edhe kanë shku atje n’atë, n’atë sallën aty ku kanë qenë ata. Kanë pa filmin edhe erdhën, erdhën te ne pastaj, mas filmit erdhën te ne. Mjes, pastaj, Jusufi me Ibrahim Kelmendin s’ka mujt kurrë, tri here e ka qitë prej shpije. Se Ibrahimi ishte spijun kështu, ishte shumë i rrezikshëm edhe e dishin gjithë çka punon ai. Edhe sot, sot e ajo ditë ashtu ka metë. Edhe ne gjitha dyshimet i kemi te ai, për shembull, për gjithë këto që kanë ndodhë. Jusufi….
Qat’ ditë, masi janë çu prej gjumi vonë, Jusufi me Kadrinë, se e kemi pasë dhomën e punës nalt n’katin e tretë, Jusufi me Kadriun kanë nejt atë ditë atje. Gati gjithë ditën. Tu bisedu, me i, domethonë me i sheshu këto problemet që kanë, se kanë pasë shumë probleme ndërmjet vete. Kanë pasë probleme se kanë dashtë m’u bashku po Kadria ka lujt fjalët, e qashtu osht’ bo disa, disa, disa gjëra. Edhe, dojshin m’u pajtu domëthonë, ama, ama Ibrahimin Jusufi nuk e ka lonë me marrë pjesë atje. Ky Ibrahimi ka nejt deri n’ora katër atë ditë aty. N’ora katër ka shku, e ky Kadria ka metë në shpi me Jusufin.
Nga ora dhejtë, nga ora nëntë kështu zbritën poshtë. Une kisha bo darkën. Hongrën darkë, edhe mas darke…. Ky Kadria ish martu dy javë përpara. Edhe tha, “Une, mu m’duhet patjetër me lajmëru grun se nuk kthehem sonte” tha. I tha Jusufi, “Le, o burrë,” tha, “se jemi n’luftë e nuk, mos e mso grun tash, mos na nxirr natën tashti me dal veç për telefon”. Se na s’kishim telefon n’shpi se na thirrshin prej gjithanej, UDB-a knej, e ja hoq, e hoqëm telefonin se shumë na thirrshin. Po, jo, po, jo. Tha “Jo valla une, une”…. S’kishe as aty në fshatin tonë telefon për shtet, po duheshe me shku në ni ven tjetër. Tha Bardhi, “Hajt se po t’çoj” tha, “te telefoni”.
Sa dolën te dera Jusufi po thotë, “Hajt se po vi edhe une” tha. Se Jusufin nuk e lenin fort natën mu end. Nuk e lenin as këto shokë, as… e rujshin Jusufin shumë. Kanë dalë. Te dera kur dolën… boll inat m’erdh që doli Jusufi, po… kanë dalë te dera. Une me grun e… gruja e Bardhit shkoi nalt me qitë, se kishte, ishte shtatzane e kishte edhe fminë e vogël. Shkoi me i qitë n’gjumë ata nalt. Une meta aty. S’kam ni kurgjo. Kanë shku n’garazhë. Kanë hyp n’kerr. Jonë nisë me kerr. Ka qenë akull, ftoftë atë ditë janarit, 17 janar.
Kur po m’bjen zilja mua te dera. Kur dola te dera ni kojshike gjermane, se kemi shku shumë mirë me ata kojshitë, tha “Zonja Gërvalla” tha, “shpejtë” tha, “se kështu kështu ka ndodhë” tha. “I kanë plagosë” tha, “jonë…” Dola qashtu si isha prej shpije. Dola shpejtë. Kur shkova atje dera ishte hapur, kjo knej, jo nga Bardhi po kjo tjetra. Edhe ni trup poshtë kishte ra, ish konë Kadria. Jusufi kish qenë përmas. Kadria kish ra n’tokë. Kur shkova, edhe Jusufi ka qenë, kur ajo karrika përpara nga përplasja ka ra kështu {ilustron me duar karriken e automjetit} edhe Jusufi isht pshtetë në ashtu. E kishte një dorë kështu {tregon si i mbante duart Jusufi}, edhe ni dorë e majke te barku. Me ni dorë u majke kështu poshtë.
Kur u afrova une e pashë, se s’disha une kush osht’ ku, e pashë trupin, e pashë që ishte Kadria. Kur Jusufi tha se… gjithni m’ka thirrë çikë, se qysh çikë m’ka njoftë si fmi, edhe çikë, çikë… “Çikë,” tha, “qe ku jam”. Kur u afrova ai e kishte ballin pshtetun te ajo. E mora. Tha, “M’u ka lodhë dora” tha. Se ishte pshtet aty. E kapa e pshteta aty. I thashë, “Ha Jusuf, ku e ki, ku e… ” Tha, “E kom në bark” tha, “edhe n’shpinë”. Se Jusufi ka qenë përmas e ka mujt me lëvizë. Tha, “Po, kqyrma Bardhin” tha, “a osht’ gjallë” tha, “se s’po nihet.” Tha, “Vëlla!”
Kur shkova anej nga Bardhi nga ana tjetër, xhami ishte thy. Kur e shoh Bardhi kish ra qe qishtu, qe qishtu {demonstron si ishte shtrirë Bardhi}, thu ti që ishte n’gjum. Edhe i kishte këtu dy {tregon me dorë te faqja} ngjit, po si fije shkrepze, kaq të holla, dy pluma, këtu, qe këtu, ngjitne. E pashë, e preka. I ftoftë. Ja shtina dorën këtu me prekë, {tregon pulsin te qafa} hiç. Ja shtina dorën mrena, ai e kish pasë n’zemër edhe këtu. Bardhi ishte, i ftoftë ishte.
U ktheva kah ai. Thashë “Jusuf”, thashë, “Jusuf” thashë, “e kanë plagosë n’gojë” thashë, “këtu” tha, “e ka te goja” thashë, “edhe nuk po munet, nuk po munet me ngre, po, po livrit” thashë. Ça mi thonë? Ta kanë vra vllain…. N’atë kohë ka ni ajo kunata, edhe po vjen kunata, gruja e Bardhit. Shkon natyrisht drejtë e te shoferi, se Jusufi s’i ka dhonë makinës. Kur shkon atje e sheh, “Ku-kuuuu kanë vra Bardhin”. Une prej ktuhit {tregon si i ka bë me shenjë mos t’flasë} kësaj, “Qysh moj kanë vra, a p’e sheh që po livrit, a po sheh?” I thojsha asaj. Ia bojsha kështu {duke treguar me gisht kah Jusufi}, ajo e mori vesh menjëherë se çka po i them. U shukat. Kajke afër tij. Edhe, u shukat.
Ajo ndihma e shpejtë edhe policia s’kanë ardhë gati gjysë ore. Nuk e di si ka ndodhë ajo punë, po nuk erdhën, shumë. Kom nejt me Jusufin aty. Ajo aty afër burrit, a une me Jusufin. A Jusufi tonë kohën fliste, “Bone kështu”, linte…. Se une kom punu me Jusufin bashkë. Punën, ai ka, ai ka shkru ndërsa une i kom bo faqosjet e t’gjitha, t’revistave që kemi bo. E ma spjegoi këtë numrin, e kishim gati me nxjerrë këtë numrin tjetër, “Kët numër do qesish këtu, këto do qesish këtu, këto kështu, këto kështu”. E thashë, “Jusuf a pa, a pave dikon” tha, thashë, “a pave?” Tha “Po,” tha, “pashë” tha, “por nuk njofta asnjo” tha. “Përze, çikë” tha, “koftë shiptar, ishalla se gjojnë kurrë kta” tha. “Se gjithmonë po na lojnë” tha, “që po vrajmë njoni-tjetrin”. Ate e ka lonë. Edhe përnime s’e kanë gjetë akoma që 35 vjet.
E folëm, e folëm. “Fmitë, fmitë me m’i rritë, fmitë me m’i shkollu”. Gjithë, gjithë porositë i la. Dikur erdhi ndihma shpejtë. Kur erdhi, une s’e disha edhe aq mirë gjermanishten, na dy vjet kemi jetu aty por une s’kam qenë n’shkollë, kam qenë gjithë kohën…. Shkova aty si, si dita i thashë atyne, “Merreni ate se është vëllai tij, le t’mendoj që osht’ gjallë” thashë. Ata e bonën. E morën atë Bardhin, e çunë maspari ato te ndihma shpejtë. E futën edhe ja futën sikur po i qesin atë, sikur po e mjekojnë, infuzionin. Kur e morën Jusufin, tha, tha, thashë, “A po sheh, gjallë është, që po i jepin infuzion?” “Eh, shyqyr!” Tha Jusufi. U lehtësu pak për vëlla.
Ai tjetri ishte dekë aty, Kadria, n’tokë. E mbuluan me qebe. Këta dy i morën. E morën masanej edhe Kadriun i çunë n’spital. Une deshta me hyp me ata në ndihmë shpejtë, nuk më lanë. Po edhe me m’pa lonë, s’kisha mujt me lonë se vetun, kunata ime kishte vajzën e kishte dy vjeç edhe djalin e kishte nji vjeç, edhe tjetrin e kishte shtatzanë. Une kisha tre fmitë e mi. Djali ishte dymdhjetë vjeç, vajza ishte dhjetë vjeç, djali vogël ishte katër vjeç. Edhe vetun me e lonë… kështu që u ktheva te ajo, u ktheva n’shpi. Nejti policia deri në nji e gjysë aty me neve gjithë kohën. Në nji e gjysë erdhi ni polic, tha, “Jusufin e kanë bo operacion, osht’ ma mirë”, tha.
U gzum na. Bile njoni. Edhe atë dhomën e punës atje erdhën policia meniherë e mbyllën. Si kanë ardhë, po. Kështu që, nuk kisha, numrat e telefonave i kishim atje. Dikur m’u kujtu, Jusufi ma ka pa, ma ka pasë dhonë një kartë-vizitë nji punonjësi të Ambasadës Shqiptare në Austri, Engjëll Kolaneci. M’ka pa thonë, “Mbaje ktë për gjithçka ça mund t’ndodhë e ki te, qite te teshat e tuja”. M’u kujtu mua. Atëherë shkova te ajo gjermanja aty. Thirra n’telefon atë, atë të Ambasadës. I tregova. Ai Ambasadës ka thirrë dikon tjetër. Edhe në ora tetë mëngjesit ka ardhë nji prej Munihut, ni Misin Mavraj erdhi. Me ato hypëm kerrit edhe shkum n’spital. Se s’dishim mo kurgjo. Iku policia, ikën gjithë.
S’dishim kurgjo për Jusufin. Kur shkum atje, hymë mrena edhe aty te sporteli e pytëm, “Kështu, kështu, filani”. “Prit” tha, “doktorin”, tha. “Mjekun prite,” tha, “se vjen mjeku edhe ta spejgon”, tha, “une nuk di”. Atëhere e thirri ai mjekun që ka bo operacion, që ka bo n’tre e gjysë e kanë shti prapë n’operacion. Kur erdhi ai, ni i madh, edhe e pytëm, ma shumë ai se une, se unë pak disha gjermanisht po ai dike mirë. I tha që, “Kemi ardhë me pytë për Jusuf Gërvallën, kështu kështu”. Tha, ai menihere tha, “Ka dekë”, tha atij, “ka dekë”. “Jo, jo”, tha, “kanë ardhë tre,” tha, “dy kanë dekë e njoni”. Tha, i çoi tre gishta, “Të tre kanë dekë”, tha ai.
Na ra bomba. U shqetësum shumë. Na futën në ni dhomë kështu t’vogël. Tha, “Noj qetësus a noj gjo?” Thashë, “Nuk dua qetësus”. Ishte ni, si afrikan ishte. Edhe pytke tashti, për me ta hek mërzinë, pytke “Çka, nga jeni?” I thashë, “Nga Kosova” thashë. “Nga i bie Kosova?” Se n’atë kohë s’kanë ditë kush ku o Kosova. Thashë, “Në Jugosllavi”. Tha “U sa mirë edhe qiky doktori”, tha, “osht’ Jugosllav”. Kur m’ka thonë ashtu sikur, çka, ça ti them…. Shpejtë kom dalë prej dhomës tij, kur po e shoh atë po hin në ni dhomë kështu. Ato koridoret e gjata. Kom vrapu mas tij. Kom hi mrena n’dhomë e i kom folë shkinisht.
Thashë, “Ti e ke vra Jusufin!”. Kur e pashë këtu {tregon kah etiketa e mjekëve} Vidic i shkrunte. “Ti e ke vra!” Ai meti, s’foli hiç. U tut shumë. Osht’ e çuditshme. Me pa pasë une në atë minutë ni armë, une e kisha vra. Po mujka njeri me e vra tjetrin në atë farë… ishte, ishte shokuse. Aty kanë pasë ni kuti me ato që ngjiten letra, veç e kom marrë ato ja kom ngjit, ja kom gjujt ftyrës. Kanë ardhë shpejtë aty, se e panë t’u vrapu une, erdhën shpejtë. Lajmërun policinë. Erdhi policia. I thashë, “Ti do ta pagujsh”, thashë, “për këtë”.
Morëm edhe ni advokat, thashë, masanej, që me shiku punën e atij advokatit, atij mjekut. Ai advokati s’boni asni gjo. Na mendojshim tashti se ky e ka vra në operacion, po nuk kish qenë ashtu. Se vajza ime ka marrë dosjen e gjermanëve. Edhe aty në dosje shkruan që ai ka qenë kroat, Vidici, që ai e ka operu edhe që Jusufit… edhe deklaratën, se Jusufi para se me hi në operacionin e dytë ka kërku, ka kërku gazetarë ose dikush, që me dhonë deklaratë që, “Mu m’ka vra UDB-a”, dhe ky ja ka përkthy deklaratat, doktori. E une e kom akuzu ate për vrasje se kom mendu që ai e ka, n’operacion e ka vra.
Nejse, neve na morën prej atyhit. Na, une shkova te shpija. Pastaj deshtëm me i pru këtu, këtu në Kosovë. Nuk na lanë me i pru në Kosovë. Kemi me ni, me 17-tin, gati, gati, po 20 ditë kemi pritë përgjigjen. As nuk mujshin me thonë, “Po” as “Jo”. Me, me thonë, “Po”, e dishin që në Kosovë kur t’i çojnë bohet e madhe. Me thonë, “Jo” e pranojshin fajin. Kështu mas 20 dite e thanë, “Jo”, e i varrosëm aty në Shtutgard.
Masanej, masi u varrosën ata aty, se i majtëm të tre bashkë, kur u varrosën ata, atëhere unë kam kërku me ardhë, me shku në Shqipëri me fmitë. Se Jusufi kishte dëshirë me i shkollu fmitë në Shqipëri, pat’ shfaq dëshirë që me i shkollu atje. Kam bo kërkesë, ma kanë kthy. Tri herë ma kanë kthy negative kërkesën. Nuk më pranonin atje me shku. Të katërtën here e kom çu në Turqi. Atje ka qenë ni, e ka rregullu njoni atje edhe më pranuan me shku. Tre muj mas vrasjes Jusufit kam marrë fmitë, nëpërmjet Austrisë kemi shku në Athinë, prej Athine në, në Tiranë.
Fmitë ishin t’vegjël. Ky i kishte, katër vjeç i kishte ky i vogli. Na e dishim Shqipërinë, nga propaganda, që ishte ndryshe. Kur shkova atje na çunë në nji banesë, në një lagje që kishte veç maxhupë. Shumë, shumë, shumë keq. E pashë une ça ishte, po kthim mrapa mo nuk kishte. U deshtë me ulë kokën. Në shtator pastaj u regjistrova në fakulltet, se këtu e lash, vitin e tretë e lash.
Erëmirë Krasniqi: Qysh, a ju akomodun atje?
Suzana Gërvalla: Po, na dhanë ni banesë, na dhanë ni banesë po shumë, shumë… n’fund Tiranës, shumë keq. Na dhanë bursa. Mu për studentë, e atij, atij si nxans, atij djalit madh. Une shkoja, shkova pastaj përfundova fakultetin atje, histori-gjeografi. U regjistrova prej fillimi që me e shty kohën se s’kisha ça me bo. Unë s’kisha kërkon temin hiç, hiç, hiç, asni njeri, veç me njerëz t’huj atje, me fmitë e mi. E u deshtë me ju përkushtu vetëm fmive se edhe atje kishte gjithçka. Edhe n’atë kohë ka pasë gjithçka. U deshtte fmitë shumë me i majtë afër. Fillunë dikur me ardhë kosovartë…
Erëmirë Krasniqi: A doni me pushu?
Suzana Gërvalla: Jo. Fillun dikur me ardhë kosovarët nga perëndimi si turista me autobusa, edhe…
Erëmirë Krasniqi: Që në ‘91-tën?
Suzana Gërvalla: Jo, flas edhe ma përpara, para ‘91-tës, kanë ardhë si turista. Me autobusa vishin. Edhe kur vishin aty natyrisht kërkonin me ardhë me pa familjen e Jusuf Gërvallës, se e dishin gjithë që jam une aty. Kur vishin aty, kur e shifshin atë ndërtesë. U mledhshin maxhuptë rreth asaj. U ankojshin që, “Nuk i kemi çu na familjen e Jusuf Gërvallës me çu, me trajtu kështu”. Dikur, ankesë njona mas tjetrës, njona mas tjetrës, dikur kur erdhi ni gru prej Gjermanie e boni ni kërkesë me ma bo ni shpi. Tha, “Në qofse ju s’keni mundësi me, me, me i dhonë ni banesë t’mirë edhe me sistemu, atëhere na lejoni që t’ia bojmë, na jepni ni pllac, ja bojmë na vet shpinë”.
Ata për propagandë kanë qenë mo…. Atëherë ma dhanë ni banesë t’mirë, e ma rritën ni rrogë t’mirë, ma ndrrun mobiljet komplet. Une atëhere hina n’punë në Universitet edhe fillum me jetu pak ma…. Por, ishte gjithçka me racione, me tallona, me… atje s’ka pasë, s’ke pasë me ble kurgjo përveç ato ça t’ka taku me ato, me ato tallona i thojshin, do kupona na jepshin, blejshim. Atëherë shitoret kanë qenë t’zbarzta komplet, nuk ke pasë rafte kështu me… edhe çdo gjë që, që ki, të duheshe kaq sa ki racionin me marrë.
E racioni ishte shumë i vogël. Se shumica e njerëzve i danin djemtë e çikat e kështu bonin si dy familje mi marrë dy racione, po unë s’kisha kon me da se isha me fmi t’vegjël. Me ni racion shumë dobët, menxi. Dy vjet për shemull fmitë e mi tomël s’kanë mujt me pi, as s’kanë prekë. Se, se duhesh me shku n’dymdhjetë t’natës me prit rradhë aty, e n’tetë ora a vinte, a kishte mo qumsht a s’kishte mo për ty. Une isha gru e re atëherë, unë isha 32 vjeç edhe nuk mujsha. Kështu që fmija, fmija….
Une, une ni kohë shumë të gjatë, po gati dy vjet, besoni kom hongër bukë, e qitsha… edhe ajo buka ka qenë, bukë tulle i thojshin ata. Ajo kur ishte taze, ajo hahesh, po kur u bojke bajat, e zezë e kështu. I qitsha pak sheqer, se edhe sheqer, gjithçka ka qenë me racion përveç bukës, pak sheqer edhe me ujë e lagsha. E haja, me ja lonë fmive racionet, mos me ni fmija. Shtatë vjet une s’kom marrë as letër, as telefon, asgjë, asgjë nga njerzit e mi. Shtatë vjet une nuk kom ditë asni gjo. Baba m’ka dekë. As telegrami nuk m’ka ardhë atje.
Erëmirë Krasniqi: Kjo është ‘83 – ‘90?
Suzana Gërvalla: Flas ‘82 deri ‘90, ‘90, po edhe mas… aty, nga ’90-ta, domethonë gjashtë vjet e gjysë ka qenë.
Erëmirë Krasniqi: Gjithçka ka qenë e kontrollume?
Suzana Gërvalla: Gjithçka ka qenë. ‘90-tën masanej erdhën, erdhën njerzit e mi edhe i pashë. ‘90 une bona dasmën e djalit edhe njerzit e mi asni s’kanë qenë, se mujshin me ardhë nga perëndimi po jo nga, nga ish-Jugosllavia. Nga Kosova edhe nga, nga Maqedonia nuk lejohesh me ardhë kurkush.
Erëmirë Krasniqi: Qysh e përjetut tranzicionin politik të ‘90-tave?
Suzana Gërvalla: Masanej, në ’90-tën, une kom punu në Universitet në atë kohë. Djali edhe vajza ishin studenta. Donika ishe në Institutin e Lartë të Arteve se ka qenë, ka maru flautin. Ky djali madh ka qenë gjuhë shqipe edhe gjermane, n’fakulltet t’gjuhve t’huja. Por, Donika gjithni ka qenë, Donika nga natyra, vajza, i ngjan babës vet, komplet ka natyrën e babës vet. Ajo me ata artistat, me Institutin e Lartë të Arteve ka hi në grevë t’urisë atëhere ‘90-tën. Na e përkrahëm Sali Berishën familjarisht. Edhe ky djali jem, i madhi, Premtoni, ai ka qenë në Komitetin e Rinisë në atë kohë, t’studentave, edhe ai osht’ çu atje ka kundërshtu. Kështu që, si familje e kemi kundërshtu pushtetin e këti, e…
Erëmirë Krasniqi: Ramiz Alisë?
Suzana Gërvalla: Enver Hoxhës… se nuk, nuk ka udhëheq Ramiz Alia, ka udhëheq gruja e Enverit. Gjitha t’zezat i ka bo Nexhmija se si ka bo, edhe as Enveri kaq shumë sa ka bo kjo. Kjo ka qenë ajo tamam që e thojnë ajo ‘gjarpni zi’. Ajo ka qenë ajo që ka bo gjithçka. Pastaj, kishim shumë presione prej ktyne komunistave se banesën e kishim mes tyne n’at’ kohë… shumë n’atë kohë. Po, fitoi Saliu. Nejse, vinte Saliu, unë e kam fotografi, vishin Saliu, e Azem Hajdari e këta vijshin te shpija jonë, e ishim….
Se edhe ma përpara une kam pasë miqësi me Saliun. Ai ka qenë mjek, kardiolog, edhe une kam pasë probleme. N’bazë nervore kam pasë shumë probleme, edhe mjekohesha te ai. Kështu që, vishin e shkojshim njoni te tjetri. U ndrru sistemi. Fmija vazhdunë shkollat. I përfundun. Une punoja. Deri ‘97-tës. ‘97-tës në Shqipëri i dini që morën armët, e u bo nomi. Edhe këta komunistat u rikthyen prapë. Atëhere na kanë bo presion t’jashtëzakonshëm.
Mo na kanë gjujtë me…. Mu, une aty n’zyre ku kam punu m’ka ra plumi te karrika nga jashtë. Eh, po unë kam qenë duke hongër bukë, nuk kom qenë n’atë karrikë aty, edhe plumin e ruj e kom për kujtim. Kish ra prej karrike në tokë. Edhe, djali punojke në Ministri të Drejtësisë, ka qenë drejtor për marrëdhanie me jashtë, se ai di shumë gjuhë. Edhe atij mo qas’, qaq presion t’madh sa që i thirra fmitë, u morrëm… Donika ka qenë në Gjermani, ka shkur për studime ma përpara, ndërsa une me dy djem e me nuse e me nipin, i thashë, “Po ikim prej ktuhit se nuk ki çka bon mo këtu”.
Nuk kemi të ardhme këtu. Nihere kundërshtun pak, djali madh me nusen, po pastaj e panë që…. Këtë djalin e vogël deshtën me ma marrë ushtar, e me çu në Vlorë atje me luftu me ata. Une e çova në Shkup para se… ndërsa ne dolëm ni nga ni kështu ilegalisht. Na kanë ndihmu kosovarët dhe dolëm, edhe shkum në Suedi. U vendosëm në Suedi.
Erëmirë Krasniqi: Keni marrë azil politik?
Suzana Gërvalla: Po, morëm azil politik atje. Kemi pashaportat suedeze. Unë kam ni banesë atje në Suedi. Shtetit osht’, po shteti ma pagunë. Kështu që, jetoj edhe atje edhe këtu tash mas pensionit. Kam djalin, djali madh ka met atje në, në Suedi. Donika është në Gjermani, në Bon. Ndërsa, ky i vogli ësht’ kthy, që katër vjet e gjysë, ësht’ kthy në Kosovë edhe jeton këtu. Punon këtu. Ka maru informatikë edhe punon.
Erëmirë Krasniqi: E ju kur jeni kthy?
Suzana Gërvalla: Une harrova, t’ju tregoj. Mas lufte menihere une jam kthy edhe kam shku kam nejt me nonën Ajshe në Dubovik, se nuk u kthyn, djemtë nuk ju kthyen asnjoni. Kështu që shkova une. Se ajo shpija që ishte, ajo ishte aq përtoke ishte, shumë e vjetër ishte. S’kishte as banjo ajo, kishte a dini si ka qenë përpara jashtë? E shkreta kur lahesh i ngrinte, i ngrinte flokët që laheshe në…. Po, ja rindërtum. Vajza ia çoi paret, ia rindërtum pak shpinë. E jetova ni kohë me to. Ma vonë, u smu ajo. Mori kancer n’zorrë, edhe nejta me to atje n’spital sa nejti.
Pastaj, kur e morën te shpija lajmërova ata djemtë, e nuset, e erdhën gjithë pastaj. Pastaj kur e morën te shpija, une atëhere mora banesën në, në, para, para, para se mu smu nona, mora banesë në Prishtinë. Edhe, thashë po e marrë edhe nonën atje. Po, nona nuk dojke në asni mënyrë. Mora lejen une. 55 vjeç kom marrë lejen e makinës (qeshë), n’pleqni. Edhe, i thojsha nonës që po e marrim lejen e po shetitim, e po bojm, e u knaqke. Kështu kur vdiq ajo, une masanej në Prishtinë.
U punësova në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Punova aty gjithë ato vite. Dhjetë vjet. Dola n’pension. (Qeshë) Tash, tash gjyshe. I kom pesë nipa, mesa. Djali i madh e ka djalin, Drini, e ka 21 vjeç. Donika e ka Redonin, Jonin edhe Norën. Redoni osht’ 20 vjeç, Joni osht’ 16, Nora osht’ 8, 9 vjeç. Edhe djali i vogli, këtu në Prishtinë, e ka vajzën 10 vjeç, Emën. Ema ka marrë emnin e nanës teme që m’ka rritë mua. Kështu, nuk e di tash çka ju intereson tjetër, une mund t’ju…
Erëmirë Krasniqi: Para se me përfundu, po mendoj a kishit mujt me na tregu biografi t’nonës Ajshe? Po mendoj ndoshta me na fol edhe për muzeun i cili po ndërtohet, i familjes Gërvalla?
Suzana Gërvalla: Po, po çka t’them une për nonën Ajshe? Biografinë, ajo osht’…
Erëmirë Krasniqi: Paj, po mendoj rolin e saj në shoqni që e ka pasë edhe që ka qenë një gru trimëreshë edhe që ka pranu burra, që ka pasë edhe nifarë roli social të randësishëm….
Suzana Gërvalla: Po, po.
Erëmirë Krasniqi:… edhe njifarë pikë kontakti ka qenë, njëfarë pike kontaktuese për familjen Gërvalla.
Suzana Gërvalla: Po, po. Masi djemtë, masi u burgosën djemtë edhe nona meti me gratë e djemve. Ky Avdyli, i vogli, doli shpejt nga burgu, ndërsa ky, Hyseni nejti nja dy vjet. Edhe djalin ia patën marrë pak e, e çikën pak e… por, kur dolën prej burgu edhe Hyseni, Hyseni edhe Avdyli dolën për, dolën e shkun në Zvicër. Ikën se nuk mujshin mo me nejt aty. Dikur e tërhoqën edhe familjet dhe nona Ajshe meti vet në Dubovik. Ajo nuk deshti me lonë në asni mënyrë. E kanë lutë boll, por nuk deshti kurrsesi me e lonë shpinë edhe meti.
Por, ajo aty nalt, në katin e dytë, që u rindërtu ma vonë ajo, aty kanë pasë odën e burrave. Ajo oda e burrave, t’cilën e ka majt nona, ka histori shumë të madhe. Nona ka pritë aty shumë njerëz, shumë. Nona ka shku n’çdo pajtim gjaqeve. Nona ka shku, çdo vrasje që ka qenë, vishin e merrshin, e shkonin. Ajo ka lujtë një rol t’jashtëzakonshëm. Ni nanë, ni gru fisnike, ni gru trimneshe, edhe, ka respekt, ajo gëzon respekt t’jashtëzakonshëm te gjithë njerëzit, nona Ajshe.
Tani, për nder të nonës Ajshe dhe për nder të Jusufit do bohet, po bohet një muze. Ka pesë vjet që une punoj, shkoj zyre m’zyrë, trokas gjithandej që ta boj atë muzeun. Menxi, menxi, menxi mas Ministër mas Ministri, Kryetar mas Kryetari të Komune… po, në fund po më duket që po arrij me e përfundu. Do t’bohet aty në fshat, në, te ku është, ku ka qenë shpija nonës Ajshe, ku osht’ shpija. Ajo tashti osht’ shpija jonë. Une ja kom, e kom qitë gjithçka n’emën të Donikës. Ajo shpija Donikës tash. Edhe, aty n’oborr bohet muzeu. Osht’ bo ni kullë, kopja e kullës ku kanë lindë Jusufi edhe Bardhi.
Aty në, në oborr osht’ bo kulla. Tashti po bohet, po renovohet ajo oda e nonës Ajshe. E do bohen dy muze në nji, në nji kompleks, domethonë, do bohet muzeu i Jusufit, edhe do bohet oda e nonës Ajshe. Do ta, dua që të gjithë ato merita që ka nona Ajshe, dua t’ja paraqesë aty në atë odën që, që do ta ndërtojmë. Besoj, fjala osht’ me përfundu me 1 tetor, me 1 tetor me bo hapjen e asaj. Une kam shumë materiale për t’i…
Erëmirë Krasniqi: Ekspozu.
Suzana Gërvalla: Për t’i ekspozu, si nonës Ajshe, si, si Jusufit. Edhe, shpresoj…
Erëmirë Krasniqi: A keni pasë vështirë me i rujt dokumentet, familja?
Suzana Gërvalla: Paj, shtirë. I kom bajtë gjithandej, shtet e m’shtet. Ça me bo? I kom bajtë qe edhe, edhe, edhe shkrimet e Jusufit për shembull. Une, une kur kam ikë prej ktuhit, prej Kosove që kam ikë në Gjermani, motra jeme vinte shpesh me burrin. Edhe, sa herë vishin ja mushsha ka ni çantë edhe i çonin në Shkup. Edhe kur jom nisë une s’kom marrë asni teshë me vete. Kom marrë gjithë fotografitë, gjithë dokumentat e Jusufit, gjithë shkrimet e Jusufit, gjitha.
I kom çu në Shkup, prej Shkupi në Gjermani, prej Gjermanie në Shqipëri, prej Shqipërie i kom kthy prapë këtu. Edhe i kam të gjitha. Kur kam botu atë përmbledhjen e veprës Jusufit, që është në katër vëllime, njëra është poezitë e Jusufit, njëra është romani edhe tregimet, edhe dy janë publicistika e Jusufit. Gjithçka çka ka shkru Jusufi gjatë vitet ‘70-ta në gazetari. Gjitha materialet i kom pasë. Plus, kam nxerrë edhe në Bibliotekë Kombëtare. Kom punu shumë gjatë ça i kom nxerrë ato që s’i kom pasë.
Por, edhe fotografi kam shumë, shumë. Për shembull une kam bo ekspozita me fotografitë e Jusufit, 160 fotografi. Kam bo nëpër gjithë Kosovën, e Maqedoninë, e Shqipërinë, e gjithandej, me senet e Jusufit edhe me….Tani gjithë ato do t’i ekspozojë në, në muzeun që do bohet. Aty te ajo kulla, te muzeu ne kemi mendu që njërën sallë ta bojmë ni sallë takimesh kulturore. Njëra do bohet me projektor, me karrika, me… kështu që, do t’bohen ngjarjet kulturore do t’zhvillohen aty n’atë sallën e, n’katin e parë të kullës.
Sepse Jusufi i përket kulturës. Jusufi ka qenë shkrimtar, ka qenë artist. Ka qenë shkri, ka qenë kangtar, ka qenë kompozitor, ka qenë piktor. Jusufi ka qenë ni artist i kompletum. Jusufi ka, kam edhe CD të Jusufit. E kom bo ma vonë. Megjithë se shumë zor me i gjetë kangtë e Jusufit, se këtu i kanë asgjësu, masi ka ikë Jusufi i kanë asgjësu, i ka ato, kangtë e tij… sidomos Radio komplet, nuk e gjenë asni. Rafet Rudi i ka gjetë disa kangë në Radio Shkupin. E disa inçizime, shumë pak, nja katër, pesë inçizime këtu në Televizion. N’televizion megjithëse Jusufi këtu ka qenë, ka pasë shumë inçizime, po, këtu s’po ja gjejnë.
E kaq material sa ka pasë, une jam mundu me pasqyru si, jo vetëm si atdhetar, që ata e din gjithkush, po kam, jom mundu ta paraqes edhe si artist, siç ka qenë. Se na kemi shumë dëshmor po Jusufi veçohet se ka qenë edhe, edhe artist, ka qenë edhe njeri i kulturës. Prandaj duhet të…. Poezitë e Jusufit janë shumë të veçanta, shumë. Ata që i kanë lexu thojnë që janë shumë të rralla. Bile tani, tani, ni kompozitor, ni kangtar e kompozitor në, kroat, kroat, Đelo Jusić, nuk e di a, se ju jeni t’ri se keni nigju, ka kërku ni tekst të Jusufit që ta boj ni kangë për shembull. Se i ka, ka tekstet shumë të mira.
Erëmirë Krasniqi: Shumë mirë që muzeu paska me e reflektu edhe këtë anë të Jusufit.
Suzana Gërvalla: Po, shpresoj se do t’përfundojë. Po merrem tash me punëtortë, ju e dini si osht’ me u marrë me punëtorët. Por, po m’duhet mu marrë me ta që ta përfundojmë tamam.
Erëmirë Krasniqi: Shpresoj që përfundon.
Suzana Gërvalla: Përndryshe fmitë i kam shumë të mirë. Janë martu mirë. I kanë fmitë. Krenohem me ta. Jom mundu me i rritë shumë, shumë me mundim t’madh i kom rritë, por, ata po ma shpërblejnë sot. Krenohem shumë. Jam gjyshe shumë e lumtun. Une gjithnji them është mirë m’u plakë, thojnë si qenka mirë mu plakë? Po mirë është se me bo mos m’u plakë nuk bohesh gjyshe (qeshë), nuk e ndinë atë knaqësinë, ajo osht’ knaqësija ma e madhe e jetës. Se ajo dashurija e tyre osht’ e jashtëzakonshme. Kështu që…
Erëmirë Krasniqi: Shumë faleminderit.
Suzana Gërvalla: Tashti jam, kam vuajtur shumë gjatë kur kam qenë e re, shumë, shumë shumë, por, tashti jam e kënaqur nga fmitë e nga nipat, e nga mesat. Tashti ma kanë shpërbly ata.
Erëmirë Krasniqi: Shumë faleminderit për intervistën.
Suzana Gërvalla: Besoj se, nashta kam lonë naj gjo, po…
Erëmirë Krasniqi: S’prishë punë.
Suzana Gërvalla: Besoj se pak a shumë…